Disa ditë pas arrestimit të 25-vjeçarit Orest Sota, i cili u kap me 800 mijë euro në makinë dhe dy patenta të Saimir Tahirit, zbulohen të tjera detaje nga ngjarja e mistershme.
Oficerët e policisë që kanë kryer ndalimin, por edhe ata që kontrolluan makinën luksoze të 25-vjeçarit tregojnë se paratë ishin hedhur rifuxho (të pa paketuara) në çanta.
Ato ndodheshin në sediljen e pasme të automjetit, ndërsa mbaheshin nga një person tjetër që sipas policisë është identifikuar si shoferi i Sotës.
Por pavarësisht këtij fakti, automjeti drejtohej nga Orest Sota, të cilit i ishte hequr e drejta për të drejtuar makinë për shkak të shkeljeve të shpeshta të Kodit Rrugor. Pra në drejtimin e mjetit nuk ishte shtetasi që identifikohet si shoferi i tij.
Megjithatë ky detaj është i rëndësishëm për hetuesit, të cilët po përpiqen të gjejnë një shpjegim përse paratë ishin hedhur në mënyrë të tillë, të pa sistemuara dhe të future me nxitim në çanta. Ajo që e komplikon edhe më shumë historinë është fakti se në makinë, bashkë me paratë u gjetën edhe dy patenta për lundrim në emër të Saimir Tahirit.
Alibia e parë e Sotës lidhur me patentat ishte se ato janë harruar aty nga shoferi i Tahirit. Por sipas drejtorit të Autoritetit Portual që ka firmosur rinovimin e Patentës së Tahirit, thuhet se në korrik të këtij viti, ish-ministri është paraqitur vetë në zyrën e tij dhe ka marrë patentën e rinovuar brenda ditës. Pra ajo është tërhequr nga vetë ish-ministri dhe nuk ka arsye përse duhet t’i dorëzohej shoferit që më pas do e harronte atë në makinën e mikut të tij Orest Sota.