Shkrimtari tregon si e shkroi veprën e cila së fundmi ka ardhur dhe në gjuhën shqipe nën përkthimin e Kristo Pulla
Shkrimtari Emilios Solomou rikthehet në vitin 1870-të, për të sjellë përmes letërsisë historinë e vërtetë të Masakrës së Dhilesit.
Romani i shkruar mbi këtë periudhë “Urrejtja, gjysma e hakmarrjes”, sapo ka dalë në librari botim i Toenës, i përkthyer në shqip nga Kristo Pulla, dhe trajton një temë të ditëve tona, krizën që preku Greqinë por edhe Qipron, vitet e fundit. Është libri i dytë i të njëjtit shkrimtar , fitues i Çmimit Europian për letërsinë për vitin 2013, që vjen në gjuhën shqipe nga e njëjta shtëpi botuese, pas romanit “Ditari i një pabesie” që qarkulloi në tregun tonë në vitin 2016. “Ideja fillestare lindi tek unë gjatë periudhës së krizës, diku aty nga viti 2011. Përpiqesha ta largoja, isha i ngarkuar emocionalisht nga ato që po ndodhnin në Greqi dhe në Qipro. Proza nuk mund të funksionojë në rrethana të tilla, duhej të kalonte kohë, të krijohej një farë distance. Kjo ide ndërkohë vazhdonte të më joshte, sado që unë përpiqesha që ta largoja. Kështu që për disa vite me rradhë mbaja shënime, bëja kërkime. Kur ndjeva se tashmë mund të filloja librin, i çliruar –vërtet i çliruar?- prej emocioneve, e fillova. Personazhet tashmë kishin marrë një farë forme dhe vazhdonin me këmbëngulje të trokisnin në derën time. Por tek e fundit, a kemi të bëjmë me një libër tjetër që trajton temën e krizës? Ky problem më mundonte që kur më lindi ideja e librit deri sa e mbarova. A nuk funksionon rregulli që dikush të shkruajë për një epokë, pasi kjo epokë të ketë kaluar, në mënyrë që të mos bjerë me këmbët e veta në grackën e përditshmërisë? Nuk mendoj se ka ndonjë rregull që nuk mund të anashkalohet, dhe as ndonjë recetë konkrete për të shkruar një libër”, tregon Solomou.
Romani “Urrejtja, gjysma e hakmarrjes”, i referohet së sotmes, por mbështetet në një ngjarje reale të vitit 1870, Masakrës së Dhilesit. “Në atë periudhë, banda e Arvanitakëve, vrau mizorisht katër udhëtarë të huaj, aristokratë, tre Anglezë dhe një Italian, pasi i mbajti për dhjetë ditë si pengje. Në histori kjo ngjarje njihet edhe si ‘’Masakra e lordëve’’. Ngjarjet në libër lëvizin vazhdimisht para – mbrapa, nga e sotmja tek e djeshmja dhe anasjelltas. Personazhi kryesor është një Qipriot, pasardhës i njërit prej anëtarëve të bandës, i cili ishte larguar prej ishullit të vet i përndjekur dhe luftoi në Kryengritjen e Thesalisë gjatë Luftës së Krimesë të periudhës 1854 – 1856. Greqia pas asaj masakre, u bë delja e zezë e Europës, opinioni publik europian u kthye me histeri kundër saj, ashtu siç ndodhi gjatë viteve të krizës së tanishme. Ngjarja e vitit 1870 më dha rastin të shqyrtoj ngjashmëritë e së kaluarës dhe të tashmes, të vëzhgoj, pa pretenduar se kemi të bëjmë me një vepër historike, patogjenezat e shtetit grek pothuajse që prej krijimit të tij. Është i habitshëm fakti, se shkaqet që penguan shndërrimin përparimtar të vendit në një shtet më modern europian, janë të njëjtët që e çuan në qorrsokakun e sotëm ekonomik, shoqëror dhe politik. Kam përshtypjen se këta faktorë pengues, janë po ata që shfaqen në vende të rajonit që e fituan pavarësinë e tyre më vonë se Greqia, siç është për shembull Shqipëria”, tregon Solomou. Sipas tij, në Poloni për shembull, ku libri i tij ka disa muaj që ka dalë në treg, kritika përqëndrohet kryesisht në këto ngjashmëri historiko-politike dhe shoqërore. “Këto vende, edhe sot bile, përjetojnë po ato eksperienca. Strukturat e tyre janë të ndërtuara në bazë të interesave të një pakice dhe me ndërhyrjet nga jashtë. Në mënyrë që këto vende të ecin përpara, kërkohet veç të tjerash, më shumë demokraci, më shumë investime në arsim. Çelësi është që qytetarët e këtyre vëndeve të jenë më të kultivuar, më kërkues.
E vërteta është se m’u desh që të studioja shumë, në mënyrë që të përfundoja librin. M’u desh bile që të kërkoja në Athinë apo në Atikë, gjurmët e protagonistëve të asaj ngjarjeje të vjetër. Lindi nevoja që të ndiqja itinerarin e banditëve dhe të pengjeve të tyre, nga Pikermi, në Pendeli, në Oropo dhe në Sikamino, në prill të vitit 1870, të lokalizoj, me sa ishte e mundur,banesat, qoftë edhe gërmadhat e tyre, ku kaluan ato ditët e fundit në ankth. Udhëtimi im, në fakt autopsia në vendin e ngjarjes, ishte shumë i vlefshëm, në mënyrë që libri të jetë i besueshëm dhe t’i afrohet sa më shumë së vërtetës. Në këtë mënyrë, ky roman, përmes formave të njëpasnjëshme që mirrte me kalimin e kohës, u shndërrua në një aliazh fiksioni dhe realiteti historik, personazhesh realë dhe imagjinarë”, thotë shkrimtari.