Që pas largimit të Saimir Tahirit nga detyra si ministër i Brendshëm, në krye të këtij dikasteri u emërua Fatmir Xhafaj. Kjo periudhë përkonte pak para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Për shumë kënd emërimi i Xhafajt ishte i papritur pasi ai shihej më shumë tek ministria e Drejtësisë, si një nga drejtuesit e Reformës në Drejtësi, për të cilën kanë dhënë një kontribut jo të pakët edhe partnerët amerikanë dhe ata europianë.
Ish-deputeti socialist Koço Kokëdhima deklaron se emërimi i Xhafaj më shumë se zgjedhje e Ramës, ka qenë një kërkesë direkte e partnerëve të huaj për të luftuar krimin e organizuar.
“Për mendimin tim, Xhafaj në Ministrinë e Brendshme është një vullnet më i gjerë, nuk është vullnet i Ramës. Unë besoj se Xhafaj në Ministrinë e Rendit për mendimin tim është një vullnet i partnerëve ndërkombëtarë. Dhe mendoj se kjo ndodhi kur Tahirit i dolën të gjitha gjërat sheshit. Pra kjo ndodhi kur Rama dhe Tahiri u vërtetuan ngado me prova që kishin drejtuar kanabizimin e Shqipërisë dhe që ato para i futën tashme në politikë. Dhe me ato para rrëzuar çdo qeveri në këtë vend. Këto para kriminale kanë dëmtuar çdo ide optimistë për Shqipërinë”, deklaroi Kokëdhima në News 24.