Pas dorëzimit ditën e djeshme në polici, Klement Balili do të dalë nesër para gjykatës së Krimeve të Rënda, pasi do të verifikohen veprimet hetimore të prokurorit dhe kushtet e ndalimit. Liljana Muça zgjidhet gjyqtarja që do të shqyrtojë çështjen e tij. Muça u zgjodh pas hedhjes së shortit.
Balili, i konsideruar nga mediat greke si “Eskobari” i Ballkanit, u dorëzua në polici një ditë më parë.
Dorëzimi i tij u bë pas negociatave ku u përfshinë avokati i tij Theodhori Sollaku, drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu si dhe nipi i tij, i cili mban dhe postin e kryetarit të bashkisë Delvinë, Rigels Balili.
Vetë kreu i policisë Ardi Veliu shkoi në Delvinë për të ekzekutuar masën e sigurisë ‘arrest me burg” dhënë nga gjykata. Ndërkohë në mesditë Balili u transferua në Tiranë i shoqëruar nga drejtues të lartë të policisë së shtetit dhe eskortë me policë civilë.
Gjykata pritet që të vendosë masën burg pa afat për ‘’Eskobarin e Ballkanit”, i cili shumë shpejt pritet që të përballet me akuzat, pasi dosja është dërguar në gjykatën e Krimeve të Rënda për gjykim.
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka ngritur katër akuza për Balilin. Ai do përballet në gjykatë me akuzën e Trafikimit të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim në formën e Grupit të strukturuar kriminal, “Pjesëmarrje në Grupin e Strukturuar Kriminal”, “Refuzim për deklarimin e pasurisë” pranë ILDKPI dhe “Pastrim i Produkteve të Veprës penale”