KLP mbajti dje mbledhjen ku u mor vendimi se SPAK (Struktura e Pocaçme Antikorrupsion) do të përbëhet nga 15 prokurorë. Aplikantët duhet të kalojnë jo vetëm vettingun, por të japin të dhëna për llogari bankare dhe numra telefoni për veten, familjarët e afërt e deri tek kushërinjtë e katërt dhe kurshqitë e dytë. Kush do i plotësojë këto kritere?
Institucionet e reja të drejtësisë mund të nisin funksionimin pas një muaji dhe nëse do merren seriozisht hetimet, politikanë të nivelit të lartë, ish-politikanë dhe zyrtarë të tjerë të administratës duhet të “dridhen” për atë që pritet të ndodhë. Gara për 15 prokurorë që do kërkojnë të zënë një vend në SPAK (Struktura e Pocaçme Antikorrupsion), u hap dje pas një mbledhje të mbajtur nga drejtuesit e KLP-së (Këshillit të Lartë të Prokurorisë). Kryetari i KLP-së Genti Brahimi që në nisje të mbledhjes informoi dhe shtroi për diskutim strukturat e reja të SPAK. Diskutantët u “ndanë” përsa i përket numrit të prokurorëve ku disa mendonin se ishin të mjaftueshëm 15 prokurorë dhe të tjerë ngritën shqetësimin se ky numër duhet të jetë më i lartë për shkak të fluksit të madh të dosjeve që presupozohet se do të hetohen. Në fund u miratua organika me 15 prokurorë, por interesante është fakti që kriteret për të mbajtur këto pozicione janë mjaft rigoroze. Të gjithë garuesit duhet të kenë një karrierë pune 10 vjeçare dhe të mos kenë asnjë masë disiplinore, po ashtu pjesë e garës mund të jenë edhe ata prokurorë që nuk e kanë kaluar vettingun. Në këtë rast pas kandidimit, ata do u nënshtrohen procesit të vettingut të përshpejtuar. Në mbledhjen e djeshme, KLP vendosi edhe emërimin e 6 magjistratëve që kanë mbaruar shkollën e magjistraturës, dhe prej disa muaj ishin në pritje të ushtrimit të detyrës. KLP ndryshe nga KLGJ ka qenë më aktive në vendimet e marra, duke i dhënë prioritet kryesor ngritjen e strukturës hetimore të SPAK. Por me krijimin e saj nuk duhet të “tremben” vetëm politikanë të nivelit të lartë, por edhe vetë prokurorët që do të aplikojnë për këto pozicione, pasi do u duhet të heqin dorë përfundimisht nga privatësia dhe të japin shpjegime deri për kushërinjtë e katërt.
Trajtim special, por nën monitorim…
E gjithë trupa prej 15 prokurorësh e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion përveç trajtimit special që do të marrin, (në paga të larta dhe benefite të tjera), do të heqin dorë me vetëdije pothuajse nga një pjesë e mirë e privatësisë së tyre. Ata duhet t’i nënshtrohen kontrollit të pasurisë dhe figurës, duhet të japin pëlqimin për kontrollin periodik të llogarive të tyre bankare dhe kontrollit të telefonit. Ligji për këtë strukurë të posaçme që do jetë elita e prokurorëve në hetimin e zyrtarëve të nivelit të lartë, nuk do të “privohen” vetëm si individë. Këtij kontrolli parashikohet që ti nënshtrohen edhe familjarët e afërt, të cilët edhe ata duhet të japin pëlqimin e tyre. Kandidatët për prokurorë të SPAK pritet të plotësojnë disa formularë, ku perveç gjeneraliteteve të tij dhe familjarëve, ai duhet të deklarojë edhe të dhëna për vëllezërit, motrat, nipër dhe mbesa, gjyshërit, tezet, hallat, dajat apo xhaxhallarët e deri tek kushërinjtë e katërt dhe krushqia deri në shkallë të dytë. Për këta, aplikuesi duhet të deklarojë emrin e plotë, datëlindjen, vendlindjen, adresën dhe ku punon. Aplikuesi duhet të deklarojë çdo dijeni të tij për ndonjë lidhje të familjarëve të tij me krimin e organizuar. Gjithashtu në formular, kërkohet të shënohen të gjitha shtetet ku aplikuesi ka qenë në 5 vitet e fundit dhe datat e përafërta të udhëtimeve. Vetë verifikimi deri në kushërinjtë e katërt apo krushqitë e dytë, i bën prokurorët që të mendohen gjatë para se të aplikojnë, pasi mjafton vetëm një kriter që të mos plotësohet dhe skualifikimi mund të jetë i menjëhershëm. Përveç trupës së prokurorëve edhe pjesa tjetër mbështetëse të Oficerëve të Policisë Gjyqësore do të kalojë në të njëjtin filtër dhe të gjithë më parë duhet të dalin nga “purgatori vetting”. Ndonëse brenda një muaji që nga dita e sotme do dalin emrat e parë të prokurorëve që pritet të aplikojnë, procesi i verifikimit do të jetë disi i gjatë. Lista me aplikantët fillimisht do i kalojë Kolegjit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), që me ligj e ka të detyruar për ti përfshirë në listën prioritare të kontrollit. Nëse e kapërcejnë kriterin e pasurisë, integritetit moral dhe aftësinë profesionale, atëherë një tjetër fazë verifikuese i përket së ardhmës, që lidhet pikërisht me plotësimin e formularit që pranon të kontrollohet në çdo kohë mbi llogaritë bankare apo numrat e telefonit të tyren dhe familjarëve, deri në breze të largëta. Ekspertët ndërkombëtarë, në hartimin e drafitit ligjor të sistemit të drejtësisë, e konsiderojnë këtë strukturë si më të rëndësishmën, pasi do jetë elita e prokurorisë që ka vetëm një detyrë specifike: hetimin e zyrtarëve të lartë publik.
SPAK, efektet e para pas një viti
Specialistë të fushës juridike parashikojnë se me ritmet e deritanishme të procesit të vettingut efektet e SPAK mund të ndihen pas një viti, ku dosjet e para me zyrtarë të lartë do hetohen nga kjo strukturë e sistemit të ri të drejtësisë. Zvarritjet e procesit të vettingut e shtynë në kohë krijimin e KLGJ dhe KLP, duke pamundësuar strukturat në varësi, që janë krijuar eknkas në hetimin e më pas gjyimin e zyrtarëve të nivelit të lartë. Sinjalin e parë të zvarritjes e dha vetë KPK, (Komisioni i Pavarurur i Kualifikimit), që e nisi procesin e parë të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në muajin mars të vitit të kaluar dhe e përfundoi listën prioritare vetëm në fundin e nëntorit. Më shumë se tetë muaj proces për të mbërritur në fazën finale, për më shumë me disa bilance jo fort bindëse edhe përsa i përket thellimit mbi vlerësimin në tre drejtime të subjekteve rivlerësuese. Për KLGJ dhe KLP, 35 subjekte kishin aplikuar dhe në bazë të rregullores, kjo do ishte lista prioritare. Edhe pse këto subjekte duhet të ishin pjesa thelbësore e vettingut, KPK pati shumë vonesa, shpesh të pa justifikuara. “Zhvillimi i seancave dëgjimore u shoqërua me ritme të ulta dhe shkëputje kohore. Muaji korrik, ishte muaji i vetëm, i cili shënoi numrin më të madh të seancave dëgjimore, ndërkohë që gjatë muajve mars dhe tetor, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) nuk shqyrtoi asnjë nga subjektet kandidatë për KLGJ apo KLP”-thuhet në raportin e publikuar nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes. Gjithashtu, rreth 35 % e gjyqtarëve dhe prokurorëve që kaluan testin e vettingut dhe më pas u bënë pjesë e konkurimit për në dy institucionet e rëndësishme Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor janë vlerësuar me: “aftësi profesionale minimale”. Tashmë faza e krijimit të SPAK është tema kryesore në drejtësinë e re dhe brenda një muaji do dalin emrat e parë të aplikantëve.