Ish-kryeplaku që mbeti i vdekur mbrëmë në një atentat, u ekzekutua 100 metra larg shtëpisë. Ngjarja dyshohet për shkak të përfshirjes në një konflikt pronësie.
Ish-kryeplaku i fshatit Shegas në Lushnje u ekzekutua mbrëmë sapo do hapte portën e shtëpisë. Sipas TV Klan, deri në këto momente, për ngjarjen e rëndë policia ka shoqëruar 15 persona. Autori i kishte zënë pritë dhe e qëlloi me një plumb në kokë, kur viktima Qemal Alla zbriti nga fuoristrada e tij për t’u futur në shtëpi. Sipas informacioneve, Alla disa minuta më parë ishte qenë në lokalin e fshatit, pronë e vëllait të tij.
48-vjeçarit i kanë bërë pritë dy persona ende të paidentifikuar, me breshëri kallashnikovi, vetëm pak metra larg banesës duke e lënë të vdekur.
Policia bëri të ditur se viktima ka qenë i vetëm teksa po kthehej në banesë me makinë, kur u qëllua me disa plumba nga një distancë e afërt dhe ka marrë dëmtime në pjesën e fytyrës. Krismat kanë vënë në alarm familjarët, por edhe fqinj të tij, të cilët kanë dalë menjëherë dhe e kanë gjetur 48-vjeçarin të vrarë brenda në makinë.
Forca të shumta policie nga komisariati i Lushnjes, Drejtoria Vendore e Policisë Fier dhe FNSH, shkuan në vendngjarje. Gjatë gjithë natës u ngritën pika të shumta kontrolli dhe njëkohësisht u bë krehja e zonës për kapjen e autorëve të krimit.
Viktima jetonte vetëm me bashkëshorten, kurse djali është emigrant në Greqi. Në fshat ai njihej si person i qetë, pa konflikte, pa precedentë kriminal.
Grupi hetimor dyshon se vrasja mund të ketë lidhje me detyrën e tij si kryeplak, që ka mbajtur para 10 vitesh, kur edhe është përfshirë në zgjidhjen e disa konflikteve pronësie mes fermerëve.
Por, nga ana tjetër, nuk përjashtohet mundësia që ekzekutimi të ketë lidhje dhe me dyqanin e fidanishtes dhe mund të jetë vrarë për shkak të konkurrencës.
Policia ka marrë në pyetje familjarë të viktimës, por ata nuk kanë konfirmuar ndonjë konflikt, çka mund të orientonte Policinë drejt një piste që do t’i çonte edhe në identifikimi e autorëve. Policia bëri të ditur se të dyja pistat mbeten të hapura dhe njëkohësisht po hetohet për ndonjë konflikt që mund të ketë pasur kohët e fundit 48-vjeçari.