Kambisti nga Cërriku Adem Ngjela, i cili mëngjesit e sotëm ra pre e grabitësve ka rrëfyer në një prononcim për mediat të gjithë skemën e ngjarjes ku protagonist ishte ai vetë. Cela thotë se si zakonisht doli nga shtëpia në orën 06:30 të mëngjesit, ndërsa autori i grabitjes po e priste përballë një dyqani duralumi në Cerrik.
“Si zakonisht po i drejtohesha makinës që nga hyrja është vetëm 1 m larg. Kur hyra në makinë, hapa kroskotin dhe futa lekët. I kisha në një qese me zinxhir të mbledhura me gazetë rreth 14 milion e ca lekë. Momentin që i futa në kroskot doja t’i hidhja pak ujë makinës dhe vajta nga mbrapa tek bagazhi. Përballë tek një dyqan duralumin pashë një person që qëndronte mjaft i qetë. Po afrohej drejt meje dhe unë e mora për person të zakonshëm. Mund të jetë një hallexhi që po pret këta të duraluminit thashë me vete. Kur u afrua 2-3 m larg makinës nxori pistoletën dhe më tha: Largohu nga makina se të vrava! Mos bëj asnjë lëvizje se të vrava! Unë po e shikoja me mëdyshje se mos kishte ndonjë pistoletë lodër dhe po e bënte për të më trembur. Por si e shtoi kërcënimin e drejtoi pistoletën në drejtimin tim. E kishte gjysmë të ngritur më pas ma afroi. Aty thashë ky do të tentojë të më vrasë dhe ika me vrap në drejtim të shtëpisë.”- rrëfen i tronditur kambisti Cela, ndërsa shton se duke vrapuar për në banesë, kërkoi ndihmën e fqinjëve.
“Ishte i pa maskuar fare. Ishte rreth 40 vjeç, i shëndoshë rreth 1.75 i gjatë. Po ta shoh e njoh direkt.” vijon me tej ai, ndërsa rrëfen se autorët i kishin carë një prej gomave të makinës.