Zinedine Zidane nuk do të jetë më trajner i Realit të Madridit.
Tekniku francez doli në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp në orën 13:00, ku konfirmoi ndërprerjen e bashkëpunimit me klubin më të titulluar në Spanjë, pas sy sezoneve e gjysmë në krye të “Los Blancos”, me të cilët arriti të fitonte 3 Champions League radhazi, një titull në la Liga një Superkupë të Spanjës, një Superkupë të Europës dhe 2 Botërorë Klubesh.
Lajmet që vijnë nga Franca e shikojnë atë trajner të ardhshëm të kombëtares.
Megjithatë ky lajm ka qenë i papritur për të gjithë dhe ngjarjet kanë rrjedhur shumë shpejt.
“Kam marrë vendimin për të mos vijuar punën si trajner i Realit të Madridit. Është një moment i veçantë, por ekipi ka nevojë për ndryshime që të vijojë të fitojë. Kjo është arsye e këtij vendimi. E dua shumë këtë klub dhe ia thashë edhe presidentit. Ai më dha mundësinë të vija të luaja te Reali, do t’i jem mirënjohës përgjithmonë.
Mund të konsiderohet thjesht një mirupafshim. Reali më ka dhënë gjithçka, do të vazhdoj të jem pranë klubit. Për shumë vetë mund të duket një vendim pa kuptim, por ishte momenti i duhur për të ndryshuar, si për mua dhe për futbollistët. Dua të falënderoj tifozët dhe lojtarët që më kanë mbështetur gjithmonë”, tha Zidane.