Dy institucione, Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skendo” dhe Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit e kanë përkujtuar në një tryezë të përbashkët këtë ngjarje, 25-vjetorin e gjetjes dhe nxjerrjes së eshtrave të 22 martirëve. Në të njëjtën kohë është ribotuar edhe vepra e Butkës “Bombë në Legatën Sovjetike” e plotësuar me fakte dhe dokumente të reja. Ashtu si herë të tjera Butka është ndalur në kërkesën që i është drejtuar parlamentit, disa herë, që data 26 shkurt të shënohet si Dita e Kujtesës
Masakra e natës së 26 shkurtit 1951 është ngjarja më tipike e krimeve të komunizmit e njëherësh më kundërligjore dhe më me paprecedent në historinë e legjislacionit shqiptar e të huaj. Kështu e cilëson historiani Uran Butka pretekstin e bombës së hedhur në Legatën Sovjetike, ku u pushkatuan pa gjyq 22 intelektualë, mes tyre e vetmja femër, Sabiha Kasimati, dosja e së cilës u bë e plotë, me gjetjen e eshtrave të martirëve 25 vjet më parë. Ndonëse kjo është nga ngjarjet që kujtohet çdo vit, ende mbetet e pazyrtarizuar në nderim të viktimave qoftë me datën, ashtu dhe me vendin ku ata prehen në një varr të përbashkët, ashtu siç edhe u vranë, në një grope pranë urës së Beshirit, në breg të lumit Erzen.
Dy institucione, Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skendo” dhe Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit e kanë përkujtuar në një tryezë të përbashkët këtë ngjarje, 25-vjetorin e gjetjes dhe nxjerrjes së eshtrave të 22 martirëve. Njëkohësisht është ribotuar edhe vepra e Butkës “Bombë në Legatën Sovjetike” e plotësuar me fakte dhe dokumente të reja. Ashtu si herë të tjera Butka është ndalur në kërkesën që i është drejtuar parlamentit, disa herë, që data 26 shkurt të shënohet si Dita e Kujtesës, për të mos e ngatërruar me 20 shkurtin që shënon simbolikisht rënien e diktaturës me rrëzimin e shtatores së Enver Hoxhës vendosur në sheshin e kryeqytetit. “Kërkesa që më 26 shkurt është përsëritur disa herë, dhe sërish parlamenti është tërhequr ndaj nuk duhet ngatërruar me 20 shkurtin, po s’ka lidhje. Më 20 shkurt s’ka pasur viktima, është absurd ta vendosen bashkë këto data, politika të imponohet për ta vendosur si ditë kujtese 26 shkurtin”, tha Butka. Me tej ai ka ritreguar, pothuaj historinë, një nga më të plotat që njohim, që shënon nisjen zyrtare të terrorit komunist në Shqipëri. “Vendimi për të realizuar këtë masakër u mor jo në sallën e gjyqit, por në Byronë Politike e PPSH-së, në mbledhjen e datës 20.02.1951, me pretekstin e hedhjes së një sasie të vogël dinamiti në oborrin e Ambasadës Sovjetike, që theu vetëm disa xhama në mbrëmjen e datës 19.02.1951. Urgjentisht u mblodh kupola e partisë-shtet dhe me propozim të ministrit të Brendshëm, Mehmet Shehut, u vendos të merreshin masa të jashtëzakonshme represive “pa marrë parasysh ligjet në fuqi”. (Të gjithë anëtarët e Byrosë, përfshirë edhe E. Hoxhën: Jemi dakord me këto masa). Shfaqet lakuriq një pushtet kriminal terrorist, që nuk respektonte as kushtetutën dhe legjislacionin që kishte hartuar e miratuar vetë. Ministri i Brendshëm kërkoi nga Byroja Politike që arrestimet të bëheshin qysh atë natë. “Listat i kemi gati, tha ai. Po të jeni dakord ju, veprojmë që sonte”. Ai kërkoi që të arrestoheshin menjëherë 100 ose 150 vetë, nga të cilët 10 ose 15 më të rëndësishmit, të pushkatoheshin pa gjyq”.
Të gjithë intelektualë të shquar dhe shumica e tyre kishin mbaruar universitetet më të njohura të Europës, 22 martirët që u pushkatuan ishin: Tefik Shehu, Hekuran Troka, Lluka Drashkoviç, Haki Kodra, Pandeli Nova, Thoma Katundi, Fadil Dizdari, Ali Qoraliu, Jonuz Kaceli, Gafur Jegeni, Petro Ekonomi, Zyhdi Herri, Niko Lezo, Myftar Jegeni, Qemal Kasoruho, Manush Peshkëpia, Andon Delhysa, Reiz Selfo, Pjerin Guraziu, Gon Temali, Mehmet Shkupi, Sabina Kasimati. “Është për t’u theksuar se përzgjedhjet u bënë nga gjithë trevat shqiptare: intelektualë e qytetarë nga Prizreni, Gjakova, Shkupi, Shkodra, Dibra, Tirana e deri në Delvinë, Gjirokastër e Korçë, në mënyrë që terrori të godiste e të nënshtronte gjithë Shqipërinë. Akuza e Prokurorit ushtarak Siri Çarçani, mban datën 25.2.1951 dhe përmban absurditete: Janë vënë në shërbim të spiunazheve të huaja imperialiste; janë bërë anëtarë të një organizate terroriste. Kanë propaganduar rrëzimin me dhunë të Pushtetit popullor dhe kanë hedhur parulla pro shpërthimit të një lufte të re nga ana e imperialistëve amerikano – anglezë e satelitëve të tyre. Është një akuzë kolektive për terrorizëm, e pambështetur në asnjë provë.
Sipas aktakuzës së datës 25.02.1951 të Prokurorit të Përgjithshëm, të gjithë të arrestuarit janë dërguar për gjykim në Gjykatën e Lartë Ushtarake “për faje kundër popullit e shtetit”.
Butka ka theksuar se meqenëse ekzekutimi pa gjyq bëri bujë, brenda dhe jashtë Shqipërisë, atëherë Gjykata e Lartë Ushtarake në bashkëpunim me Sigurimin e shtetit, pasi ishin pushkatuar 22 të arrestuarit, nisën procedurat përpilimit të procesverbaleve të rreme, fiktive, sikur gjyqi ishte
zhvilluar. Historiani vëren se ekzistojnë dy procesverbale gjyqësore të falsifikuara të Gjykatës së Lartë. Njëri mban datën 226.2.1951: “Gjykata Ushtarake me kryetar nënkolonel Shuaip Panariti, anëtar, kapiteni i parë Vangjel Kocani dhe kapiten i parë Nonda Papuli, e sekretar Hidaji Bejo e ka filluar shqyrtimin e çështjes më 26.02.1951 dhe është shprehur për dënimin e të gjithë të akuzuarve me vdekje – me pushkatim, duke u bazuar në ligjin 372 datë 12.2.1946. Ky vendim gjykate është i formës së prerë dhe i ekzekutueshëm menjëherë”.
Viktimat e pafajshme u pushkatuan në mesnatën e 26-27 shkurtit në breg të lumit Erzen, pranë fshatit Mënik dhe u hodhën në një gropë të madhe të përbashkët 4.30x3x1.50 m, të lidhur me njëri-tjetrin me tela me gjemba. Në mesnatë fshatarët e Mënikut dëgjuan krisma të pandërprera pushkësh, ndërsa në të gdhirë panë një skenë të llahtarshme: diku dilte një dorë, diku një këmbë, diku flokë të përgjakur. “Fakti që viktimat ishin të pafajshme, u vërtetua edhe ligjërisht muaj më vonë, kur u dënuan ata që kishin hedhur dinamitin në oborrin e Ambasadës Sovjetike… Pas 50 vjetësh u gjet varri dhe u zbulua e vërteta e masakrës”.