Nga Ervis Iljazaj
Lëvizjet e shumta shoqërore që janë gjithmonë e në rritje ditët e sotshme, janë lëvizje që shumë nga politologët i konsiderojnë si lëvizje populiste. Për shkak të krizës së përfaqësimit politik dhe largimit të elitës politike gjithmonë e më shumë nga problemet e qytetarëve, këta të fundit gjithmonë e më shumë nuk besojnë më te demokracia përfaqësuese, dhe kërkojnë të jenë pjesë e vendimmarrjes politike. Pra, po kërkojnë një lloj tjetër regjimi politik, të cilin mund ta konsiderojmë si demokracia direkte.
Gjithmonë e më shumë, liderat politikë që po prodhon kjo kohë, janë populistë. Premtojnë atë që quhet “populli në politikë”. Në këtë kuptim lëvizjet populiste janë gjithmonë e më shumë në rritje, të cilat po ndryshojnë totalisht regjimet politike që jemi mësuar deri më tani.
Këto lëvizje kanë ardhur gjithmonë e në rritje edhe si pasojë e fuqizimit dhe përhapjes së mjeteve të komunikimit të masave. Populizmi nuk është një stil politik si gjithë të tjerët që jemi mësuar deri më tani. Ai ka modifikuar mënyrën tradicionale të komunikimit politik, duke sjellë një gjuhë të re, duke transformuar sistemin politik aktual, duke i detyruar ata të bëjnë llogaritë me një mënyrë të re të menduari dhe organizimi politik.
Kështu që, asnjë nga partitë tradicionale nuk mund të injorojë lëvizjet populiste, përkundrazi sa më shumë shpërfillen këto lëvizje aq më shumë ai bëhet i fortë dhe i rrezikshëm. I rrezikshëm sepse, në gjykimin tim populizmi ka një natyrë regresive përtej çdo debati që bëhet rreth tij. Sepse, kthen mbrapa evolucionin apo progresin politik të deritanishëm duke shfrytëzuar frikën dhe pasigurinë e një të ardhmeje të parashikueshme.
Por, për të kuptuar më mirë natyrën regresive të populizmit është e domosdoshme të shohim raportin e populizmit me demokracinë. Pra, jo vetëm raportin e tij me forcat tradicionale politike por me formën tradicionale të demokracisë përfaqësuese. Është me vend të pyesim nëse është prodhim i demokracisë apo antiteza e saj, ose akoma dhe më tej. Është një stimul për të korrektuar formën aktuale të demokracisë apo e minon tërësisht atë.
Cas Mude e përkufizon populizmin si “një ideologji e cila konsideron shoqërinë të ndarë në dy grupe homogjene dhe antagoniste, populli nga njëra anë, kundër elitës politike dhe që shpjegon se politika duhet të jetë shprehje e vullnetit të përgjithshëm të popullit. Pra, ideja që dominon te populizmi është përmbysja e konceptit elitist të jetës politike ekonomike dhe shoqërore. Nëse populizmi vendos të gjitha vlerat nga ana e më inferiorëve, elitizmi përcakton domosdoshmërinë e drejtuesve në organizimin dhe drejtimin e masave.
Te populizmi populli jo vetëm që përshkruhet si klasa e nënshtruar ndaj asaj dominuese, por konsiderohet si mbartës i vlerave pozitive për t’ia kundërvënë asaj drejtuese, që mbart vlerat negative.
Në këtë kuptim, përplasja klasore, ashtu sikurse ndodh në teoritë komuniste, është e pashmangshme. Gjë e cila sjell në mënyrë të pashmangshme betejën historike midis të pasurve dhe të varfërve.
Ndërkohë që, demokracia përfaqësuese, e instaluar kryesisht mbas Luftës së Dytë Botërore, arriti të gjente një gjuhë të përbashkët midis kapitalit dhe punës, e cila prodhoi demokracitë liberale, të cilat tanimë janë në krizë.
Çështja që ngrihet sot dhe për atë që duhet të shqetësohemi është se- a është e mundur demokracia direkte? A është e mundur që populli të jetë vendimmarrës për qeverisjen e vendit?
Në shoqëritë komplekse dhe të masave të mëdha që jetojmë sot, të përbëra me interesa të ndryshëm, me kultura të ndryshme apo nivele ekonomike të ndryshme, demokracia direkte është totalisht e pamundur. Kush thotë të kundërtën, vetëm sa po krijon iluzione të pushtetit popullor absolut. Demokracia përfaqësuese dhe liberale, është i vetmi regjim që në vendimmarrje mund të negociojë këta interesa të ndryshëm. Sigurisht nëpërmjet mekanizmave demokratikë që duhen përmirësuar. Demokracia, thoshte Robert Dahl, është artikulimi dhe konkurrimi i interesave të ndryshëm që ekzistojnë në një shoqëri të caktuar.
Ndërsa, demokracia direkte, kaq shumë e propaganduar nga populistët, konsideron popullin si një trup organik të ngjashëm dhe të pandarë. Dhe, konsiderimi i tij në këtë mënyrë, është shprehja e vullnetit dhe interesit të përgjithshëm në një person të vetëm, që vendos për të gjithë. Vullnet i cili shprehet nga liderët populistë. Mirëpo, kjo nuk është asgjë tjetër, veçse nxitja e emocioneve popullore që shkakton herët apa vonë totalitarizma. Historia e ka vërtetuar më shumë se një herë këtë fenomen.