I pyetur sesi do të kish qenë jeta e tij pas viteve ’90, nëse nuk do të ishte shënjuar nga tragjedia pas vdekjes së të atit, kryeministrit Mehmet Shehu, shkrimtari tha se nëse nuk do të kishte qenë në burg, ato nëntë vite do të kishin qenë të shoqëruara nga një dozë konformizmi.
“Do e kisha pasur të vështirë në momentin e ndryshimit të regjimit për pozicionin ku do të ndodhesha. Ata qe e kanë njohur regjimin e dinë, por është ndryshe të kesh qenë në burg; qartësohen mendimet më tepër.
Nga ana tjetër nuk do di si do kishte qenë jeta ime, më mirë apo ndoshta më keq, por me siguri di që të shkruarit do të kishte qenë më keq, sepse ato 9 vite burg do të kishin qenë një dozë e rëndësishme konformizmi dhe, në pikëpamjen letrare burgu ishte çlirim. Jam ndier më i lirë sepse në burg nuk ishte ajo lloj censure që ishte jashtë.”
Shehu rrëfeu se ka nisur të shkruajë qysh në moshën 17 –vjeçare, fillimisht tregime të cilat u botuan më pas dhe tha se ka shkruar edhe gjatë kohës kur vuante dënimin në burg.
I pyetur nëse kishte kaluar në anën e duhur të historisë, Shehu tha se nuk e ndan historinë kështu.
“Fjala Histori më tremb. Historia nuk është perëndi, është një sfinks që shqyen, shkatërron e që shkakton viktima.”- tha ai.
I ndalur edhe njëherë te debati i raportit të së Majtës shqiptare me të kaluarën dhe diskutimi mbi krimet e komunizmit, Shehu tha se e Majta Shqiptare i sheh shtrembër ata që nuk kanë qenë me Enver Hoxhën. “Mund të kenë qenë komunistë, socialdemokratë, progresistë… në përgjithësi shihen shtrembër. Kriteri është Enver Hoxha dhe linja e tij, ADN –ja zyrtare. Pse fondacioni politik i Partisë Socialiste quhet “Qemal Stafa” dhe jo “Musine Kokalari”? Meqë e konsiderojnë veten socialistë apo socialdemokratë i takonte të quhej Musine Kokalari.”
Shehu tha gjithashtu se në Shqipëri mungon sfera publike dhe kjo është një mangësi e madhe për shoqërinë. “Mendoj se Publiken duhet ta mbrojnë jo vetëm intelektualët, por të gjithë qytetarët. Por më shumë intelektualët si qytetarë me vizibilitet dhe Publikja është një sferë që mungon. Kur flitet për Publiken këtu flitet për Shtetëroren, sepse mungon ajo sferë e pavarur mes privates dhe pushtetit shtetëror. Disa e quajnë shoqëri civile, sferë publike për ta dalluar nga sfera politike, mungon dhe kjo është mangësi, Secili sheh parcelën e vet dhe ka ndikuar që gjatë këtyre viteve të rikthehen atavizmat autoritare.”