Dy të akuzuarit për videopërgjimin e publikuar nga PD-së për vëllain e Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, pritet të dalin të martën para gjykatës për tu marrë në pyetje. Fredi Alizoti që dyshohet se ka luajtur rolin e Agron Xhafajt dhe gazetari Jetmir Olldashi i akuzuar për moskallëzim krimi do të merren në pyetje nga togat e zeza. I akuzuari tjetër i çështjes, Albert Veliu, ndodhet i arrestuar në Kosovë. I pyetur për këtë çështje, deputeti demokrat Ervin Salianji si denoncues i rastit tha se ka pranuar të përballet me rrezikun për jetën e tij me qëllim denoncimin e trafiqeve.
Gjykata e Krimeve të Rënda pritet të marrë në pyetje dy personat e vendosur nën akuzë nga prokuroria në lidhje me audiopërgjimin e publikuar nga PD për vëllain e Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Fredi Alizoti, i arrestuar që prej datës 6 tetor do të njoftohet për masën “arrest me burg” të vendosur ndaj tij nga gjykata.
Para trupit gjykues do të dalë edhe gazetari Jetmir Olldashi, ndaj të cilit është vendosur masa “detyrim paraqitje” për akuzën e moskallëzimit të krimit.
Ndërkohë pas përgjigjes së ardhur nga laboratori anglez se përgjimi nuk është autentik dhe se biseda është e montuar, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka marrë në në pyetje si person që ka dijeni edhe deputetin demokrat Ervin Salianji.
Por a është në rrezik mandati i Salianjit dhe a është gati ai të hetohet, deputeti demokrat përgjigjet për Ora News.
Ervin Salianji: Unë jam gati për risqe fizike, jo kjo që është një banalitet për të cilin e kam marrë përsipër riskun.
Edhe pse përsërit shprehjen “nuk keni parë gjë akoma”, demokrati nuk heziton të tregojë që përballja me këtë situatë mund t’i rrezikojë atij edhe jetën.
Ervin Salianji: E sigurt është që përballja me mafian nuk është e lehtë, sidomos kur mafia ka jo vetëm zë por ka përfaqësimin në nivelin më të lartë, te Kryeministri.
Albert Veliu aktualisht ndodhet i ndaluar nga policia e Kosovës, pasi kaloi në mënyrë të paligjshme kufirin pas publikimit të audiopërgjimit në Shqipëri.
Si pasojë e publikimit të rastit nga PD, shtetasi Agron Xhafaj paditi Albert Veliun për shpifje dhe më pas u largua duke u vetëdorëzuar në shtetin italian. /Ora News