Kryeministri Edi Rama ka vendosur të bëjë ndryshime të forta në kabinetin qeveritar, duke vendosur në pozicione të rëndësishme persona pa ndikim në jetën politike.
Qëllimi duket se është që të prodhojë një frymë anti-establishment, duke parë se kjo është ndjenja që po dominon në shoqëri. Teksa po shpërfill partinë e tij dhe po vendos emra të panjohur në qeveri, Rama po kritikohet nga socialistët e vjetër si Arta Dade.
Ajo thotë se është qesharake që Rama të pretendojë se është anti-establishment pasi ka 21 vjet në pushtet.
Kjo nuk e pengon kryeministrin Edi Rama që të vazhdojë rrugën e tij si një ‘Trump’ i politikës shqiptare, siç paralajmëronte gazeta Mapo para disa ditësh.
Nga ana tjetër, ai duket se po rregullon marrëdhëniet me presidentin amerikan, Donald Trump.
Sipas Balkan Insight, Irani po e ndihmon Ramën që të përmirësojë imazhin e tij tek Trump, të cilin Rama e pati kritikuar ashpër përpara se të zgjidhej.
Por a i ka punët kaq mirë Rama me Uashingtonin? Zëri i Amerikës, një media e mbështetur nga Kongresi Amerikan, ka sulmuar mënyrën se si bëhen punësimet nga qeveria dhe partia e Ramës.
Edhe të martën ata vijuan me sulmet, duke thënë se pushimet e padrejta që ka bërë qeveria e Edi Ramës i kanë kushtuar buxhetit mbi 102 milionë dollarë dëmshpërblime.
Kurse Rama nuk vonoi dhe e quajti VOA-n ‘kazan’.