Prej ditësh po raportohet për një numër të shtuar krimesh të rënda në pikat e basteve sportive në vend.
Problemi i rëndë social po prodhon tashmë edhe krime, pavarësisht se qeveria ishte angazhuar se do zbuste efektet e kësaj plage.
Pas rasteve në Fier e Vlorë, vjen një tjetër ngjarje në Elbasan.
Dajë e nip janë arrestuar pas konfliktit me armë zjarri me pronarin e një lokali bastesh në Elbasan.
Policia e këtij qyteti informon se ndërhyrja e uniformave blu parandaloi përshkallëzimin e mëtejshëm të këtij konflikti me armë.
“Konflikti ka nisur fillimisht mes shtetasit Fjodor Berati me pronarin e lokalit, A.B 48 vjeç. Më pas nipi i Fjodorit, shtetasi Fatjon Pllumbi ka marrë armën e zjarrit kallashnikov dhe ka qëlluar në ajër në afërsi të lokalit,” informoi policia.
Konflikti ka nisur për motive të dobëta dhe nga të shtënat nuk ka persona të lënduar.
Në pranga kanë rënë Fatjon Pllumbi, 20 vjeç dhe Fjodor Berati, 29 vjeç, të dy banues në lagjen Shën-Koll, Elbasan.
Arrestimi në flagrancë i shtetasve u bë për veprat penale “prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, “kanosje, kryer në bashkëpunim” dhe “prishja e qetësisë publike, kryer në bashkëpunim”.
Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma tip kallashnikov me një karikator me 12 fishekë si dhe dy gëzhoja.