Banorët e lagjes “10 Korriku” në Vlorë prej muajsh protestojnë kundër ndërtimit të një kompleksi pallatesh, pasi punimet po u rrezikojnë shembjen e banesave të tyre. Përpjekjet e banorëve për t’u informuar mbi projektin e miratuar më 11.05.2018 nga Bashkia Vlorë kanë dështuar. Takimi me drejtuesit vendorë duket se është një mision i pamundur për ta.
Enver Hatija, banor i kësaj zone, tregon se projekti është miratuar pa u konsultuar me ta dhe se ndërtimi bëhet në hapsira publike.
Banorët e lagjes “10 Korriku” nuk janë të vetmit të cilët e kanë të pamundur të marrin informacion zyrtar në lidhje me vendimet që ndikojnë në jetën e tyre, edhe pse “e drejta për informim” është e drejtë kushtetuese e parashikuar në nenin 23 të saj, i cili garanton që informacioni duhet të jetë i aksesueshëm nga të gjithë. Faqet zyrtare, në të shumtën e rasteve, janë aplikacione që shërbejnë për kurimin e imazhit të qeverisë se sa ofrojnë informacione të aksesueshme dhe të dobishme për publikun.
Me qëllim dhënien e ndihmës së qytetarëve, për të siguruar informacione apo dokumente zyrtare që kanë të bëjnë me vendimmarrjen e instucioneve që ndikojnë në jetën e tyre, Qendra Res Publica ka hapur portalin Publeaks.al. Çdo qyetar mjafton të ketë në mendje një pyetje, që nga projektet zhvillimore në zonën e tyre e deri tek kureshtja se si përdoren taksat e tij, mund t’i drejtohet portalit për marrë informacionin e kërkuar.
Ajo çka duhet të bëjnë është formulimi i pyetjeve në dritaren “aplikimi online” dhe më pas është një staf i specializuar që ndjek të gjithë procesin për marrjen e informacionit nga insitucionet qeveritare. Aplikacioni u jep mundësi çdokujt të kontrollojë procedurat e ndjekura, në kohë reale, deri në marrjen e përgjigjes përfundimtare. Qytetarëve u jepet mundësia të kërkojnë t’u ruhet anonimati ndaj aplikacioni mund të përdoret edhe nga punonjës të administratës shtetërore, punonjës të kompanive private apo dhe gazetarë që punojnë për të zbuluar afera të cilat nuk mund të publikohen në mediat ku janë të punësuar.
Risku në ndjekjen e procedurave për marrjen e informacioneve dhe dokumentave zyrtare merret nga vetë Qendra Res Publica. “Nga të gjithë plaftormat që marrin përsipër garantimin e të drejtës së informimit, nisma jonë është civile, nuk ka konflikt interesi me shtetin, madje nuk kemi as frikën e përballjes me të deri në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut” – thotë drejtori ekzekutiv i Qendrës Res Publica, Dorian Matlija.
Deri më tani aplikacioni është përdorur nga qytetarë që kanë formuluar rreth 1300 kërkesa nga të cilat, 92 % kanë marrë përgjigje ndërsa pjesa tjetër po ndiqet nga stafi i Qendrës Res Publika. Rezultatet, sipas drejtuesit Matlija janë granaci për suksesin e platformës. Të dhënat e grumbulluara nga pyetjet e anonimizuara janë “Open data”, që do të thotë se mund të përdoren, jo vetëm nga gazetarët, studiuesit por dhe qytetarët e zakonshëm. Nëpërmjet platformës, kushdo mund të gjejë dhe përdorë informacione, që nisin nga çëshjet e mjedisit, zhvillimit të territorit e deri tek proceset gjyqesore për të drejtën e informimit, procedurë kjo që ndiqet nga juristët e vetë organizatës në rast të refuzimit të dhënies së informacionit nga autoritetet shtetërore.
Kërkesat për të drejtën e informimit mund të bëhen edhe nga shtetas që jetojnë në vende të ndryshme të botës. Ajo çka duhet të bëjë çdo kush është harxhimi i pak minutave, on line, për të përshkruar problemin dhe pyetjet që ata kanë. Të gjithë hollësitë e procesit dhe përgjigjet do të jenë on line dhe në kohën më të shpejtë të mundshme.
Faqja është e dobishme dhe për ata që duan të dinë më shumë për jurispudencën, si studentë, studiues apo aktivistë të shoqërisë civile, të cilët mund të gjejnë informacion më të thelluar mbi të drejtën e informimit, si komentarë, studime dhe vlerësime të zbatimit të ligjit, etj. Monitorimi i nivelit të transparencës së institucioneve publike është një tjetër proces që ndiqet nga Qendra Res Publica dhe të dhënat janë të aksesueshme në portalin Publeaks.al. Qëllimi është vlerësimi se si institucionet publike më të rëndësishëm në vend zbatojnë ligjin për të drejtën e informimit.
Ky opsion synon nxitjen e trasparencës dhe bërjen publike të përgjegjësive ligjore që ato kanë në refuzimin e dhënies së informacionit. Aplikacioni jep pamje të qartë mbi punën e institucioneve të ngritura me ligj për të garantuar trasparencën si Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Risia e fundit e platformës Publeaks.al është se ajo tashmë mund të shkarkohet dhe përdoret lehtësisht edhe në telefon, si në Android apo dhe për Iphone (ende në fazë eksperimentale).