Gjykata e Apelit në Katania ka konfirmuar masën e sigurisë së caktuar nga Shkalla e Parë atje për Nezar Seitin, i konsideruar nga Prokuroria italiane si krahu i djathtë i Moisi Habilajt dhe njëherësh “financieri” i bandës.
Kështu, në fund të muajit gusht, Seiti u la në “arrest shtëpiak” në një seancë për rivlerësim mase. Prokuroria e Katanias e apeloi vendimin dhe tashmë, Apeli vendosi që Seiti do të qëndrojë në arrest shtëpiak deri në përfundim të gjyqit. Procesi ndaj bandës së Moisi Habilajt pritet të nisë brenda këtij muaji. Seiti, megjithatë, ende nuk është liruar nga qelitë e paraburgimit, për shkak se ende nuk i është vendosur byzylyku elektronik. Mbrojtja e Seitit pretendon se ai ka pasur një rol periferik te banda e Moisi Habilajt.
Sipas tyre, ai ka qenë thjesht një i punësuar dhe ka dalë në skenë tepër vonë. Mirëpo, në dosjen e Prokurorisë së Katanias, ai përmendet si i rëndësishëm dhe ka qenë subjekt nën përgjim. Në dosje ai përmendet si një ndër dy bashkëpunëtorët e ngushtë të Moisi Habilajt. Seiti përmendet në dosje edhe me nofkën “Gazepi” dhe ka pasur role organizative në grupin e strukturuar. Ai ndihmonte grupin në logjistikë, duke siguruar karburantet për skafet, me të cilët kryej transporti i drogës, si edhe kryente transferta parash për dërgesat.
Ai ka dalë në skenë në përgjimet që janë bërë në vitin 2015 e pas, ku sipas dosjes, Seiti ka qenë mjaft aktiv dhe ka udhëtuar disa herë nga Shqipëria drejt Italisë për t’i ardhur në ndihmë Moisi Habilajt. Për të ka me dhjetëra biseda të përgjuara, ku flitet për skafe, karburante, si edhe për transportin e drogës dhe çmimin e tregut të zi për të.
“Nga përgjimet që kemi bërë, dalim në përfundimin se nga qershori i vitit 2015 e më pas, dy bashkëpunëtorë të ngushtë të Moisi Habilajt janë Maridian Sulaj dhe Nezar Seiti. Sulaj dhe Seiti ishin në krye të transfertave që kryheshin nga Shqipëria në Itali, edhe për llogari të Angelo Busacca-s”, shkruhet në faqen 342 të dokumentit të dalë nga Prokuroria e Katanias. Në një bisedë me Sulajn, Seiti thotë se “nuk i kemi punët mirë me ata të shtetit”. Bëhet fjalë për një bisedë të regjistruar në janar të vitit 2017. Materiali ka plot biseda mes tij dhe Moisi Habilajt, të regjistruara kryesisht në një automjet, me të cilin lëviznin.
EKSTRADIMI
Nezar Seiti, i cili u arrestua në Shqipëri në fund të vitit të kaluar, shihej nga Prokuroria e Krimeve të Rënda si dëshmitar kyç në hetimet për ishministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Megjithatë, në janar të këtij viti, Seiti u ekstradua në Itali mes shumë polemikash. Ky ekstradim u bë edhe pjesë e një hetimi nga Prokuroria e Durrësit me urdhër të Kryeprokurores Marku. Ishkreu i Krimeve të Rënda, Besim Hajdaramtaj, i cili është njëherësh edhe prokuror i dosjes “Tahiri”, në një prononcim për “Panoramën”, thoshte në janar se ekstradimi i Seitit nuk duhet të ndodhte, pasi për të, Krimet e Rënda kishin nisur procedim penal.
Nga ana tjetër, hetimi i Prokurorisë së Durrësit nxori se vendimi i Gjykatës së Tiranës, që i tha po ekstradimit të Seitit nuk ka shkelje dhe ishte tërësisht i bazuar në ligj. “…Vendimmarrja e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për miratimin e ekstradimit është e drejtë dhe e bazuar në ligj. Ajo çfarë ka sjellë problematikën e rastit objekt hetimi është arsyetimi i vendimit gjyqësor, ku thuhet se nuk ekziston asnjë nga pengesat ligjore të parashikuara nga neni 491 i Kodit të Procedurës Penale, pa bërë një verifikim paraprak” thuhet në vendim.