TIRANË Për rreth 90 minuta, ambasadori i ShBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu, dhe kryetari i PS-së, Edi Rama, zhvilluan dje një takim në selinë rozë. Ndryshe nga herët e tjera, si Arvizu ashtu edhe Rama kanë qenë të hapur për të bërë publik objektin e takimit. Pas bisedës, ambasadori amerikan në Tiranë deklaroi për mediat se një ndër temat kryesore të bisedimeve ishte edhe zgjedhja e Presidentit të ardhshëm të Republikës, një proces ky i lidhur ngushtë dhe me emërimin më pas të kryeprokurorit dhe kreut të Shërbimit Sekret. “E kam thënë edhe në të shkuarën përpiqem t’i qëndroj larg termit president konsensual, sepse ky term specifik nënkupton gjëra të ndryshme për njerëz të ndryshëm. Por më pëlqen të përdor atë term që unë e kam përdorur më herët, që ka të bëjë me konsultime aktive mes palëve kryesore të interesuara. Roli i Presidentit është shumë i rëndësishëm për vendin tuaj. Është me rëndësi edhe në arenën ndërkombëtare, për ShBA-në dhe anëtarët e tjerë të BE-së. Gjithashtu edhe për rolin e Presidentit që ai luan në përzgjedhjen e drejtuesve të institucioneve të pavarura, siç janë Prokurori i Përgjithshëm apo kreu i Shërbimit Informativ Kombëtar. Prandaj është shumë e rëndësishme që të vendosen në këto pozicione kyçe njerëz me integritet në këto institucione shumë të rëndësishme. Për sa kohë që ne mund të flasim shumë gjatë për reformën në këto institucione, por kur nuk ka persona me këtë integritet do të ishte qesharake që ne të flisnim për këtë reformë. Është koha për t’u larguar larg farsave dhe mund të ecim në rrugën e vërtetë të reformave për këtë vend, prandaj është e një rëndësie të veçantë zgjedhja e këtyre njerëzve në këto pozicione”,- tha Arvizu për mediat. Ambasadori amerikan zbardhi edhe një tjetër temë të diskutuar që lidhet me një vizitë të mundshme të kryetarit të opozitës, Edi Rama, në Washington. “Ne biseduam për shumë gjëra, si për sesionet që po zhvillohen në Parlament, që kanë të bëjnë me reformën zgjedhore, shqetësimet për papunësinë dhe situatën ekonomike në vend, për vizitat e tij në Preshevë, Maqedoni dhe Kosovë. Gjithashtu folëm edhe për një çështje që kemi biseduar edhe më parë, e cila ka të bëjë me një vizitë të zotit Rama në ShBA, për të cilën folëm parimisht. E pyeta atë në lidhje me këndvështrimin e tij që lidhet me zgjedhjen e Presidentit të ardhshëm. Folëm edhe për kursin e hetimeve të 21 Janarit” , – tha Arvizu. Në anën tjetër edhe kryetari i PS-së, Edi Rama, ka komentuar rreth bisedës së zhvilluar në blogun e tij në Twitter: “Rreth 90 minuta me ambasadorin Arvizu. Për papunësinë, reformën zgjedhore, sfidën e një Presidenti të të gjithë shqiptarëve e padyshim 21 Janarin”.