Kur kanë mbetur vetëm pak ditë nga derbi i kryeqytetit, kapiteni i Partizanit, Alban Hoxha, në vend që të ishte në fushat e stërvitjes, e sheh veten në qeli. Shkak për këtë është bërë një pakujdesi e tij për t’i dhënë makinës, edhe pse kishte konsumuar alkool më shumë se norma e lejuar. Portieri i të kuqve është arrestuar dje në orët e para të mëngjesit në afërsi të Parlamentit, në rrugën “George W. Bush”, në Tiranë.
Shërbimet e Policisë Rrugore, të cilët çdo fundjavë organizojnë pika kontrolli për parandalimin e aksidenteve, mes shumë makinave që kanë ndaluar për kontroll, i kanë nxjerrë tabelën edhe automjetit që drejtohej nga 31-vjeçari Alban Hoxha. Pasi i kanë bërë të qartë arsyen e ndalimit dhe e kanë pyetur paraprakisht nëse kishte konsumuar alkool apo jo, efektivët e Qarkullimit kanë vendosur që t’i bëjnë testin e alkoolit. Burime nga Policia e Tiranës thanë se nga matja e nivelit të alkoolit me aparaturën “Drager”, ka rezultuar se portieri i Partizanit e kishte “shkelur” me pijet alkoolike.
Niveli i alkoolit, në të dy provat me test, ka rezultuar 0.52 miligramë për litër. E thënë ndryshe 0.22 miligramë për litër më shumë sesa niveli maksimal i lejuar për të drejtuar makinën, që është 0.30 miligramë për litër, shkruan Panorama. Në këto rrethana, Alban Hoxhës i është bërë e qartë nga efektivët Rrugorë që do të shoqërohej në Polici, për veprën penale “Drejtim i automjetit në gjendje të dehur apo pa dëshmi”, parashikuar nga neni 291 i Kodit Penal. Burimet thanë se kapiteni i Partizanit nuk ka bërë rezistencë, por ka dalë menjëherë nga automjeti, siç i është kërkuar dhe më pas është shoqëruar në drejtim të ambienteve të Komisariatit nr.1.
Pas konsultimit me prokurorin e gatshëm, ndaj tij është marrë masa e arrestit në flagrancë dhe do të qëndrojë në qelitë e paraburgimit derisa të dalë para Gjykatës së Tiranës për t’u njohur me masën e sigurisë. Sipas procedurave standarde, një i arrestuar njihet me masën e sigurisë 48- 72 orë pas ndalimit e në këtë formë, Hoxha pritet që të dalë të martën para togave të zeza. Me shumë mundësi, Alban Hoxha nuk do të qëndrojë më shumë se 2 ditë në qeli, pasi vepra penale për të cilën akuzohet është kundërvajtje penale dhe mund të dënohet edhe me gjobë.