Shefi i kompanisë Amazon, Jeff Bezos dhe shkrimtarja MacKanzie Bezos kanë njoftuar se do të divorcohen. Jeff Bezos, 54 vjeç, e shpërndau njoftimin e firmosur prej çiftit në rrjetet sociale.
“Nëse do e dinim se do të ndaheshim pas 25 vitesh, ne do e bënim sërish,” thuhet në deklaratë, duke theksuar se ata do vazhdojnë jetët e ndara si miq.
Jeff Bezos është njeriu më i pasur në planet. Mendohet se ai ka një pasuri prej të paktën 140 miliardë dollarësh. Në deklaratë nuk thuhet se si do ndahet kjo pasuri mes çiftit.
Shumica e pasurisë së Bezos vjen nga 16 përqind e aksioneve në kompaninë Amazon, që tani ka një vlerë në treg prej 777 miliard dollarë.
E shoqja është shkrimtare, fituese e një çmimi të njohur në vitin 2006. Ajo ka qenë një nga punonjëset e para të kompanisë Amazon kur u themelua, duke u marrë me llogaritë e saj.
Ndarja e pasurisë mes tyre do jetë një proces i komplikuar për çiftin e diplomuar në universitetin Princeton.
“Ndjehemi jashtëzakonisht me fat që gjetëm njëri-tjetrin dhe jemi thellësisht mirënjohës për çdo vit që kemi qenë të martuar së bashku. Kemi kaluar një jetë të bukur bashkë si çift i martuar”, vijon deklarata.
Jeff është një nga rastet e rralla në botë kur arriti të bëhej vetë miliarder nga asgjëja.
Ai lindi në vitin 1964 nga një nënë 16-vjeçare. Kur ishte 17 muajsh, mamaja u divorcua dhe punonte shitëse në një dyqan. Kur ishte tre vjeç, mamaja u martua me Miguel Bezos dhe aty vogëlushi mori mbiemrin që mban edhe tani.
Me të shoqen u martua në vitin 1993. Të dy së bashku kanë në pronësi toka më shumë se kushdo tjetër në SHBA.
Ta mendosh që në vitin 1999, të dy jetonin në një banesë 1 plus 1 me qira.