Antropologjia si kërkimi i një jete

Nga Tonin Gjuraj

Libri i ri i prof. Aleksandër Dhimës u destinohet kryesisht studentëve të të tria cikleve (BA, MA, DR), si ndihmesë në përgatitjen e diplomave respektive në kuadër të programeve Sociologji-Antropologji Sociale të Universitetit Europian të Tiranës, por edhe më gjerë.



Nga ana tjetër, për nga tematika gjithëpërfshirëse në fushat e ndryshme të studimeve antropologjike, libri besoj se do të ketë interes jo vetëm për antropologët shqiptarë, por edhe për studiuesit e tjerë të shkencave albanologjike: historianë, arkeologë, etnografë, gjuhëtarë, gjeografë etj., si dhe për një rreth më të gjerë të sociologëve dhe sferave vendimmarrëse e publicistike.

Kjo përmbledhje punimesh përfshin një hark kohor prej vitit 2011 deri në vitin 2018, periudhë në të cilën autori ka qenë titullar i lëndëve të Antropologjisë Social-Kulturore në UET. Njëkohësisht, ai është dalluar për ekspertiza të vlefshme në implementimin e teorive klasike dhe bashkëkohore për analizën e treguesve social-kulturorë lokalë: në ecurinë e normave dhe vlerave në shoqërinë shqiptare në tranzicion; “prerjen” etnoantropologjike të shqiptarëve; evolucionin dhe kontrollin e sistemeve politiko-shoqërore në rrafsh kohor dhe rajonal; mënyrat e reja të komunikimit ndërkulturor; gjymtyrët funksionale të ligjit dhe perspektivat alternative të kontrollit social; pasojat e globalizmit kulturor në rrafsh vendor e rajonal; alternativat e përzgjedhjes së studentëve për drejtimin sociologjik-antropologjik, sipas kërkesave të reja të tregut të punës etj.

Këtë produkt shkencor shumëdimensional, autori e ka ravijëzuar, siç është parathënë në titull, në disa rubrika: studime, projekte kërkimore, ese, recensa dhe intervista, pjesa më e madhe e të cilave janë botuar në revistat shkencore të specialitetit dhe në shtypin elitar të kohës.

Në rubrikën “Studime”, autori përfshin së pari ndihmesën e Shkollës së Çikagos në shpjegimin e mekanizmave të ekologjisë humane për ndërveprimin midis individëve në një bashkësi urbane ose të urbanizuar, çka prek drejtpërdrejt realitetin shqiptar të ditëve të sotme. Nga teoritë dhe modelet e shumta që ofron, kjo Shkollë ka përpunuar një grup termash me sfond ndërdisiplinor, ku artikulohet më mirë gjetiu parimi se “shoqëria është, në thelb, komunikim”. Me qasjet e saj, “sociologjia e Çikagos” ka dhënë gjithashtu një mesazh të qartë shoqëror e politik: Mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët, në mënyrë që ata të marrin pjesë aktive në vendosjen e kushteve të përbashkëta jetësore.

Në qasjet antropologjike mbi marrëdhëniet e individit me shoqërinë shqiptare të tranzicionit, autori analizon së pari, raportin midis shoqërisë / komunitetit dhe individit, që po bëhet gjithnjë e më tepër mekanik sesa organik, meqenëse lidhjet ndërpersonale e ndërgrupore brenda hapësirës sonë shoqërore po duken më pak të drejtpërdrejta e intime dhe më të shpërndara. Më tej trajtohen marrëdhëniet kulturore të individit me shoqërinë shqiptare në kushtet e sotme social-politike. Sipas autorit, shoqërisë shqiptare nuk i duhen eksperimente false apo imitime të deformimeve që vijnë nga ekstremet e modernitetit, por një raport koheziv midis njeriut të përveçëm, me synime dhe ambicie personale të natyrshme, me shoqërinë, të cilën ai duhet ta ridimensionojë nga pikëpamja sociale.

Në studimin mbi marrëdhëniet kulturore të individit me shoqërinë shqiptare në kushtet e sistemit politik aktual, autori, si ligjërues i Antropologjisë politike, merret kryesisht me vlerësimin e kulturës politike demokratike, nën optikën e një retrospektive të lidhjes së saj me pushtetin. Aty identifikohen konceptet mbizotëruese të autoritetit (barazitar, nënshtrues, respektues), që ndikojnë dukshëm në vlerësimin e kësaj kulture. Ndërsa shtetasit respektues janë të prirur t’u japin elitave liri të gjerë veprimi, këto të fundit bëhen më të përgjegjshme për të qeverisur dhe meritojnë besueshmëri deri atëherë kur efekti tërësor i politikave të tyre në interes publik është i justifikueshëm. Kjo paradigmë kombinon, sipas autorit, vlerën demokratike të llogaridhënies Me interes të veçantë në libër më duket trajtimi antropologjik i triadës etnikombnacionalizëm, një temë kjo që prek së pari, gjuhën, traditën kulturore, mënyrat specifike të komunikimit etj., të cilat përbëjnë “tharmin” e një kombi që nuk mund të “shpiket”. Lidhur me identitetin etnik, autori qëndron i palëkundur ndaj karakterit parësor të tij, meqenëse kjo atù është ngulitur thellë në memorien / përvojën kolektive, përndryshe do të ishte një “shtojcë” ad hoc e strategjive politike. Më tej, autori ndalet në dy format relativisht të dallueshme të nacionalizmit, atij shtetëror dhe etnik, duke e ilustruar me shembuj “të gjallë” nga historia e dikurshme dhe e sotme e kombeve. Së fundi, autori ndalet tek interpretimi antropologjik i konflikteve të sotme etnike, të cilat kanë të përbashkëta disa tipare sociale: konkurrencën mbi burimet natyrore, pengesat në modernizim, vetërekrutimin grupor mbi bazën e lidhjeve farefisnore, evokimin e imazheve të së kaluarës, simbolizmin politik dhe retorik etj.

Një studim tjetër interesant, sipas mendimit tim, është ai që ka të bëjë me normat dhe vlerat kulturore të shqiptarëve në perspektivë krahasuese. Aty trajtohen së pari, normat tradicionale të llojit tabu dhe ato kanunore, falë të cilave merrnin zgjidhje të gjitha problemet shoqërore, ekonomike e politike, kulturore e administrative në kushtet e vetëqeverisjes vendore, mandej normat zëvendësuese që synonin të diktonin respekt, deri në përulje, ndaj sistemit socialist. Në sferën e vlerave merren në analizë krahasuese ato të dy periudhave më të vona, asaj diktatoriale dhe të zgjimit demokratik mbas viteve ’90. Te kreu Veçori të gërshetimit të vlerave kulturore shqiptare me vlerat perëndimore, kolegu dhe antropologu Dhima identifikon së pari, ngjashmëritë dhe mandej dallimet. Në grupin e parë, ai rreshton: racionalizmin, mbështetur në mënyrën e të shkruarit dhe të menduarit; kontekstin e ulëtkomunikues, si me thënë të shprehurit “troç” të mendimeve; karakterin endemik të formimit psikokulturor; bujarinë dhe sinqeritetin. Megjithatë, autori është i mendimit se kultura shqiptare nuk ofron ende një “filtër” të mirëfilltë ndarës mes kulturës perëndimore e asaj lindore. Dhe, si shembuj të pranisë së elementeve lindore, ai përmend dikotomitë shpirt konkurrues vs. humanizëm dhe aktivitet në punë vs. dinjitet vetjak.

Për sa u përket paragjykimeve ndërkulturore, te shqiptarët e sotëm vërehen, sipas autorit, kryesisht konflikti i brezave dhe stereotipat gjinore, me një ngarkesë të lartë negative ndaj grave dhe vajzave, të cilat vazhdojnë të ndiejnë trysninë e dyfishtë të paragjykimeve të tilla. Këto dukuri sociale, sipas Dhimës, kanë të bëjnë me sfondin e një shoqërie me bazë rurale, tradicionale dhe tepër familjare; shoqëria shqiptare, sipas tij, ka nevojë për një kalim gradual të roleve sociale nga njëri brez te tjetri, duke institucionalizuar çdo shkallë emancipimi, duke iu shmangur ndryshimeve të bujshme të martesës, tabusë së seksit apo garës moshore për statusin social.

Në studimin e fundit Globalizimi kulturor dhe komunikimi global, një vend të veçantë zë globalizimi i mediave, si një ndër faktorët më të rëndësishëm që përcaktojnë botën e sotme. Në këtë kuadër jepen disa mendime me vlerë për të ardhmen e politikës mediatike në Shqipëri, meqenëse impakti i përfytyrimeve globaliste në mjedisin mediatik shqiptar është një çështje me theks aktual. Me gjithë disa arritje mbresëlënëse që përmenden në libër, si përvetësimi i shpejtë i risive në teknologjinë e informacionit, zbatimi i platformës digjitale, licencat për sistemet e reja 3D, shtrirja e rrjetit kompjuterik në shkolla dhe në administratë etj., mbetet ende shumë për të bërë, sidomos në drejtim të përmbajtjes së kumtit globalistik që realizojnë mediat vendase, të cilat, për shkak të pranisë ende të një deformimi elitar dhe urban, i ka shndërruar shqiptarët në konsumues pasivë të informacionit dhe i detyron ata t’i binden, pa ndonjë rezistencë përzgjedhëse, “erës globale” të komunikimit.

Në pjesën e dytë të librit janë riprodhuar (në formë të përmbledhur) disa projekte kërkimore, të miratuara nga Komisioni Shkencor pranë Zyrës së Projekteve në Universitetin Europian të Tiranës në tetor 2015‒2017.Personalisht mendoj se ato përbëjnë një model, në radhë të parë të karakterit metodologjik, se si mund të shkruhet një projekt shkencor nga studiuesit e rinj në fushat e shkencave sociale dhe humane.

Për sa i përket kontributit shkencor dhe impaktit të këtyre projekteve kërkimore, unë mund të veçoj disa arritje: së pari, ato janë shkruar për të sensibilizuar institucionet e specializuara dhe opinionin e gjerë shkencor në vend për mundësitë reale të zbatimit të metodave / modeleve të reja në degë të ndryshme të shkencave albanologjike, sociale dhe të komunikimit; së dyti, analiza vrojtuese dhe produkti shkencor i tyre përbëjnë dokumente të rëndësishme për një database, pronë e Universitetit Europian të Tiranës, por që mund të vihet në dispozicion të studiuesve / institucioneve të tjera të interesuara për kërkimin shkencor në fushat përkatëse; së treti, analizat në kuadër të këtyre projekteve evidentojnë UET-in si qendër burimore në drejtim të publikimit të të dhënave të mbledhura në terren dhe në kabinet, që mund të përditësohen nga studiuesit e rinj në mënyrë periodike; së katërti, mbështetja e UET-it për studime të kësaj natyre dhe për shpërndarjen e tyre në të gjitha grupet e interesit do të përbënte një shembull konstruktiv edhe për universitetet e tjera, publike dhe private, në përmbushjen e misionit të tyre për vënien e shkencës në funksion të zhvillimit të mëtejshëm social-kulturor të vendit.

Në pjesën e tretë të librit bie në sy, para së gjithash, vështrimi i mprehtë dhe herë-herë kritik i autorit mbi arritjet e antropologjisë shqiptare dhe mbi natyrën njerëzore sipas vlerave klasike dhe bashkëkohore të Socialdemokracisë. Në ese e parë theksohet fakti që antropologjia shqiptare pati “fatin” të niste një rrugëtim të vështirë dhe relativisht të ngadaltë, deri-diku të kufizuar në tematikë dhe hera-herës të paragjykueshëm në metodë, sepse duhej t’i përshtatej ideologjisë mbizotëruese të kohës. Ndërsa në esenë e dytë analizohet natyra njerëzore sipas principeve klasike dhe bashkëkohore “të mesit të artë”, duke e cilësuar SPD-në gjermane si një modul ndërkombëtar të mundshëm për politikën ndërkombëtare shek. XXI.

Një ese interesante lidhet me parathënien e botimit të prof. dr. Ylljet Aliçkës Komunikimi dhe kultura; imazhi në veprim. Mënyra me të cilën komunikon autori i botimit në një kontekst kulturor të kultivuar, përforcon identitetin kulturor prej shqiptari. Kolegu Dhima mendon se shfrytëzimi i trashëgimisë proverbiale nga retorika politike ka pasur një impakt të vërtetë ndër shqiptarët, të cilët i konceptojnë ngjarjet dhe përvojat gjatë jetës së tyre mbi bazën e një organizimi konjitiv ende defektoz, nisur nga një pragmatizëm fals, që nuk i lejon të shohin përtej së kaluarës, d.m.th. se si mund të modifikohej më vonë (në të tashmen dhe në të ardhmen) perceptimi nga ky lloj “strukturimi” i deritanishëm.

Recensat janë pjesë integrale e një studiuesi të afirmuar. Në pjesën e katërt të librit janë (ri)botuar disa nga recensat e viteve të fundit, të prezantuara në institucione shkencore prestigjioze të vendit, ose të botuara në revistën Polis, si organ i specializuar i UET-it për Shkencat shoqërore dhe të Edukimit, si dhe në revistën Iliria të Institutit Arkeologjik pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike.

Në recensën e librit të dr. Nebi Bardhoshit Gurët e kufinit analizohen disa nga përparësitë e veprës: njëjësimi i metodës së kërkimit në rrafsh kombëtar / rajonal; trajtimi i institucionit të së Drejtës në këndvështrim antropologjik; analiza e binomit pronë / familje, si dy entitete organikisht të ndërvarura; kultura e pronësisë etj., të cilat vendosin një “gur themeli” në konceptimin antropologjik të strukturave sociale vendase në kontekste historiko-kulturore të caktuara.

Triptiku Epirot” i dr. Arsim Spahiut ka “zgjuar” vëmendjen e Aleksandër Dhimës, për shkak se autori, pa qenë antropolog, ka hyrë në analizën e materialit eshtëror të periudhave të ndryshme historike për të justifikuar “prejardhjen pellazgjike” të popullit shqiptar. Në punim ka të dhëna interesante, por ato presin mendimin e kualifikuar të specialistëve të fushës, kur vjen puna për të marrë në konsideratë materialet faktike nga vendi dhe për t’i trajtuar me sy kritik disa autorë të huaj.

Nën këtë optikë trajtohet edhe recensa mbi punimin antropologjik të dr. Luc Bouchet mbi Evolucionin e popullsisë së Shqipërisë Veriore, midis fundit të Antikitetit dhe fillimit të epokës Otomane, botuar në Proceedings of the International Congress of Albanian Archaeological Studies dhe botuar si recensë shkencore te revista Iliria. Autori i kësaj recense është i mendimit kundër për “bashkësinë skeletore” të varrezës, që do t’i takonte me gjasme karakterit “të përzier” të bartësve të Kulturës së Komanit. Sipas autorit të kësaj recense, shumica e etnologëve, arkeologëve dhe antropologëve të hershëm (prej fillimeve  shek. XX) e kanë “ngarkuar” këtë kulturë vendase të Mesjetës së hershme me një histori kulturore “të kopjuar” nga skemat e vjetra, që nuk dinë të “kapen” veçse në eventualitetin e pranisë së domosdoshme të të ashtuquajturave “popullsi barbare”.

Me një “guxim” shkencor (nuk e mendoj këtë term, veçse si një motiv dashamirës për shkencëtarët e rinj të vendit), autori Dhima përballet në këtë pjesë të librit me personalitete të shkencës antropologjike, si prof. Pierfranco Bruni, i cili merr përsipër të sqarojë Shqiptarinë midis modeleve antropologjike. Me përfshirjen e problematikës mbi grupet e gjakut te monografia e tij e fundit Antropologjia etnike e shqiptarëve, ai vërteton se modeli antropologjik arbëresh gjen indicie të natyrave të ndryshme, që nga peizazhi etnokulturor, shqipja e gjallë” në shtatë krahina të Italisë, ndjenja komunitare e fortë dhe afritë në strukturën hemotipologjike, çka i dallon bindshëm arbëreshët nga grupet e tjera aloglote dhe nga grup-popullsitë italiane të zonave përkatës.

Pjesa e pestë e librit u kushtohet intervistave të përzgjedhura mbi profilin e një antropologu, debateve publike mbi dallimet historiko-kulturore midis dy “pilarëve” të kombit shqiptar dhe për mundësitë e studimit në shkencat sociale dhe humane.

Çështjet themelore që shtrohen aty kanë të bëjnë me: nevojën për studime universitare në shkencat sociale; perspektivën e programeve në këto shkenca, lidhur me mundësitë reale të tregut të punës për punësim sipas këtij profili; disa pikëpamje personale mbi reformën e arsimit të lartë. Sipas autorit, ka ardhur koha për të përqafuar përfundimisht sistemin anglosakson të formimit universitar, sepse në bazë të tij qëndron konkurrueshmëria, që çon detyrimisht në rritjen e cilësisë së sistemit arsimor. Autori e mendon formimin arsimor të studentëve sipas “sistemit me dy kahe” dhe kthimin e universitetit në qendër ekspertize.


Fatal error: Uncaught ___C_0: (E_ERROR) Trying to access array offset on value of type bool in /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/js/tinymce/skins/wordpress/images/formatting.config:252 Stack trace: #0 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(13): ___C_5->_errorHandler(2, 'Trying to acces...', '/home/gazetamap...', 13) #1 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(17): JNews\Module\Block\Block_9_View->get_demo_style() #2 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(74): JNews\Module\Block\Block_9_View->get_image_size() #3 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(63): JNews\Module\Block\Block_9_View->build_column(Array, 'jeg_col_2o3') #4 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(47): JNews\Module\Block\Block_9_View->render_column(Array, 'jeg_col_2o3') #5 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/BlockViewAbstract.php(17): JNews\Module\Block\Block_9_View->render_output(Array, 'jeg_col_2o3') #6 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/ModuleViewAbstract.php(165): JNews\Module\Block\BlockViewAbstract->render_module(Array, 'jeg_col_2o3') #7 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Single/SinglePost.php(1265): JNews\Module\ModuleViewAbstract->build_module(Array) #8 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Single/SinglePost.php(205): JNews\Single\SinglePost->related_post(false) #9 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php(307): JNews\Single\SinglePost->related_post_hook('') #10 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php(331): WP_Hook->apply_filters(NULL, Array) #11 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/plugin.php(474): WP_Hook->do_action(Array) #12 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/fragment/post/single-post-1.php(66): do_action('jnews_single_po...') #13 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template.php(772): require('/home/gazetamap...') #14 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template.php(716): load_template('/home/gazetamap...', false, Array) #15 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/general-template.php(204): locate_template(Array, true, false, Array) #16 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/single.php(16): get_template_part('fragment/post/s...') #17 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template-loader.php(106): include('/home/gazetamap...') #18 /home/gazetamapo/public_html/wp-blog-header.php(19): require_once('/home/gazetamap...') #19 /home/gazetamapo/public_html/index.php(17): require('/home/gazetamap...') #20 {main} thrown in /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/js/tinymce/skins/wordpress/images/formatting.config on line 252