Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ishte edhe sot në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, pas padisë që dorëzoi ditën e djeshme në ngarkim të kryedemokratit Lulzim Basha, deputetit Ervin Salianji dhe ish-policit të PD, Florenc Hoxha.
Pasi ka dalë nga ambientet e Krimeve të Rënda, Balla ka folur për gazetarët dhe ka thënë se sot ka bërë të gjitha deklarimet e nevojshme për shpifjet që sipas tij, PD ka hedhur drejt tij.
“Dua t’ju them që në vijim të përpjekjes për të zbardhur morinë e shpifjeve, isha këtu, tek Prokuroria e Krimeve të Rënda, për të dhënë deklarimet e domosdoshme që sqarojnë të gjitha shpifjet e hedhura drejt personit tim. Thashë tek Prokurori se Alizotin se kam takuar asnjëherë, dhe se ky njeri s’ka patur asnjëherë kontakt , kurrë, as verbalisht me mua”.
“Dua të shpjegoj se unë kam bërë një kallëzim penal për kallëzim të rremë dhe shpifje të kryer në bashkëpunim, për Lulzim Bashën, Ervin Salianjin dhe Florenc Hoxhën. Besoj se kallëzimi im do t’i kalojë prokurorisë së Tiranës, sepse klasifikohet si vepër më e lehtë dhe hetohet nga prokuroria e Tiranës”.
Padia e Ballës vjen pas videos “Babale 2”, ku shfaqet shtetasi Fredi Alizoti, të cilin e intervistoi Florenc Hoxha dhe e publikoi deputeti Ervin Salianji.