Dy ish-drejtuesit e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Olsian Çela dhe Besim Hajdarmataj, pasi fituan gjyqin me Kryeprokuroren Arta Marku në Gjykatën Administrative, kërkojnë të rikthehen në detyrën ku kanë qenë.
Kërkesa e tyre është shqyrtuar dje në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, por nuk ka marrë pëlqimin e shumicës së anëtarëve për të dalë në një vendim. Për këtë, KLP-ja ka vendosur se do ta shqyrtojë këtë çështje më 7 janar të vitit që vjen.
Prokurorët Olsian Çela e Besim Hajdarmataj fituan betejën gjyqësore me Kryeprokuroren Arta Markun, e cila i transferoi në prokuroritë e rretheve, përkatësisht në Berat dhe Pogradec, pas një konflikti të ashpër që u krijua në institucion për dosjen “Shullazi”.
Në dy vendime të ndryshme, ditën e mërkurë Gjykata Administrative shpalli të pavlefshëm urdhrat e Kryeprokurores së përkohshme për transferimin e dy prokurorëve me arsyetimin se ishin të paargumentuar, ndonëse në atë kohë Arta Marku deklaroi publikisht përmes një letre drejtuar qytetarëve se po ndëshkonte ata që refuzojnë të përballen me krimin.
“Gjykata vlerëson se urdhri bie kundërshtim me nenin 59 të ligjit numër 96 2016. Ai nuk përmban elementët e domosdoshëm të kërkuar nga ky ligj. Për këtë arsye, ky akt duhet shfuqizuar”, thuhet në vendimin e Administratives./Panorama