Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian diskutuan nëse duhet të hapin ‘dritën jeshile’ për fillimin e negociatave të anëtarësimit të Maqedoninë dhe Shqipërinë, mes ndarjeve midis 28 shteteve anëtare të BE mbi këtë çështje.
Të dy vendet e Ballkanit Perëndimor shpresojnë se ministrat do të japin përparim në takimin e tyre në Luksemburg më 26 qershor, i cili do të hap rrugën për aprovim nga krerët e BE në një samit në 28-29 qershor.
Duke folur në Vjenë, Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, u kërkoi udhëheqësve evropianë të vazhdonin “motivimin” e vendit të tij për reforma.
“Motivimi nga BE është forca udhëheqëse në vendet e Ballkanit Perëndimor”,- tha ai.
Por zyrtarët e BE u cituan të thoshin se, Franca dhe Holanda, mbështetur nga Danimarka, dëshirojnë më shumë reforma për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri dhe Maqedoni, para se të fillojnë bisedimet e anëtarësimit.
Duke folur përpara takimit të Luksemburgut, Ministri i Jashtëm hollandez, Stef Blok, pranoi se, të dy vendet kanë bërë “përparim të rëndësishëm”.
“Por, në të njëjtën kohë, ata nuk janë ende aty ku duhet”,- tha Blok gjithashtu. “Ne duam të shohim një rekord në luftën kundër korrupsionit dhe sundimit të ligjit”.
Michael Roth, ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, tha se, ishte optimist se ministrat mund të bien dakord për hapjen e bisedimeve të pranimit me dritën jeshile, duke këmbëngulur se, të dy vendet e Ballkanit kanë bërë “përparim të dukshëm në fushën e sundimit të ligjit dhe pavarësisë së gjyqësorit”.
“Unë mund të apeloj vetëm një herë për miqtë tanë në Holandë dhe Francë, që të mos qëndrojmë në rrugën e një konsensusi të nevojshëm”,- tha Roth.
“Sot mund të ngremë disa shqetësime dhe mund të bëjmë të qartë se veçanërisht Shqipëria duhet të përmbushë disa parakushte për hapjen e kapitujve për negociatat”,- tha gjithashtu ministri gjerman.
Më 25 qershor, Johannes Hahn, komisioner për politikat evropiane të fqinjësisë dhe negociatat e zgjerimit, paralajmëroi se nuk vonon fillimin e bisedimeve të anëtarësimit me të dy vendet, duke theksuar rëndësinë e dhënies së një “sinjali pozitiv” për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Hahn tha në një konferencë ndërqeveritare BE-Mali i Zi në Luksemburg se, Maqedonia duhet të “shpërblehet” për nënshkrimin marrëveshjes me Greqinë këtë muaj, për t’i dhënë fund një mosmarrëveshjeje 27-vjeçare mbi emrin e ish-republikës Jugosllave.
“Unë mendoj se nëse kjo nuk shpërblehet në mënyrë kuptimplote, mendoj se kjo do të ketë një ndikim të menjëhershëm dhe të madh për stabilitetin e rajonit”,- tha Hahn.
Përveç Maqedonisë dhe Shqipërisë, katër vende të tjera të Ballkanit mbeten jashtë BE-së, Bosnjë-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia./Radio Europa e Lirë/