Pas katër vitesh që kompania audituese “Grand Thorton” ka bërë deri më sot kontrollin e jashtëm të Bankës së Shqipërisë, me anë të një vendimi Këshilli Mbikëqyrës ka vendosur të ndryshojë këtë kompani.
U desh ngjarja e vjedhjes në Bankën e Shtetit që këshilli të merrte vendimin për të përzgjedhur firmën KMPG, që të ushtrojë këtë kontroll në bankë.
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi: Të përzgjedhë shoqërinë “KPMG ALBANIA” shpk si kontrollor të jashtëm për auditimin e pasqyrave financiare të Bankës së Shqipërisë, për periudhën 2014-2018, sipas ofertës së paraqitur pranë Bankës së Shqipërisë në datë 09.09.2014 për procedurën e prokurimit.
Por sërish një kompani e vetme do të vijojë që të bëjë kontrollin e Bankës Qëndrore për një periudhë që do të zgjatë për katër vite. Vetë Fondi Monetar Ndërkombëtar ka bërë rekomandime që firma e cila merret me këtë audit duhet të ndryshojë më shpesh ndërsa procedurat e përzgjedhjes së saj duhet të jenë transparente.
Gjatë viteve që ndodhi vjedhja në Bankën e Shqipërisë Grand Thorton nuk arriti të evidentojë atë, edhe pse një nga kompetencat e saj ishte kontrolli i thesarit.
Si pasojë 713 milion lekë u vodhën dhe ende dhe sot nuk dihet vendodhja e tyre. 23 persona janë nën akuzë, një prej tyre dhe vetë ish-guvernatori Ardian Fullani, i cili u akuzua për shpërdorim detyre me pasojë vjedhjen e thesarit./Vizion+/