Shpellarë, alpinë dhe zaptues! A ka një problem kryeministri Edi Rama me veriorët? Nëse i referohesh një shkrimi të gazetarit kosovar, Berat Buzhala, po. Buzhala flet për etiketimin që u bën Rama gazetarëve, duke i quajtur Kadrinj.
Më poshtë pjesë nga shkrimi i Buzhalës, që u bë viral edhe në median shqiptare.
-Për lexuesit nga Kosova duhet ta sqaroj se kryeministri shqiptar, Edi Rama, i ka kategorizuar shqiptarët në kadrinj dhe jokadrinj. Kadriu në librat e Ramës është një person i pagdhendur, malok, i keq, i parruar, i pambajtur, i paveshur, dhe çdo gjë tjetër që e ka një “pa” përpara. Pse Rama e ka zgjedhur për protagonist Kadriun, e jo ta zëmë Stefanin, a Dhimitrin, kjo është një mesele në vetvete. Kadri është një emër mysliman, që gjendet kryesisht në pjesën verilindore të Shqipërisë, e posaçërisht edhe në Kosovë. Madje, në Kosovë është edhe një Kadri mjaft i njohur – kryetar i Kuvendit. Madje, protagonisti fillestar i Ramës quhej saktësisht Kadri Veseli, ashtu sikur edhe quhet kryetari i Kuvendit të Kosovës. Për Ramën, Kadriu, Hasani, Muhameti, Ibishi dhe të tjerët që i kanë emrat e vjetër myslimanë stereotipizohen si anakronik.
-Kadrinjtë janë barbarët, ose plebenjtë, kurse jokadrinjtë janë qytetarët, ose patricët. Ironikisht këtë ndarje Rama është kujdesur ta bëjë edhe në mënyrë praktike gjeografike, përmes oligarkëve të tij. Kadrinjtë, në kokën e Ramës, fillojnë aty ku e ka vënë traun Shefqet Kastrati. Kadrinjtë, për t’u futur në qytetërim i paguajnë oligarkut të Ramës nga 5 euro. Me shumë dëshirë Rama do ta bënte këtë 50 ose 500 euro. Ose edhe me më shumë dëshirë do ta bënte që të mos blihej fare hyrja në civilizim. Ose ke lindur ose nuk ke lindur i qytetëruar. Mirëpo, djallëzia prapa kësaj ndarjeje që e bën Rama është politike. Të gjitha ata intelektualë, gazetarë, njerëz të pavarur, që janë kundër konceptit të Rilindjes së Ramës, prej këtij të fundit diskualifikohen në mënyrë pezhorative me cilësorë të ndryshëm. Ata fillimisht quheshin kazanë, kurse tash Rrotë Kadri, ose thjesht Kadri.
-Në këtë shoqërinë e shtresës së muzhikëve, Rama dukej qartazi që më së shumti ishte i mllefosur me Fatos Lubonjën dhe Andi Bushatin. Këta të dy, sipas logjikës së Ramës, do të duhej të zinin vend në pjesën gjeografike poshtë traut të Shefqet Kastratit. Lubonja dhe Bushati, edhe nisur nga emrat, edhe nga mbiemrat, e edhe nga ajo çfarë përfaqësojnë, sipas logjikës së Ramës do të duhej të ishin te aristokracia e gazetarisë. Këta të dy ia prishin Ramës matematikën. E kaluara e tyre nuk është berishiste. Ata kanë bërë më shumë sesa Rama për ta larguar Berishën nga pushteti dhe nuk mund t’i etiketojë si militantë të verbër të PD-së. E çka është edhe më e rëndë, për Ramën, nuk janë veriorë. Kjo shkon kundër rregullave dhe stereotipizimeve të tij. Ata Rama do të kishte dëshirë t’i rreshtonte në një vijë me aristokratët e Topit, Klanit dhe Vizionit, që të mbetej ballë për ballë me Cim Pekën, Fahri Kadri Balliun, ose Balli Kadri Fahriun, ose Kadri Fahri Balliun. Prandaj Rama u tërbua kur i dolën në ekran fotografitë e Lubonjës dhe Bushatit. Këta të dy kryeministri i Shqipërisë i konsideron tradhtarë dhe dezertorë në betejën e tij kundër prapambeturisë. Janë delja e tij e zezë.
Kurse unë, në mënyrë meritore gjendesha te kampi i kadrinjve. Mjaftonte që Kosova e kishte një përfaqësues në “business class”, Batonin, që është me prejardhje nga gjentilët e Drenicës.
vetem se andi paveresisht se cun Tirone, gjakun e ka prej Shkodret.