Kjo është dita e parë nga konferenca historike për shtyp e kancelares Angela Merkel. Të hënën ajo deklaroi se do të heqë dorë nga posti i kryetares së partisë në dhjetor.
Ajo tha se do të vazhdojë detyrën si kancelare deri në vitin 2021.
Por a është e mundur diçka e tillë? Sipas gazetës Bild, në vitin 2006 kur mori mandatin e parë, ajo deklaroi se mosha e pensionit do jetë 67 vjeç. Ajo e feston 67-vjetorin e saj më 17 korrik të vitit 2021. Fiks për pension.
Por a do e lejojnë që të mbijetojë si kancelare deri në këtë vit? Shanset janë të pakëta. Pasi të heqë dorë nga drejtimi i CDU, ajo do jetë tepër e dobët. Numërimi ka nisur mbrapsht për Gruan e Hekurt.
Askush nuk mund të thotë me saktësi sa do zgjasë numërimi.
Vetë Merkel ishte shprehur në vitin 2004 kur kancelari Gerhard Schroeder dha dorëheqje nga drejtimi i SPD-së se ‘ky është fillimi i fundit të tij’.
Burimet thonë se presidenti i Bundestagut, Wolfgang Schaeuble është kancelari hije.