“Anatomia e një krize financiare” është një vështrim dhe një analizë e thellë e një dekade financiare, periudhës 2008 -2018, si edhe leksione që kanë dalë nga kjo krizë. Ky libër nuk vjen vetëm për lexuesin e specializuar në banka apo financa, por edhe për lexues me interes më të gjerë
Kolanës “Acta Libertas” me një sërë botimesh mbi idetë liberale të shtëpisë botuese UET Press dhe Institutit Europian Pashko , iu shtua sot edhe libri më i ri i ekonomistit të njohur prof. dr. Adrian Civici, njëherazi president i Universitetit Europian të Tiranës.
“Anatomia e një krize financiare” është një vështrim dhe një analizë e thellë e një dekade financiare, periudhës 2008-2018, si edhe leksionet që kanë dalë nga kjo krizë.
Siç shfaqet edhe në kopertinën e tij, ky libër paralajmëron përgjigjen e një pyetjeje themelore se pse kriza u shfaq në formën e një ndeshjeje mes ariut dhe demit, që në simbolikën e Wall Street i pari simbolizon frikën ndaj tregjeve të mëdha, ndërsa i dyti optimizmin dhe shpresën se çdo risk mund të na çojë drejt fitimeve më të mëdha.
“Tregjet financiare fitojnë edhe kur janë në ngjitje, edhe kur janë në zbritje. Investitorët fitojnë edhe kur tregu është dem, edhe kur është ari, ata që humbasin janë investitorët e vegjël, qytetarët dhe masa e madhe e publikut, që janë viktima. Kur flasim për reformim të sistemit financiar dhe anatominë që duhet t’i bëjmë krizës interesi është sesi publiku i gjerë depozitues kursimtar të mbrohet nga kriza financiare” –u shpreh ekonomisti Selami Xhepa, President i Institutit Europian Pashko gjatë ceremonisë promovuese të këtij libri në mjediset e Universitetit Europian të Tiranës, ku morën pjesë një sërë figurash të njohura nga fusha e ekonomisë dhe bota akademike.
Duke u ndalur te rregullimet që ekspertët ndërkombëtarë të fushës janë munduar t’i bëjnë sistemit në kohë krizash, Xhepa theksoi se sot pyetja është nëse është rregullimi ai që çalon apo vetë sistemi ka nevojë për një arkitekturë të re? Për ekonomistët kjo periudhë cilësohet si moment historik. “Për herë të parë po mendohet për të kaluar në një lloj bankingu krejt revolucionar nga ajo që kemi sot, nga frictional banking, shpikja më e madhe nga shekulli i 19-të, për të kaluar edhe njëherë në teorinë tradicionale të bankingut para shekullit të 19-të, në konceptin dhe filozofinë, natyrisht të modernizuar në konceptin dhe filozofinë e shekullit të 21-të”, – tha Xhepa, duke shtuar se megjithëse në Shqipëri ende nuk ka një treg financiar, ajo që çalon sot është rregullimi etik i tregut. Kjo sjell zhvillim të qëndrueshëm të shoqërisë.
I ftuar në ceremoninë e promovimit të librit ishte edhe ish-ministri i Financave Arben Malaj, ekspert i ekonomisë. Duke përgëzuar rolin e Institutit Europian Pashko dhe duke pohuar nevojën që ka për të tillë institucione në universitete dhe qendra kërkimore shkencore me qëllim përmirësimin në hartimin e politikave, Malaj tha se me globalizimin e ekonomisë, e cila ka arritur në shkallën më të lartë, është bërë e vështirë menaxhimi i krizave brenda një vendi apo rajoni. “Krizat globale kërkojnë përgjegjësi dhe bashkëpunim global. Sot është i hapur debati për impaktin që ka Fintech, teknologjitë e reja në industrinë financiare; janë shtuar mundësitë e mashtrimeve financiare, janë shtuar shqetësimet sesi mund ta përmirësojmë edukimin e depozituesve të vegjël dhe investitorëve të vegjël”, –tha Malaj, duke nënvizuar rëndësinë që ka etika e të bërit biznes në krizat financiare.
Civici tha se krizat që kanë shoqëruar periudhën e kapitalizmit numërohen të jenë mbi dyzet. “Në letërsi trajtohen si kokat e Meduzës, që sa pret një kokë brenda 8 ose 10 viteve del një kokë tjetër”.
Civici tha se mes dy titujve të përdorur shpesh në literaturën ekonomike sa u përket krizave mes “autopsisë” dhe “anatomisë”, zgjodhi këtë të fundit edhe për vetë natyrën si është trajtuar libri, ku në themel të tij ka një seri analizash të bëra në revistën “Bankieri”, një ndër më të specializuarat për banka dhe financat dhe një ndjekje e kujdesshme të të gjitha elementeve të lidhura me krizën, që nga institucionet më të larta ndërkombëtare, shtete të veçanta, si edhe një pjesë jo e vogël e librit, zbuloi Civici, i dedikohet reagimit që pati Banka e Shqipërisë, Ministria e Financave dhe institucionet e ndryshme shqiptare për ta përballuar atë.
Ky libër nuk vjen vetëm për lexuesin e specializuar në banka apo financa, por edhe për lexues me interes më të gjerë, ku brenda do të gjejë edhe analiza që kanë të bëjnë edhe me paranë bitcoin, edhe me ‘Bazel 3’ apo ‘Bazel 4’, politikat makropotenciale dhe një sërë elementesh.
“Pjesa e parë e librit është histori; çfarë ishte kjo krizë, e treguar thjesht dhe, të gjitha organet e saj kanë kaluar nëpërmjet një anatomie të kujdesshme për të kuptuar se çfarë është ky organizëm që i shqetëson të gjithë, deri ku shkon forca dhe pamundësia jonë, qoftë si ekonomistë, financierë, intelektualë dhe akademikë për ta parashikuar, parandaluar dhe për të gjetur versione më të mira” –u shpreh Civici, i cili zbuloi për të pranishmit se ideja e këtij libri erdhi më 2009-ën, ndërsa ndiqte një kronikë në televizionin “Euronews” të një takimi që Mbretëresha e Anglisë po zhvillonte me profesorë të London School of Economics.
Mbretëresha dukej e revoltuar me të gjithë profesorët e ekonomisë dhe u tha: “Të paktën të na kishit lajmëruar për këtë krizë që po vinte, nuk kërkojmë më shumë se kaq nga ju”. Dhe një përgjigje që mbeti po aq epike nga një prej profesorëve ishte: “Mos kërkoni nga ekonomistët atë që nuk e kërkoni nga sizmologët. Mund t’i studiojmë krizat, mund t’i parashikojmë, por nuk mund themi se kur mund të shpërthejnë dhe aq më pak nuk mund të rrimë pa debatuar se cilat janë rrugët më të mira për të dalë prej tyre”.