Policia e Durrësit ka sqaruar nëpërmjet një njoftimi zyrtar ngjarjen e kësaj të hënë në qytetin bregdetar ku u gjet një pako e dyshimte me lëndë plasëse afër makinës se Drejtorit të Përgjithshëm të Hekurudhave, Ani Dyrmishi.
Policia sqaron se sipas ekspertëve anti-eksploziv rezulton se pakos së dyshuar i mungonin disa elementë për të qenë lëndë plasëse.
“Sot rreth orës 08:30, në lagjen nr.4, në një parking mjetesh u konstatua një pako, e dyshuar si lëndë plasëse. Në vendin ku u gjet pako, ishte parkuar mjeti tip ‘Pasat’ me targa AA 070 TP, në përdorim nga shtetasi A.D. me detyrë Drejtor i Përgjithshëm i Hekurudhave. Në momentin që ka lëvizur mjetin, ai nuk e ka konstatuar pakon e dyshimtë. Nga konkluzionet e para të ekspertëve anti-eksploziv rezulton se pakos së dyshuar i mungonin disa elementë për të qenë lëndë plasëse. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës”.
Përpara se të vendosej në dhjetor të 2017-s në postin e drejtorit të Hekurudhave, Ani Dyrmishi ishte ish-drejtori i Hipotekës në Durrës. Në një listë të kryeministrit Edi Rama në korrik të 2017-s, Dyrmishi rezultonte midis 100 zyrtarëve më të korruptuar. Lista “e zezë” përmbante kryesisht emrat për të cilët qytetarët ankoheshin vazhdimisht. Megjithatë, deputetët socialistë i dolën në krah Dyrmishit, duke argumentuar se duhet bërë kujdes në referimin e informacioneve.