Nga Arben P. Llalla
Kolaboracioni dhe Genocidi në Çamëri/ 1944-1945: E vërteta e bashkëpunimit të çamëve me gjermanët
Shumica e popullsisë shqiptare në Çamëri përkrahu forcat e majta të rreshtuara në ushtrinë partizane EAM-ELAS. Kjo përkrahje lidhej edhe me faktin se shqiptarët në Çamëri i urrenin forcat politike të djathta të cilat ndër vite ushqenin popullin me nacionalizëm ekstremistë grek kundër minoriteteve, por edhe me faktin se shqiptarët në Shqipëri luftonin kundra pushtuesve si ushtri çlirimtare e majtë partizane. Nga të dhënat e fundit që i lexojmë në librin e akademikut të ndjerit prof. dr. Kristo Frashërit mësojmë se disa herë kryetari i forcave guerile të djathta Napoleon Zerva u kishte bërë ofertë krerëve shqiptarëve në Çamëri që të bashkoheshin me EDES.
Në shtabin e EDES-it u përgatit terreni që me anën e misionarëve anglezë të bëhej takimi i parë i Nuri Dinos me Zervën. Oficeri anglez i ndërlidhjes, Myers, që vepronte pranë shtabit të EDES-it, bëri të mundur që takimi të mbahej në manastirin e Paganionit, në fshatin Selan të Paramithisë, në fund të muajit maj 1943. Pala e EDES-it u përfaqësua nga koloneli anglez Myers, kapiteni Zhupa dhe 2-3 oficerë të tjerë. Pala e Ballit Kombëtar çam u përfaqësua nga Mazar Dino, myftiu i Paramithisë, Ferhat Kaso e Sali Meto. Përfaqësuesit e palës së EDES-it kërkuan nga forcat e Ballit Kombëtar të Çamërisë tu bashkohen atyre të Napoleon Zervës kundër EAM-it dhe ELAS-it.
Në Pargë, më 10 gusht 1943, u takuan përfaqësuesit e të dyja palëve EDES dhe të Ballit Kombëtar. Këtë radhë Balli Kombëtar çam përfaqësohej nga Mazar Dino dhe disa nga bashkëpunëtorët e tij çamë. Pala e Napoleon Zervës kërkoi nga Balli Kombëtar: 1.Të bëhej çarmatimi i menjëhershëm i çamëve dhe gjithë forcat çame të armatosura si dhe ato të afta për luftë, të kalonin nën komandën e EDES-it. 2. Në Çamëri të organizohej një administratë e re në formë këshilli, me emrin EA (Ethiniki Agona). 3. Ndihmat që do të mblidheshin nga popullsia të shkonin për EDES-in. 4. Në krahinat që ishin nën juridiksionin e EDES-it, të mos shkelte asnjë çam i armatosur.
Nuk pajtohem me atë pjesë të historianëve që shkruajnë se në Çamëri ka funksionuar Balli Kombëtar. E quaj lajthitje, mendimet e shprehura të ndonjë historiani shqiptar të sëmurë nga ideologjia komuniste se në Çamëri ka ekzistuar Balli Kombëtar si formacion ushtarak dhe politik. Kjo është një teori e shpikur nga ideologjia komuniste e Shqipërisë. Asnjë autor grek, në asnjë libër të botuar ndër vite nga ish-pjesëtarët e EDES përmendet se në Çamëri ka funksionuar Balli Kombëtar. Deri më sot nuk ka dalë një dokument që e vërteton këtë, nuk është gjendur asnjë fotografi e formacioneve ushtarake të Ballit Kombëtar në Çamëri. E vetmja fotografi është ajo e Nuri Dinos me një qeleshe tradicionale çame dhe me një xhaketë italiane me gradën kolonel. Ajo fotografi është bërë brenda territorit të Shqipërisë dhe jo në Greqi. Kjo tregon se nuk ka patur formacione të rregullta ushtarake shqiptare në Çamëri, por grupe të parregullta, të vetë organizuar për ruajtjen e qetësisë dhe pasurisë nga vjedhësit.
Për kundërpeshë ndaj formacioneve të parregullta të vëllezërve Dino të cilët bashkëpunonin me administratën italiane dhe më tej gjermane u themelua në Çamëri, Këshilli Nacionalçlirimtar. Në krye të Këshillit Nacionaçlirimtar Çam u vu personaliteti i njohur Musa Demi18. Shumë djem të Çamërisë si: Muharrem Demi, Petrit Musa Demi, Dervish Dajaka, Mustafa Dauti, Qamil Izeti, Ismail Hmaiti, Gani Demi, etj., u inkuadruan që në fillim në batalionet mikse.
Më 2 shkurt (1943), në kuadrin e FNÇL u formua në Konispol çeta, domethënë një grup i vogël i rezistencës e cila mori emrin “Çamëria”, me fushë veprimi kryesisht në zonat e jugut të Shqipërisë dhe të vijës kufitare, çetë e cila mbante njëkohësisht kontakte dhe bashkëpunonte me forcat e ELAS-it. Në muajin mars 1943 çeta “Çamëria” dhe një prej grupeve të rezistencës të ELAS-it, ranë dakord për të bashkëpunuar në fushën ushtarake. Paralelisht, anëtarë të këtyre dy grupimeve kaluan nëpër fshatrat e zonës së Theollogos në Epirin e Veriut dhe organizuan një takim të përfaqësuesve të fshatrave të zonës së Filatit, ku u folën për qëllimet e përbashkëta të luftës si dhe për t’u rreshtuar së bashku në luftën kundër pushtuesve.
Një grup partizanësh të ELAS-it, në mars 1943, i përbërë nga çam dhe grek, Petrit Demi, Taqis Theologjis, Panajotis Micis, Kostas Sternaras të ELAS, u takuan në fshatrat e jugut të Shqipërisë me partizanët Janis Kondis, Vangjel Pulis dhe dy të tjerë21. Këtë të dhënë e ka thënë mësuesi minoritar grek, Panajotis I. Mici nga Finiqi. Çeta “Çamëria” u zgjerua në batalion dhe në nëntor 1943, mori emrin “Thoma Lulo”, për nder të luftëtarit grek nga Gjirokastra që ishte vrarë ato kohë.
Tashmë grekët dhe shqiptarët e Çamërisë luftonin bashkë kundër pushtuesit gjerman. Nga popullsia shqiptare e Çamërisë u përfshinë në formacionet luftarake shqiptare dhe greke mbi 1.000 luftëtarë, pa llogaritur qindra të tjerë që punonin në terren. Vetëm në radhët e ELAS-it dhanë jetën 68 partizanë çamë.
Sipas dokumenteve të autoriteteve gjermane në fillim të 1944 pushtuesit gjermanë krijuan strukturën e një batalioni çam me gjysmë efektivi prej 300 vetësh, por atë e dislokuan në Konispol e jo në Çamërinë e përtejme (brenda territorit shqiptar) për të mos krijuar ndërlikime politike me qeverinë mike greke të J. Rrallis.
Në 10 janar 1944, me iniciativë të regjimentit të 15-të të ELASit dhe me aprovimin e FNÇl shqiptar u formua batalioni miks për krahinën e Çamërisë. Bashkëkomantët të batalionit ishin emëruar fillimisht Muharrem Demi dhe Spiro Shqevi, por më vonë, pas kalimit të batalionit nën komandën ekskluzive të ELAS-it, komandant i tij u emërua Joannis Sarafis.
Pra, nga burimet e ndryshme del përfundimi se shumica e popullsisë shqiptare në Çamëri ishte rreshtuar përkrah forcave të majta të rezistencës ELAS dhe EAM, duke përkrahur pa rezerva luftën për çlirim nga pushtuesit italian dhe gjerman. Greqia duke u udhëhequr nga qeveritë kuislinge Çolakoglu, Logothetopulos dhe Rrallis kishte krijuar huti tek popullsia saqë atë periudhë kishte disa qeveri paralele greke dhe forca të ndryshme të rezistencës të cilat disa herë u përplasën me njëri-tjetrin duke harruar luftën kombëtare për çlirimin e Greqisë.
Masakrat në Çamëri nga EDES
Pas pushtimit fazë-fazë të Epirit të Jugut-Çamërisë nga grekët që në vitet 1880 dhe deri në fillim të vitit 1913 kur u mor Janina, shqiptarët kanë qenë nën presionin shtetëror grek për të braktisur trojet e tyre. Ashtu siç e kemi thënë më lartë ndër vite, Greqia me dhunë largoi mijëra familje shqiptare nga Çamëria për në Turqi, Shqipëri dhe gjetkë duke mos u kthyer më kurrë. Por gjenocidi më i egër dhe fatal ishte ai i viteve 1944-1945 ku forcat ushtarake të EDES të udhëhequr nga klerikë ortodoksë grek me veshje ushtarake kryen masakrat çnjerëzore mbi popullsinë e pambrojtur çame. Ishte e martë, 27 qershor 1944, ku rreth 2.500 trupa ushtarake të EDES të udhëhequr nga Napoleon Zerva dhe të shoqëruar nga Mitropoliti i Paramithisë, Dhorotheos i cili kishte veshur rrobat ushtarake të EDES, hynë qetësisht në qytetin e Paramithisë. Asnjë kundërshtim me armë nga ana e popullsisë shqiptare, Mitropoliti Dhorotheos nis bisedat me krerët shqiptar, me Myftiun Sali Hafizi duke ju premtuar se asnjë e keqe nuk do t’ju ndodhë.
Pas dreke, pas një ngrënie të mirë filloi masakrimi kudo në çdo vend që gjenin çamër. Masakrimet janë bërë nëpër shtëpi me gra dhe fëmijë. Burrat janë vrarë mizorisht nëpër rrugë dhe të hedhur nëpër hendeqe. Numri i të vrarëve gjithsej 165. Në qarkun e Paramithisë në katundet e quajtura Gardiq, Dragoni, Amini e Karkunar një ditë më pas u masakruan tmerrësisht 600 punëtorë dhe bujq, 150 plaka, gra dhe vajza.
Më 28 gusht 1944, në Pargë bandat e Zervës vranë 49 burra dhe 8 gra, më 14 shtator autoritetet ushtarake zerviste në Filat grumbulluan gjithë burrat e mbetur në qytet, shumica e të cilëve ishin pleq dhe pas një “gjyqi” formal i dënuan të gjithë me vdekje, me përjashtim të 7 vetëve. Pas tri-katër ditësh u pushkatuan 51 veta të tjerë afër spitalit të Filatit dhe te Përroi i Shejlës. Kështu numri i të vrarëve dhe i të humburve në qytetin e Filatit arrinte në 259 vetë.
Në Filat, gjatë periudhës qershor 1944-mars 1945, u masakruan dhe u vranë 1.286 persona, në Gumenicë u vranë 192, në Margëlliç e Pargë 626 persona etj. U shkatërruan 68 fshatra, u dogjën dhe u rrënuan 5.800 shtëpi, u shkatërruan të gjitha objektet e kultit si dhe u grabitën pasuritë, pronat e këtyre kulteve (mbi 80 xhami). Sipas një liste, sipas të cilës qenë regjistruar emrat e të vrarëve dhe vendit të tyre të origjinës më pas se 1200 viktima civile janë identifikuar për periudhën 1944-1945.
Përfundimi i genocidit grek kundër popullsisë shqiptare në Epirin e Jugut-Çamëri ishte tragjik. Pothuajse Çamëria u spastrua nga etniteti shqiptar që i përkiste besimit mysliman. Në fshatrat ku banonin shqiptarët mysliman u vendosën refugjatë grek të ardhur nga Azia e Vogël dhe grek të ardhur nga pjesët e tjera të Greqisë. Shumë fshatrave ju ndërruan emrat, u ndërruan toponimet e shumë vendeve për të zhdukur çdo gjurmë shqiptare në Epirin e Jugut. Nga një popullsi prej 35.000 vetash, që ishte paraluftës, mbetën vetëm disa dhjetëra familje. Të vrarët dhe të humburit arrijnë shifrën 2300 vetë. Të vdekurit gjatë emigracionit për mungesë ushqimesh dhe nga sëmundjet e ndryshme 2400 vetë.
Nga të dhënat e botuar kohëve të fundit del se sipas qyteteve janë masakruar në genocidin grek ndaj popullsisë çame 2.877 shqiptar. Në Filat dhe rrethinë numri i të masakruarve është 1.286, Gumenica me rrethinë, 292, Paramithia me rrethinë, 673, në Margëllëç dhe Pargë, 62631. Përveç pjesëmarrësve ushtarak që kishin shërbyer në qeverisjen fashiste të Metaksait në masakrat kundër çamëve, morën pjesë dhe dhjetëra priftërinj si Mitropoliti i Paramithisë, Dhorotheos, prifti Serafeim i ardhur nga Athina me porosi të kryepeshkopit të Greqisë, Damaskino. Serafeimi do të bëhej më tej Mitropolit i Janinës dhe më vonë kryepeshkop i Greqisë, vëllai i Napoleon Zervës, Aleko Zerva i cili ishte prift, etj.
Kapiteni Kristos Stavropulos në rolin e gjykatësit të ushtrisë EDES nënshkroi ekzekutimet pa gjyq të qindra shqiptarëve në genocidin e viteve 1944-1945 në Çamëri. Në vitin 1953, ushtaraku Kristos Stavropulos u zgjodh kryetar i Gjykatës së Lartë të Greqisë.
Plani për genocidin e viteve 1944-1945 nga EDES, nuk lindi aty për aty, ai plan për përzënien e shqiptarëve nga Çamëria me masakra, përdhunime, grabitje ishte planifikuar shumë vite më parë që kur grekët pushtuan Epirin e Jugut më 1912-1913. Në qeverisjen e Metaksait ishin vrarë 2.300 dhe të vdekur në tortura 45032. Një shifër e përafërt me masakrat që kryen disa vite më vonë Napoleon Zerva dhe ushtarakët e Metaksait të grupuar në EDES.
Shteti grek sekuestroi shtëpitë dhe tokat pa të drejtë me ligje dhe gjyqe të montuara, mijëra bagëti u vodhën, ngordhën dhe u dëmtuan. Por tragjedia çame nuk do të përfundonte me largimin nga Greqia dhe ardhjen në Shqipëri. Shqiptarët nga Çamëria u persekutuan nga pushteti komunistë, trajtoheshin me përbuzje si qytetar të dorës së dytë. Shumica e tyre u vendosën në periferitë e qyteteve nëpër baraka dhe jetonin si në geto. Ky ishte një persekutim edhe më i dhimbshëm kur mendon se ata keqtrajtoheshin nga shtetin amë, nga shteti për të cilin kishin sakrifikuar gjithçka për mbijetesën e tij. I gjithë aparati shtetëror i Greqisë pas vitit 1945 u vunë në lëvizje për ngritjen e historive të gënjeshtrës për bashkëpunimin e popullsisë çame me gjermanët, për të mbuluar masakrat dhe genocidin e kishës greke pjesëmarrës të trupave ushtarake të EDES. Roli i klerikëve të Kishës Ortodokse Autoqefale të Greqisë në masakrat kundër popullsisë shqiptare myslimane në Çamëri ka qenë i rëndësishëm. Kjo del qartë edhe në letrën-kërkesat e Mitropolitit të Paramithisë, Dhorotheos dërguar më 18.05.194433, Këshillit të drejtuar nga Mazar Dinos.
Në këtë shkrim nuk shikoj ndonjë gjë që nuk dihet. Sigurisht që dihen dhe janë publikuar në organet e shtypit (më pak tek media brenda Shqipërisë dhe shumë botime janë publikuar në media jashtë Shqipërisë!).
Megjithatë edhe tek ky shkrim vërehet një “fshehje” e një të vërtete të madhe. Do të thoni se cila është? Hë! Ajo që dihet por që nuk thuhet. Është afruar disi para disa vitesh ish ministri i jashtëm grek Nikos Kotsias, por edhe ai e “fsheh” me marifet(si finok), me qëllim që të krijohen ndasi mes shqiptarëve dhe të “kërkohet” gjilpëra në byk, ose në mullar kashte.
Z. Arben i ke mundësitë që të flasësh më shkoqur, qartë dhe pa doreza. Nuk ke trajtuar disa ngjarje të tjera tepër të rëndësishme, si për shembull vajtjen në Athinë të një grupi çamësh dhe që nuk zgjidhën gjë, por morën premtime për favore të secilit nga anëtarët e atij grupi, dhe plot të tjera. Që të mos thuash se cilat janë po të them dhe tjetrën që një udhëheqës komunist për Shqipërinë e Jugut, nuk i u përgjigj thirrjes së kërkesës së bërë nga çamët për të bashkëpunuar me partizanët për çlirimin e vendit. Por prapë edhe kaq sa shkruani, pavarësisht se janë të shkruara shumë herë, mirë bëni.
Shëndet dhe hulumtime më të thelluara dhe të sakta, pa doreza.
Spiro Thesprotos