Ndërrim kursi? Gazeta MAPO e pat shpallur në një prej numrave të parë të saj që në korrik 2010, kur sapo ish njoftuar emri i ambasadorit amerikan se “ShBA po ndërronte kurs në Tiranë”. Me një pikëpyetje në fund të titullit hapës të faqes së parë, natyrisht. Pikëpyetja ishte pothuajse njëfarë dëshirimi pas një pothuajse animi të hapur të ambasadorit në ikje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Withers.
Dukej sikur gazeta kumtonte një opinion të opinionit publik për një ambasador më të ekuilibruar. Sigurisht edhe një aht politik të së djathtës të sfilitur me Withers. Si për të mos e zhgënjyer gazetën dhe as të djathtën, ndryshimi i kursit ndodhi në fakt. Mjaftonte një centrim diku midis dy poleve të politikës së Tiranës për t’u kuptuar apo marrë si zhvendosje.
Ambasadori amerikan në muajt apo dhe dy vitet e para të mandatit të tij diplomatik, u shfaq si skicues i një trajektoreje që kërkonte normalitet dhe ia besonte këtë shumicës së djathtë që qeveriste asokohe Shqipërinë, përkundër një opozite që kishte marrë rrugët. Një ambasador amerikan në Shqipëri është gjithmonë një qendër pushteti dhe rruga e Elbasanit shpeshherë shihet nga shqiptarët si selia finale prej nga do të dalë verdikti. Arvizu, ashtu si paraardhësit e ka mbajtur dhe përdorur këtë skeptër.
Shekulli, një gazetë non grata. Një opinion i Ilir Yzeirit, botuar në të përditshmen Shekulli, gazetë pranë së majtës, i hapi rrugë një precedenti në marrëdhëniet e shtypit shqiptar me ambasadat e huaja. Me anë të një njoftimi publik, ambasada amerikane kumtonte ndërprerjen e marrëdhënieve me Shekullin.
Lexonte komunikata: “Po ju shkruaj për t’ju informuar që Ambasada e SHBA ka vendosur të ndërpresë marrëdhënien e saj profesionale me gazetën ‘Shekulli’ deri në një njoftim të mëtejshëm. Duke hyrë në fuqi menjëherë, Ambasada do të anulojë të gjitha pajtimet e saj me gazetën ‘Shekulli’, dhe stafi i gazetës nuk do të ftohet më për të marrë pjesë në aktivitete, apo trajnime, të sponsorizuara nga Ambasada. Gjithashtu, Ambasada nuk do t’i dërgojë më gazetës ‘Shekulli’ njoftime për shtyp, apo deklarata të Ambasadës”.
Opinioni i Yzeirit i datës 9 prill i titulluar “Intelektualët dhe Ambasadori i Vogël i një vendi të Madh” përmbante ndër të tjera termin ‘kinezërira’, i cili në slangun shqiptar ka ngarkesa pezhorative. Ishte koha kur e majta i shihte vëngër dhe me padurim qëndrimet e ambasadori amerikan. Shkrimi i Shekullit, i cili iu përgjigj vendimit të ambasadës me kryetitullin e së nesërmes “WTF”, reflektonte pikërisht këtë padurim.
Celulat antiamerikane në Tiranë. Në një intervistë për ‘Tonight Ilva Tare’ në shtator të vitit 2011, 7 muaj pas ngjarjeve të 21 janarit, ambasadori Arvizu kapi në beft shumëkënd kur deklaroi shkoqur se pas 21 janarit ka ekzistuar një celulë anti-amerikane në Tiranë, “me drejtues dhe mbështetje biznesi”. Arvizu citoi një editorial të drejtorit të MAPO, Artur Zheji, të shkruar në muajin prill, që titullohej “Antiamerikanizmi i porositur”.
Sipas Arvizu, “Zheji shpjegonte një fenomen që është shumë i qartë dhe që ne e kemi parë në atë periudhë, që ka qenë një anti-amerikanizëm i organizuar, i drejtuar dhe ka pasur një celulë, ka pasur drejtues, ka pasur mbështetje biznesi, ka pasur gjithashtu dhe makineri. Pra, ka qenë një aktivitet i organizuar që ka pasur në plan të mund të marrë një kah politik”.
Arvizu bëhej ambasadori i parë amerikan i cili identifikonte rrymat antiamerikane në vend, të cilat edhe pse të heshtura për shkak të konjukturave gjeopolitike të pafavorshme, duket se ekzistojnë. Përveç informacioneve që një diplomat amerikan zotëron, Arvizu duhet të jetë ndikuar edhe nga shkrimtari I. Kadare, në shoqërinë e të cilit është parë disa herë. Kadare në disa libra dhe intervista të tij e ka përsëritur idenë e celulave sovjetike në Shqipëri (me sovjetike lexo: antiamerikane).
Berisha, një burrë shteti? 21 janari ishte ngjarja që u fut mu në mes të mandatit diplomatik të Aleksandër Arvizu, duke e ndarë kohën në para dhe pas. Një prej frazave që u lëshua nga lartësitë mediatike për të ardhur poshtë në publik si ortek e më pas precedent, ishte dhe deklarata e ambasadorit “Berisha, një sjellje prej burri shteti”.
Sigurisht, si kundërshtarët ashtu dhe dashamirët e kryeministrit Berisha, zgjodhën t’i shohin si të tepërta disa pjesë të saj duke ‘lënë brenda’ vetëm ‘Berisha burrë shteti’. Secila e bënte për hesap të vet: për të identifikuar Tjetrin e urryer. Për të majtën përveç Berishës, në këtë shënjestër u fut edhe ambasadori amerikan. Për të djathtën ai që ish një darling asokohe, tashmë është një shënjestër urrejtjeje.
Ndodh gjithmonë kështu në Shqipëri: ai që nuk është me ty, është automatikisht dhe arbitrarisht kundra teje. Arvizu e pat shpallur Berishën burrë shteti pak pas ngjarjeve të 21 janarit, kur opozita dhe mazhoranca kishin vendosur të mbanin dy mitingje në të njëjtën ditë. Kryeministri u tërhoq duke i lënë vend përkujtimores së Ramës për viktimat e 21 janarit.
Mëngët e përveshura në zgjedhjet e Tiranës. Te shkolla “Vasil Shanto”, kur numërimi i kutive të votimit në zgjedhjet lokale të majit 2011 po shtyhej e shtyhej në taktika elektorale në kërkim të një strategjie që do pillte lopën e artë të fitores, u dha një pasdite ambasadori amerikan Arvizu. Me mëngë të përveshura dhe me një buzëqeshje të gjerë, ku nuk shfaqej asgjë tjetër veç qëllimit të mirë.
Njëfarë ‘hajt t’i japim fund se latë nam’. Ato kuti ku futi duart Arvizu, do të prodhonin një rezultat që do të festohej nga të dyja palët si fitorja e secilës. Në Shqipëri ka ndodhur kjo plot herë: të dyja partitë, ende pa u shpallur rezultatet zyrtare kanë dalë me tam-tame e buçima për të festuar fitoren e tyre të madhe mbi një Shqipëri që dukej sikur shkonte në zgjedhje për të gjetur një zgjidhje e në vend të saj nga kutitë i dilte lotaria e pafat e në-mos-njëra-tjetra.
Por ishte hera e parë që një ambasador i vendit më të fuqishëm të botës shfaqej në kamera edhe si numërues votash. Amerika kish qenë gjithmonë aty, që nga viti 1991, me teknologji, know how, ekspertë, mjete, këshilla apo qoftë edhe urdhra. Kësaj here u ul këmbëkryq në palestrën e një shkolle në periferi të kryeqytetit për të dhënë edhe një mesazh më shumë.
Enveri, një monstër. Në fund të mandatit të tij, Alexander Arvizu i dha profilit të vet diplomatik edhe një përmasë rajersoniane, dmth atë të një antikomunisti. Në shpinat e të djathtëve me siguri është kreshpëruar një rrëqethje mirënjohjeje. Mjaftuan pak rreshta në Facebook, ku përfaqësuesi i shtetit amerikan e rishpallte Enver Hoxhën një monstër, që paradat groteske ku këmbeheshin nostalgjikë sklerotikë dhe sigurimsa haluçinantë të zhdukeshin si nëndetëse.
Me rastin e 70- vjetorit, frymëzuar edhe nga një leje me shkelje syri e autoriteteve të majta të ardhura në pushtet më 23 qershor 2013, në çdo përkujtimore shfaqeshin shaje, parulla, portrete dhe skërmitje enveriste. Busulla e Shqipërisë sikur tregonte një drejtim mbrapa kah ‘90-’92, kur Vullnetarët e Enverit u shfaqën me vringëllima për të penguar atë çka nuk mund të ndalej më kurrë: rrëzimin e regjimit dhe hapjen e vendit dhe të shoqërisë me botën e lirë.
Çka po ndodhte në nëntor 2014 ngjante si një mizanskenë e asaj kohe thuajse të harruar. Ndërhyrja e prerë amerikane nëpërmjet ambasadorit Arvizu, siç ishte mbështetja e fortë e ‘91-‘92 nëpërmjet William Ryerson-it, e bëri punën. Komunizmi nuk bie vetëm një herë.
Vizat trevjeçare. Një dhuratë për Krishtlindjen, bash në mbyllje të mandatit të tij në Tiranë, u bëri ambasadori Arvizu shqiptarëve mbrëmjen e 18 dhjetorit në studion e “Top Story” të gazetarit Sokol Balla. Faktin, por jo brendinë e surprizës, e kish shpallur që më parë në rrjetet sociale dhe hamendësimet morën krahë.
Një prej tyre fliste, shpërpjestimisht, se surpriza kishte të bënte me atë se Amerika do të konsideronte të kualifikuar për një mundësi emigrimi të gjithë ata shqiptarë që kishin aplikuar për lotarinë amerikane këtë vit. Nuk ishte kjo, dhe as pritshmëri të tjera të natyrës hiperbolike, por një bujari që ka të bëjë me zgjatjen e qëndrimit të një shtetasi/je shqiptare që aplikon dhe fiton një vizë në Ambasadën amerikane në Tiranë.
Ambasadori amerikan njoftoi se vizat tashmë do të jepeshin me një afat qëndrimi trevjeçar, si për ata që shkojnë me studime, ashtu dhe për punë apo motive të tjera. Nuk është liberalizim vizash, por është një ofertë e mirë. Është një dashamirësi e Departamentit Amerikan të Shtetit.