BOTIMI I UET-PRESS
Nga Arben Llalla
-Pjesë nga libri ‘Kolaboracioni dhe Genocidi në Çamëri/ 1944-1945’
Napoleon Zerva lindi më 1891, në Artë të Çamërisë-Epiri i Jugut. Pasi mbaroi shkollën ushtarake si oficer ushtrie u caktua të shërbente në Greqinë e Veriut. Pas Luftës së Parë Botërore fitoi gradën Major dhe më tej politikisht ju bashkua grupit Republikan të Elefteros Venizelos.
Gjatë kohës që kryetar i Greqisë ishte gjeneral Teodor Pangallos, Zerva shërbeu si komandat i gardës së tij. Më tej mori pjesë në puçin ushtarak kundër Pangallosit në Gusht të 1926. Pas grushtit ushtarak për rrëzimin e Theodhor Pangallos erdhi kryeministër i Greqisë, Gjeorgjio Konduli (Gusht 1926). Kryeministri Kondulis kërkoi të çarmatosë dhe të shpërndajë Gardës Republikane. Betejat e përgjakshme u zhvilluan në Athinë mes batalionit të Napoleon Zervës dhe forcave qeveritare. Pas humbjes së tij, Zerva u dënua me burgim të përjetshëm. Por pas dy viteve më vonë, u krijua qeveria republikane me Kryeministër Eleftherios Venizelos (1928-1932), e cila amnistoj Napoleon Zervën duke e nxjerrë në pension me gradën nënkolonel.
Shihet se Napoleon Zerva, gjithnjë ka qenë pranë personaliteteve shtetërore që vinin nga familje me rrënjë shqiptare dhe që e flisnin gjuhën shqipe në rrethin e ngushtë familjar, gjeneral Teodor Pangallo i cili ishte kryeministër dhe kryetar i Greqisë 1925-1926, dhe Kryeministri Gjeorgjio Konduli. Këto dy personalitete në shënimet e tyre kanë pranuar se gjaku i tyre është shqiptar dhe e flisnin mirë gjuhën shqipe. Ka mundësi që Napoleon Zerva ta dinte gjuhën shqipe pasi ishte me origjinë nga Arta që dikur banohej nga shqiptarët, por që u asimiluan shumë shpejtë falë kishës ortodokse dhe presioneve shtetërore.
Gjatë regjimit të Metaksas, 1936-1941, Napoleon Zerva ishte akuzuar se bashkëpunonte me shërbimin e fshehtë gjerman, dhe ishte burgosur. Pasi gjermanët erdhën në Greqi, Prill, 1941, Napoleon Zervën e lirojnë nga burgu. Më tej filloi të organizonte forcat e djathta greke, por arrestohet nga italianët. Me ndërhyrjen e prof. Nikolaos Luvaris, atë e lirojnë. (Nikolaos Luvaris ka qenë pro gjerman dhe ministër i Fesë dhe Arsimit në qeverinë e Joani Rallis, (1943-1944). U dënua me 5 vjet burg si bashkëpunëtor i gjermanëve dhe u lirua më 1949). Në 9 shtator 1941, Napoleon Zerva bashkë me Leonidha Spais nga Arta, Ilia Stamatopulo dhe Mihail Miridhaqi themelojnë EDES – Δζληθός Γεκοθραηηθός Διιεληθός ύλδεζκος- Lidhja Kombëtare Republikane Greke. Nga të gjitha dokumentet, gazetat e kohës, do shohim se ushtria e Zervës, EDES, përbëhej nga mercenarë, plaçkitës, të cilët nuk bënin dallime fetare apo etnike kur ishte në pyetje grabitja e pasurisë së popullsisë të pambrojtur, qofshin ata shqiptar apo grek. Nga kërkimet e mia mund të identifikoj se në ushtrinë EDES që vepronte në Çamëri dhe që gjendeshin gjithnjë pranë Napoleon Zervës ishin klerik ortodoks si: Mitropoliti i Paramithisë, Dhorotheos, prifti Serafeim që pas lufte do bëhej Mitropolit dhe Kryepeshkop, dhe Spiros Zafeiris i cili u vra gjatë luftës midis EDES dhe ELAS, në janar 1944. Nga shënimet e vetë Napoleon Zervës shkruan se në Epir gjatë pushtimit italian e vetmja shtëpi që u dogj ishte ajo e babait të tij sepse shërbente si seli e kryetarit të EDES. Më tej Zerva tregon se gjatë urisë së zezë që kapi Greqinë 1941-1942, ai bashkë me vëllanë e tij, Alekos Zervas bashkëpunonin me italianët dhe me kamionët e tyre dërgonin në Athinë për të shitur në tregun e zi ushqime të klasës së pasur të atjeshme. Një të diel marsi 1942, ranë kambanat e qytetit të Artës dhe u dëgjuan thirrjet: “O njerëz tregtarët e tregut të zi po na vjedhin ushqimet prandaj dilni nëpër rrugë për të protestuar”.
Më vonë u mësua se një kamion të madh me ushqime Perikli Zervas e kishte bërë gati për ta dërguar tek vëllai i tij në Athinë. Mjeku italian i Artës tregoj se Zerva kishte mbështetje nga oficeri italianë në Athinë, emri i tij ishte Eduardo Ferlaco. Ushtaraku i lartë italian Ferlaco ishte i njohur nga njerëzit e rezistencës EAM të Artës. Këto të dhëna për bashkëpunimin e Napoleon Zervës me oficerin e lartë italianë i lexojmë në librin e Nikiforoz G. Kossivaqis, me titull: E vërteta e Tretë, (Νηθεθοροδ Γ. Κοζζσβαθε “Σρηηε Αιεζεηα”), botuar në Athinë më 2001. Autori i librit është nga Arta, ka qenë pjesëtarë i EDES nga viti 1941-1942, njeri i besuar i Zervës, më tej ju bashkua forcave të ELAS deri në përfundim të luftës. Në verën e vitit 1943, Kryepeshkopi i Greqisë Damaskino dërgon njeriun e tij të besuar priftin Serafeim (Visarion Tika) për t’i dhënë një letër personale Napoleon Zervën. Pas kësaj Serafeimi 30 vjeçar vesh rrobat ushtarake të EDES nënkomandën e Napoleon Zervën. (Më 1949 Serafeim u bë Mitropolit i Artës, më 1958 i Janinës dhe më 1974, Kryepeshkop i Greqisë).
Në Shtator të 1943, Napoleon Zerva takohet me Komandantin e Përgjithshëm gjerman për Greqinë, Hubert Lanz i cili kishte ardhur për operacionet kundër partizanëve grek ELAS. Pas këtij takimi u ra dakord që gjermanët dhe EDES të kenë një armëpushim 10 ditor. Më tej Zerva sulmoj forcat partizane ELAS dhe liroj robërit gjerman me qëllim që EDES të sigurojë një armëpushim e bisedime me gjermanët nga dhjetori 1943 deri në janar 1944.
Tashmë gjermanët kishin gjetur edhe një partner tjetër për të luftuar partizanët grek EAM-ELAS, që bënte lojëra të shumëfishta, por edhe Zerva kishte siguruar një aleatë të fshehtë për t’ju bërë ballë sulmeve të ELAS. Pas marrëveshjes me gjermanët Napoleon Zerva dhe EDES kishin siguruar mbështetjen nga britanikët dhe gjermanët. Britanikët e mbështesnin Zervën dhe EDES pasi ata nuk dëshironi të kishin aleatë pas përfundimit të luftës grupacionet komuniste të rezistencës EAM-ELAS. Britania e Madhe nuk dëshironte gjatë Luftës së Dytë Botërore që komunistët të forcoheshin dhe pas përfundimit të saj të dominonin pushtetin në Greqi. Greqia shihej në hartën e interesave gjeopolitike si pjesë e interesave të fuqishme angloamerikane.
Nga arkivat sekrete të Vermahtit gjerman për Greqinë, zbulohet një marrëveshje bashkëpunimi midis Zervës dhe pushtuesve gjermanë që të godiste grekët e tjerë. Autori që ka publikuar këtë marrëveshje shprehet se: “ekzistonte në thellësi një miqësi me ujkun”. Në dokumentin gjerman thuhet: “Gjatë natës së 1-2 shkurtit 1944, Zerva i parashtroi Komandës së Korparmatës XXII malore, me anën e një oficeri të plotfuqishëm propozimin për bashkëpunim mbi bazat që vijojnë: armëpushim, bashkëpunim në luftën kundër ELAS-it në azhornim të vazhdueshëm mbi qëllimet e tij, mbi vetë pozitën e tij si dhe mbi forcat armike”. Propozimi i Zervës iu parashtrua dhe të Plotfuqishmëve të Posaçëm të Rajhut për Evropën Juglindore, Ministrit Nojbaher. Përgjigja ishte: të vazhdojmë traktativat deri sa të merret vendimi përfundimtar. Më 9 shkurt 1944 u arrit aprovimi për marrëveshje lokalisht të përkufizuar… Kjo situatë vazhdoi deri në fillim të Korrikut 1944. Forcat e Zervës në mars 1944, kishin rreth 10.000 luftëtarë. Bashkëpunimi i Zervës me gjermanët, ishte dëshmuar edhe në Senatin Amerikan nga oficeri i ushtrisë amerikane me origjinë greke Kouvras më 31 mars 1947, duke e cilësuar atë si një kolaboracionist të tipit të Mihailloviçit të Jugosllavisë. Kouvaras i paraqiti Senatit një dokument shumë kompromentues, i cili provonte marrëveshjen që ekzistonte midis forcave të armatosura gjermane në Epir dhe EDES-it të Zervës. Ky dokument ishte një memorandum i Shtabit të Përgjithshëm të Korpusit të 22 të Ushtrisë Gjermane.
Në tetor, 1943, disa gazeta të majta kishin si kryeartikull kryesor bashkëpunimin e Napoleon Zervës dhe EDES me nazistët gjerman dhe qeverinë kolaboriste e Joani Rallis. Gazeta LAOKRATIA, organ i EAM, e datës 12 Tetor 1943, si kryetitull dënonte ashpër sulmet e EDES ndaj formacioneve të ELAS . Disa herë EAM shpërndante broshura ku i bënte thirrje popullit grek që mos të përkrahnin EDES dhe Napoleon Zervën sepse ata ishin vënë në shërbim të nazistëve gjerman dhe qeverisë të Joani Rallis. Thirrjet e EAM i drejtoheshin popullit grek duke ju thënë se EAM dhe ELAS duhen përkrahur sepse këto dy forca kanë lindur nga gjiri i popullit të thjeshtë grek.
Gazeta, ODHIGJITIS, organ i zyrës qendrore të Partisë Komuniste të Greqisë, si kryeartikull kishte një shkrim ku tregonte shitjen e interesave kombëtare të EDES dhe Napolon Zervës të cilët bashkëpunonin me nazistët gjerman. Gazeta, RIZOSPASTIS, e cila botohet ende sot, organ i Partisë Komuniste Greke-KKE, më 30 Tetor, 1943, në kryeartikullin e saj akuzonte Napoleon Zervën dhe EDES për tradhti kombëtare. Në shkrim dënoheshin sulmet e EDES kundër forcave të rezistencës ELAS. K. Karajorgis për Napoleon Zervën do shkruan në gazetën RIZOSPASTIS. “Fillimi tij, nuk ka asnjë fillim. Ishte roje i Pangallosit, e shiti atë. Shkoj tek Kondulis, e hiti edhe atë. Shkoj rrugëve të dyshimta, të errëta deri sa doli në pension nënkolonel e u bë “gjeneral”, më tej guerilas. Me dy lira për kokë në muaj-Si ka thënë ai vetë- Krijova një ushtri mercenarësh origjinalë në analet moderne të Evropës. Një ushtri mercenarësh, të cilët u betuan në programin socialistë-demokratik, të majtë nga komunistët, ku shumica e ushtarakëve ishin monarkë dhe fashistë”.
Më 8 Shtator 1943, ditën e kapitullimit të Italisë, gjermanët hynë në Konispol duke ardhur nga ana e Sajadhës, të udhëhequr prej kapitenit zervist të quajtur Vito dhe dogjën mëse 50 shtëpi. Gjatë ofensivës së madhe të dimrit 1943-1944, organizuar prej gjermanëve kundër ushtrisë sonë Nacionalçlirimtare, forcat gjermane me bandat e Zervës erdhën nga Greqia në Shqipëri dhe u vunë zjarrin krahinave të Zagorisë dhe të Pogonit. Banda të tjera zerviste, bashkë me gjermanët, luftuan kundër partizanëve shqiptarë në janar 1944 dhe u vunë zjarrin katundeve Kranë dhe Dërmish, si dhe shtëpive të të gjithë partizanëve minoritarë të Dropullit, kurse në shkurt 1944, këto banda dogjën katundin Dhrovjan. Gjatë ofensivës tjetër të madhe të gjermanëve në qershor të vitit 1944, forcat zerviste erdhën përsëri bashkë me ushtrinë gjermane nga Greqia, nga ana e Voshtinës dhe dogjën në Zagori ç’kishin lënë herën e parë. Kështu, kurdoherë gjermanët vinin nga Greqia për të goditur forcat e ushtrisë sonë Nacionalçlirimtare, mbështetja e tyre kryesore përbëhej nga bandat e gjeneralit kuisling grek, Napoleon Zervës. Nga ana tjetër, gjithë bota është informuar për terrorin e ushtruar ndaj popullsisë Çame në Greqi. Në qershor të vitit 1944 dhe në mars të vitit 1945, bandat e gjeneralit kuisling Napoleon Zerva, dogjën katundet tona, plaçkitën pasuritë dhe vranë me mijëra burra dhe gra, fëmijë dhe pleq. Më se 25 mijë çamë, që mundën të shpëtonin nga vdekja, u arratisën në Shqipëri.
Forcat e shumta të EDES që drejtoheshin nga Napoleon Zerva ishin të përqendruar në Çamëri-Epiri i Jugut, pra ata nuk kishin formacione të fuqishme në ishujt apo zonat e tjera të Greqisë. Gjatë dëbimit të hebrenjve në Janinë mars 1944, forcat EDES dhe në përgjithësi popullsia greke nuk reaguan, por qëndruan indiferentë nga kjo tragjedi e hebrenjve në Epirin e Jugut të cilët i nisën për në kampet e punës, EDES jo vetëm qëndroj indiferentë ndaj përzënies së hebrenjve në Janinë, por e përshëndeti me duartrokitje të zjarrta. Shumë hebrenj ishin rreshtuar në forcat e rezistencës.
ELAS dhe jo në EDES. Ashtu siç thamë më lartë disa herë forcat e EDES ishin përplasur me ELAS. Numri i hebrenjve që u dërguan në kampet e shfarosjes nga Janina në mëngjesin e 25 Mars të 1944, ishte rreth 2.000. Pas dëbimit të hebrenjve nga Epiri i Jugut radhën tashmë e kishte minoriteti shqiptar që jetonte në Çamëri, Prevezë, Paramithi, Filat, Gumenicë, për të pastruar këtë territor të Greqisë nga minoritetet të cilat kishin jetuar miqësisht prej shumë shekujsh me njëri-tjetrin.
Pas ikjes dalëngadalë të gjermanëve më tepër se 2.500 forcat e EDES të drejtuara nga Napoleon Zerva hynë në Paramithi të Martën, 27 qershor 1944. Pas dreke, filloi masakrimi kudo në çdo vend që gjenin çamër. Nga kjo masakër nuk shpëtuan pa u vrarë burra, gra, fëmijë, pleq. Si pasojë shqiptarët e zonës së Paramithisë u larguan për të shpëtuar nga shovinistët EDES të Napoleon Zervës duke u vendosur në fillim në Filat. Por në Gusht të 1944, forcat e EDES sulmuan Filatin duke bërë masakra mbi popullsinë shqiptare. E frikësuar popullsia e pambrojtur shqiptare filloi njëherë e përgjithmonë të braktisë shtëpitë dhe pasurinë në Çamëri. Mbi 20 mijë shqiptar nga Çamëria braktisën trojet e tyre duke mos marrë asgjë me vete, rreth 2.500 burra, gra, fëmijë e pleq u masakruan nga EDES që drejtonte Napoleon Zerva.
Napoleon Zerva dhe EDES nuk ishin të vetëm në masakrat që kryen ndaj popullsisë shqiptare në Çamëri, ata gëzonin përkrahjen e Mitropolitit të Paramithisë, Dhorotheos i cili që në nëntor të 1943, u ishte bashkuar trupave guerilase të EDES. Ekzistojnë fotografi ku Mitropoliti i Paramithisë, Dhorotheos shihet me rroba ushtarake EDES. Në vend që Mitropoliti i Paramithisë, Dhorotheos të përhapte zërin e ZOTIT, dashurinë e njeriut për njeriun, paqen midis njerëzve, ai ishte pjesëmarrës direkt i masakrave të ushtrisë së EDES ndaj popullsisë myslimane shqiptare të Çamërisë-Epiri i Jugut. Ka dyshime se projektuesi i masakrave kundër popullsisë shqiptare në Çamëri mund të jetë Mitropoliti i Paramithisë, Dhorotheos sepse ai ishte një njohës i mirë i territorit, njihte personalisht të gjithë parinë e Çamërisë dhe e fliste gjuhës shqipe. Mitropoliti i Paramithisë, Dhorotheos ishte krahu i djathtë i Zervës dhe e udhëzonte për çdo veprim që duhej të merrte në Çamëri, pasi Napoleon Zerva nuk e njihte territorin, njerëzit. Dhimitri Naskari i njohur si Mitropolit me emrin Dhorotheos, lindi më 1905 në fshatin Lelova-Thesprotiko të Prevezës. Që në moshë të vogël mbeti jetim, dhe u rrit nga tezja e tij, vdiq në Athinë në qershor të 1959.
Napoleon Zerva, pas lufte e ktheu EDES në parti politike ndërsa Partia Kombëtare e Greqisë ishte Εθνικόν Κόμμα Ελλάδος-EKE. Në zgjedhjet e Marsit të 1946, partia e Zervës fitoi 22 vende në Kuvendin e Greqisë dhe ai u bë ministër i rendit. Më 1947 Napoleon Zerva u bë ministër i rendit dhe filloi arrestimet, shpërnguljen e familjeve të kundërshtarëve politik nga Athina, kështu pas 6 muajve si ministër i rendit atë e detyrojnë të jap dorëheqje. Diplomatët britanik në Athinë do të shpreheshin për Zervën: “Më e keqja ishte emërimi i gjeneral Zervës në krye të Ministrisë së Rendit Publik, pavarësisht këshillave të përsëritur, Zerva i bëri gjërat më keq duke u përpjekur për të fituar kontrollin e disa prej grupeve të djathta. Ky ishte shkaku i drejtpërdrejtë i rënies së Qeverisë”. Ambasadori amerikan në Athinë Linkoln Makvei u kërkoi personalisht zëvendëskryeministrit, Sofokli Venizelosit dhe Panajoti Kanellopulos shkarkimin e Napolon Zervës si ministër i rendit publik sepse ai ishte bërë problem dhe jo e majta. Në zgjedhjet e vitit 1950, partia e Zervës, EKE fitoi vetëm 7 deputet duke u bërë pjesë e qeverisë së Sofokli Venizelosit, atij ju dha portofoli i ministrit të punëve publike, më tej EKE u shkri në Partinë Liberale. Në zgjedhjet e vitit 1951dhe 1952, Napoleon Zerva kandidoi si deputet i pavarur, por nuk fitoi. I braktisur nga të gjithë Napoleon Zerva udhëtoi jashtë Greqisë për të gjetur pak qetësinë e humbur. Dëshpërimi i Zervës vërehet në letrën që i dërgoi në vitin 1953, Jani Dani nga Popovi ku i shkruan:
I dashur Jani,
Kam dashur prej kohësh të shkruaj, por udhëtimi im jashtë atdheut nga njera anë, dhe vendimi që kisha marrë që të vij t’ju shikoj nga ana tjetër, më detyruan që ta shtyj dita ditës. Tani që po gjej kohën të të shkruaj me dorën time, vij të falënderoj, sepse kurrë nuk harrova luftërat tona të përbashkëta dhe të të them se duhet me besim dhe me fanatizëm, ashtu si në ato vite të vështira, të marrësh në duart e tua punën e sqarimit për bashkatdhetarët tanë. Duhet t’u rikujtojmë bashkatdhetarëve tanë se kush e çlirojë Çamërinë nga shqiptarët të cilët prej pesëqind vjetësh shkelnin në qafë helenizmin. Kjo është puna jote, siç është puna ime që t’u shërbejë të gjithë atyre për të cilët do të më shkruash ti. Pres letrën tënde. Me dashuri Napoleon Zerva, Athinë 04.08.1953.
Në këtë letër del qartë se Napoleon Zerva kishte patur një plan të detajuar për masakrimin e shqiptarëve në Çamëri, përzënien e tyre nga shtëpitë, pavarësisht se si do rridhnin ngjarjet e luftës. Pra, nga njëra anë ai mbante lidhje me gjermanët dhe nga ana tjetër me britanikët e amerikanët. Në letër bie në sy se ai është shumë i dëshpëruar. Materialet e botuara nga amerikanët, refuzimin që ata bënë që Zerva të ishte Ministër i Brendshëm e kishin rrëzuar reputacionin e tij në opinionin grek. Dokumentet që paraqiti në Senatin amerikan Kuvaris, një oficer i ushtrisë amerikane me origjinë greke për bashkëpunimin e ngushtë të gjermanëve me EDES dhe Zervën, ngrinin një pikëpyetje të madhe rreth veprimtarisë së tij dhe ushtrisë që ai drejtonte. Tashmë figura e tij ishte zhveshur, dhe pak ato njerëz që i konsideronte besnik e kishin braktisur. Vdiq i sëmurë rëndë, i vetmuar, i braktisur, pa ushtri dhe parti në Athinë, në dhjetor të vitit 1957.
Një fakt interesant në letrën që Napoleon Zerva i dërgon Jani Danit është se ai nuk i quan shqiptarët nga Çamëria allvanos, turko-allvani, allvani myslimani, terme që i përdorin zakonisht historianët dhe studiuesit grek për shqiptarët mysliman të Çamërisë. Në letrën origjinale Zerva përdor termin Arvanitas. Këtë të dhënë e thotë gazetari Stavros Kallonis, i cili në shkrimin e tij “Çamët në Lajmet”, sjellë pjesë nga kjo letër dhe gjatë leximit në greqisht vura re përdorimin e termit arvanitas për shqiptarët mysliman nga Çamëria.
Napoleon Zerva shfrytëzoi gjermanët dhe britanikët për interesat e tij personale gjatë një lufte ku Greqia nuk kishte një shtab të përgjithshëm të rezistencës, por disa ushtri të cilat shpeshherë luftuan kundra njëri-tjetrit. Britanikët gjetën tek Napoleon Zerva bashkëpunëtorin e tyre për interesat gjeopolitike që forcat e majta komuniste të cilat gëzonin mbështetje në masat e gjerë të popullit grek të mos vinin në pushtet. Nëse ushtria britanike nuk do të qëndronte indiferente dhe në heshtjen gjatë genocidit grek të EDES kundra popullsisë së pambrojtur, të pafajshme të shqiptarëve nga Çamëria, sot nuk do kishim këtë pasqyrë të grindjeve midis dy popujve.
Do të ishte e drejtë dhe normale nëse Britania e Madhe, kërkon falje për heshtjen dhe mbështetjen që i dha Napoleon Zervës dhe EDES gjatë kohës së masakrave dhe dëbimit të çamëve nga trojet e tyre mijëravjeçare.