Odise Roshu ka kërkuar faljme për veprimin e tij ndaj mesfushorit të Hanover 96, Mortiz Stopelkamp, të cilin e pështyu në minutën e 70-të, të ndeshjes miqësore që skuadra e tij, Këln luajti këtë fundjavë. Mesfushori i kombëtares shqiptare, përfundoi në qendër të kritikave të shtypit gjerman, që e cilësoi si të turpshëm veprimin e tij. Megjithatë revista gjermane Bild, në faqen e saj në internet, ngre pyetjen nëse lojtari e ka bërë qëllimisht një gjest të tillë. Bild më poshtë citon dhe një deklaratë të trajnerit danez të Këln, Solbaken, i cili thekson se ka biseduar me Roshin, dhe ja ka bërë të qartë që veprimi i tij është i papranueshëm dhe 20-vjeçari ka kërkuar ndjesë, por duke theksuar se ai ka pështyrë në tokë dhe jo në trupin e mesfushorit të Hanoverit, i cili në përfundim të ndeshjes madje theksoi se do t’i thyente hundët shqiptarit për gjestin e tij. Bild në fund pretendon se gjesti i Roshit nuk është për t’u përshëndetur, por ndoshta veprimi i tij nuk ka qënë i qëllimshëm, pasi dhe fotot e tregojnë lojtarin që pështyn drejt tokës dhe jo drejt trupit të Stopelkamp.