Emisioni “Java” në RTSH, që transmetohet live çdo te premte nga ora 20”30 deri në orën 22”30 me pjesëmarrjen e përhershme të analistëve Preç Zogaj e Lorenc Vangjeli dhe gazetarit investigativ, Artan Hoxha, diskutoi mbrëmë për zhvillimet në kampin e opozitës dhe me konkretisht për qëndrimet brenda Partisë Demokratike në lidhje me djegien ose jo të mandateve dhe radikalizimi e luftës politike kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Analisti Preç Zogaj tha se “ synimi kryesor i opozitës që është ai i zgjerimit të mbështetjes popullore në funksion të fitores së zgjedhjeve kërkon kombinimin e mjeteve dhe formave të luftës politike, por djegia e mandateve do të ishte vetvrasëse. Radikalizmi në politikë nuk ka lidhje me gjeste të tilla. Radikalizmi mund të shprehet fare mirë edhe në Kuvend, në funksion të çështjeve dhe situatave”. Zogaj mbështeti qëndrimet e Bashës në protestën e së shtunës së kaluar dhe në grupin parlamentar por shtoj se “ PD e ka të domosdoshme të përdorë foltoren e Kuvendit për temat e jetës së përditshme të qytetarëve. Foltorja është ringu, kush fiton me argumente, fiton publikun, tha Zogaj, duke shtuar se parlamenti ka qenë dhe mbetet pedana e opozitave drejt pushtetit”.
“Debati me argumente kërkon deputetë të formuar dhe profesionistë”, tha Lorenc Vangjeli. A ka opozita dhe qeveria deputetë të tillë? pyeti ai. Zogaj u përgjigj se opozita ka një numër të mirë deputetësh të përgatitur që mund të bëjnë diferencën në ballafaqimin e argumenteve, por edhe shumica ka deputetë të zotë, tha ai. Zogaj përsëriti thirrjen e tij në adresë të drejtuesve të PD-së për të hartuar një strategji të fitores, që sipas tij do të kërkonte si një pikë të rëndësishme daljen e PD-së në rolin e forcës kryesore përshpejtuese për implementimin e reformës në drejtësi. duke bashkëpunuar me propozime konkrete me SHBA dhe BE. Kjo është rruga e vetme për të shpëtuar drejtësinë nga kapja politike, tha Zogaj.