Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka dënuar shtetin Italian për shkak se vendosi të aplikojë regjimin e ashpër të burgimit “41-bis” për Bernardo Provenzano-n, nga 23 Marsi 2016 deri në vdekjen e tij.
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut vendosi këtë të enjte se, Italia shkeli nenin 3 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Sipas gjyqtarëve, Ministria italiane e Drejtësisë shkeli të drejtat e Provenzano-s për të mos iu nënshtruar trajtimit çnjerëzor dhe degradues.
Në të njëjtën kohë, Gjykata e Strasburgut pohoi se vendimi për të vazhduar burgimin e Provenzano-s (pavarësisht gjendjes shëndetësore) nuk dëmtoi të drejtat e tij.
Testet mjekësore kishin dokumentuar përkeqësimin progresiv të kushteve fizike dhe neurologjike të ish-kreut të mafias korleoneze. Kushte që kërkonin ndihmë adekuate dhe të vazhdueshme, që mund të garantoheshin në një institucion shëndetësor.
“Ajo për të cilën luftuam, rezultoi një luftë për afirmimin e një parimi, që zbatimi i burgimit të ashpër ndaj atyre që nuk janë më të rrezikshëm për shoqërinë, reduktohet në një persekutim”,- tha Rosalba Di Gregorio, avokatja që mbrojti interesat e Provenzano-s.
Ndërkohë, në Shqipëri, Qeveria ka depozituar në Kuvend projektligjin për regjimin e posaçëm në burgje për të dënuarit e sigurisë së lartë, që parashikon rritjen e sigurisë në institucionet e vuajtjes së dënimit.
Nisma ligjore bazohet pikërisht në modelin italian, e njohur me emrin “41-bis”, që tashmë Strasburgu e quan shkelje të të drejtave të njeriut./Panorama/