Nga Ervis Iljazaj
Poeti Xhevahir Spahiu, në një nga poezitë e tij, duke bërë urimin për vitin që do të vijë, shkruan: ‘Ky vit që shkoi, ish i zi/Ky vit që vjen/në mos i bardhë/të paktën qoftë gri!’. Viti 2018 për politikën shqiptare nuk ishte as i bardhë dhe as gri, por ishte padyshim një vit i zi dhe për t’u harruar.
2018 ishte ndoshta viti më i keq për Shqipërinë e dekadës së fundit në aspektin politik, ekonomik dhe shoqëror.
Një nga shenjat kryesore që vulosi këtë vit të mbrapshtë ishin pikërisht ndryshimet e shumta në qeveri. Si rrallë ndonjëherë në historinë politike të tranzicionit shqiptar, një kabinet qeveritar me një lëvizje bën ndryshime kaq rrënjësore dhe në këtë masë. Si të thuash, kjo ishte simbolika e një viti ku asgjë nuk shkoi në rrugën e duhur.
Përtej këtij fakti, ka disa arsye thelbësore, të cilat e bëjnë 2018 një nga vitet më të këqinj të plotikës shqiptare.
Së pari, qeveria Rama në mandatin e dytë të saj nuk artikuloi, konceptoi apo zbatoi ndonjë reformë thelbësore në fushën e ekonomisë, të shoqërisë apo të zhvillimit në përgjithësi. Paradoksalisht, ky duhet të ishte viti i suksesshëm, pasi kjo qeveri e kishte vitin e parë fill pas fitimit të zgjedhjeve, aq me tepër të fituara vetëm nga Partia Socialiste. Në këtë kuptim, energjia që të jep fitimi i zgjedhjeve, u kthye në një inerci me kotësira qeverisëse, që nuk i hyjnë në punë askujt. Nga një qeveri, e cila ndërmori disa reforma në mandatin e saj të parë, Edi Rama në mandatin e tij të dyte pësoi një metamorfozë nga reformat te populizmi. Mbase i shtyrë nga fryma e kohës, që e sheh populizmin si trend politik, por që është toalisht jo në interesin publik.
Së dyti, viti që lamë pas ishte një vit ku nuk u aprovua asnjë reformë bipartizane. Jo vetëm kaq, por palët politike, opozita dhe mazhoranca, kanë qenë më larg dhe më në konflikt se kurrë. Ky konfliktualitet nuk arriti të krijojë asnjë bashkëpunim mdidis mazhorancës dhe opozitës në interes të forcimit të institucioneve apo në interes të qytetarëve shqiptare. Madje, Shqipëria në prag të zgjedhjeve lokale, ende nuk ka një reformë zgjedhore, aq shumë të kërkuar nga partnerët ndërkombëtarë. Me të gjitha gjasat, vendi do të shkojë në zgjdhje me të njëjtin ligj zgjedhor, dhe me shumë mundësi, me të njëjtat problematika të shfaqura historikisht në zgjedhjet shqiptare.
Së treti, ky ishte viti ku Shqipëria pati mundësinë të merrte hapjen e negociatve, por vendimi i institucioneve të BE-së nuk e tha një gjë të tillë. Pavarësisht se palët politike e intepretojnë në mënyra të ndryshme, fakt është se, Shqipëria ka një provë tjetër të fundit në vitin 2019 për çeljen e negociatave.
Së katërti, e shumëpërfolura Reforma në Drejtësi nuk eci me ritmet e duhura. U provua çdo pengesë e mundshme për sabotuar atë nga politika shqiptare. Dhe tani, që duket dritë në fund të tunelit me ngritjen e organeve të reja të drejtësisë, ende mbetet një reformë që nuk gëzon mbështetjen e dyja palëve politike. Më shumë se kaq, opozita çdo ditë akuzon mazhorancën për kapjen e organeve të reja të drejtësisë. Në këtë mënyrë, besueshmëria dhe legjitimiteti i saj do të jetë i mangët. Megjithatë, për efektet dhe funksionin e saj do të ketë një panoramë dhe një gjykim të plotë pasi ajo të funksionojë në mënyrë përfundimtare.
Së pesti, viti 2018 ndoshta është viti ku shqiptarët në të gjitha sondazhet shprehen në mënyrë masive se duan të largohen nga Shqipëria. Pra, shoqëria shqiptare ka një plagë dhe një problematikë me emigracionin që nuk dihet se si do të zgjidhet. Politika deri më tani, në mënyrë absurde nuk ka asnjë përgjigje për të frenuar këtë fenomen, që është një nga dëmet më të mëdha dhe vështirë të rikuperueshme që po i bëhet shoqërisë shqiptare.
Po të shtosh këtu dhe protestën e studentëve, e cila nxori në pah krizën perfekte të universitetit shtetëror, atëherë, panorama e zezë e vitit 2018 të shqiptarëve bëhet e plotë.
Kështu që, nuk mbetet gjë tjetër, përveçse urimi që viti 2019, në mos i bardhë, të paktën të jetë gri, ashtu sikurse shkruan poeti.
Per saldatoret keshtu ju dukemite gjithe se ato shikojna bardhe e zi.edhe ky pseudoanalisti i mapos kapunuar saldator.