Në vitin 2008, Tina Roth Eisenberg filloi CreativeMornings nisur nga një dëshirë për të krijuar një event që është argëtues dhe që bën bashkë komunitetin kreativ të qytetit të New York-ut. Koncepti ishte i thjeshtë: një bisedë e shkurtër në mëngjesin e një të premteje të ccdo muaji. Çdo organizim do të ishte falas dhe i hapur për këdo.
Creative Mornings organizohet sot në qytete anë e mbanë botës. Plot 196 të tilla, në 64 vende të botës. Në takimet të cilat bëjnë bashkë individë kreativë, temat të cilat trajtohen janë globale dhe jo thjesht rrëfime të eksperiencave personale.
E ftuar në “Creative Mornings”, organizim i cili u zhvillua në ambjentet e Universitetit Europian të Tiranës, ishte Ilda Mara, Drejtoreshë ekzekutive e organizatës franko-shqiptare, ARGJIRO dhe e Revistës periodike Art & Trashëgimi. Ajo ka folur mbi traditën, si dhe e ka ilustruar atë me disa nga elementët të cilat karakterizojnë traditën e vendit tonë.
“Tradita është një urë lidhëse mes të shkuarës dhe të tashmes. Ajo është një mënyrë e transmetimit të vazhdueshëm të dijes, abstrakte ose konkrete nga një gjeneratë në tjetrën nëpërmjet fjalës, shkrimeve, objekteve, etj”, është shprehur znj. Mara në fjalën e saj. A Ajo ka theksuar vlerën e traditës dhe rëndësinë e njohjes së saj.
“Sa më e vjetër të jetë tradita jonë, aq më shumë vlera ka ajo. Por tradita i përket më shumë të tanishmes së sa të shkuarës. Është në të vërtetë, një rindërtim i të tanishmes, që bazohet në një të kaluar të ri-inventuar, ri-imagjinuar dhe ideologjikisht të ri-modeluar. Pasardhësit e një tradite, nuk e praktikojnë atë njëlloj si dikur por e riadaptojnë me kohën në të cilën ata jetojnë. Disa elementë i mbijetojnë kohrave, por faktorët e ndryshimit i transformojnë ato.
Ne braktisimin disa aspekte të traditës tonë, që nuk i korrespondojnë më kohës në të cilën ne jetojmë, të tjerë janë të përmirësuar nga teknika më të përparura, disa prej tyre ndryshojnë nga konteksti shoqëor, ose nga ide të cilat ne duam t’i cojmë përpara të shtyrë nga tradita”, është shprehur ajo ndërkohë që ka shtuar se tradita i adaptohet kohës.
“Traditat janë të fabrikuara duke i’u adaptuar kohës dhe ekzigjencave kulturore në evolucion të vazhdueshëm. Nëse është pikërisht akronimi në të kaluarën që i jep forcë, ajo i përgjigjet problemeve kontemporane të shoqërisë sonë.
Tradita është një instrument stabilizimi i shoqërive njerëzore, që bën të mundur stabilizimin dhe rinovimin e themeleve të vjetra për të siguruar të ardhmen e saj.”
Tradita jonë bazohet tek besime, vlera, trashëgiminë kulturore dhe zakonet që kanë influencuar jetën e përditshme në Shqipëri në rrjedhën e shekujve, dhe që janë të pranishme dhe sot.
Ne kemi një trashëgimi kulturore materiale dhe shpirtërore tejet të pasur të regjistruara në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s: Butrintin dhe qendrat historike të Beratit dhe të Gjirokastrës, pa harruar dhe listën e trashëgimisë jomateriale ku bën pjesë polifonia shqiptare, si dhe Kodikët e Beratit, të cilët janë pjesë e Kujtesës së Botës.
“Ruajtja dhe promovimi i traditës dhe trashëgimisë kulturore kanë qënë lajtmotivi i një seri iniciativash që unë kam ndërmarrë; po kështu gjetja e formave të reja për transmetimin e tyre sidomos tek rinia. Tradita është një kujtesë e gjallë, dhe unë jam munduar që me nismën tonë të kontribuoj sadopak në mbajtjen gjallë të kësaj kujtese përmes revistës periodike ‘Art & Trashëgimi’, Festivalit ndërkombëtar ‘Takimet Muzikore të dy Botëve’, konkursin fotografik ‘Mbro & Promovo’”, është shprehur znj. Mara.
Ndërkohë është paraqitur edhe një prezantim i xhubletës shqiptare duke dëshmuar vjetërsinë dhe autenticitetin e saj. Ndërkohë që shoqata ‘Argjiro’, themeluese e së cilës është Znj. Ilda Mara, ka dhënë kontributin në dixhitalizimin e muzeut historik të Shkodrës. Kjo iniciativë në një farë mënyrë ka ‘shpluhurosur’ traditën e gjendur në arkiva, që sot është e aksesueshme nga shumkush.