Nga Gentian Kaprata
– Memo Sovranit
Ajo që nuk po kuptojnë elitat drejtuese të partive, vecanërisht elitat e partive opozitare meqë ato janë të interesuara për rrotacion, është fakti se shoqëria shqiptare ka evoluuar shumë përgjatë këtyre 25 vjetëve. Kjo është arsyeja bazike që partitë shqiptare këmbëngulin ta mbajnë diskursin dhe veprimin politik në të njëjtat lojëra gjuhësore, koniunktura termash apo kuptimesh, skema apo strategji veprimi, sikurse 25 vjet më parë. Ato vazhdojnë të mbështeten te strategjia ‘ne duhet të votohemi sepse pala tjetër është shumë e keqe’, pa e kuptuar se po e limitojnë komunikimin publik vetëm me votuesit që kanë trashëguar, ndërkohë që elektorati shqiptar i përket tashmë një spektri më të diversifikuar. Ai nuk është më dypolar, ku të dyja gjysmat votojnë kundër partisë armike, por është kolorifikuar edhe me një pol të tretë që rritet gjithmonë e më shumë, dhe që voton partinë që i jep argumente ‘çfarë dhe si do të ndryshojë në vend, nëse ajo merr drejtimin’.
Sigurisht, ky shkrim modest, nuk ka për qëllim të rregullojë punët e partive, porse jemi shumë të interesuar për produktin qeverisës të tyre që në rastin më të mirë hipotetik po na qeverisin ‘duke na vjedhur më pak se qeverisja e mëparshme’. Për më keq akoma, kjo qasje po ndërton një “paradigmë politike” të gabuar nëpërmjet të cilës diskursi i partive tenton të shpjegojë dhe t’i japë zgjidhje çdo problematike shoqërore. Një ndër to, ajo që në fakt është drejtpërdrejt në interesin e këtij shkrimi, ka lidhje me ribërjen urbane të Tiranës dhe në mënyrë specifike me përgjigjen e pyetjes ‘a duhet të ndërtojmë apo të vendosim një moratorium në Tiranë?’. Pyetje bazike kjo për qytetin, por që elitat drejtuese të partive po i japin përgjigje partiake, ndërkohë që ajo ka domosdoshmëri për një përgjigje të spektrit ligjor dhe teknik. Çka prezanton edhe hallin më të madh të Tiranës sepse, për këtë çështje, ligjorja dhe teknikja janë në konflikt të fortë mes tyre.
Nga njëra anë kemi ‘kontratën sociale’, nisur nga ligji i parë i Shtetit (Kushtetuta), të gjithë shtetasit janë të barabartë në këtë organizimin tonë shoqëror që e quajmë Republikë. Dhe në këtë kuptim, sikurse për shumëçka, edhe për çështjen e rizhvillimit të pronës brenda të njëjtës njësi urbane duhet të ketë barazi. Mirëpo, mënyra e fragmentarizuar e zhvillimit që kemi lejuar ka prodhuar njësi urbane ku vetëm 3-5 % (e mesatarizuar) të titujve të pronësive janë rizhvilluar ndërsa pjesa tjetër mbeten në pritje. Sigurisht, që ribërja e qytetit është një aktivitet që shtrihet në kohë, porse një gjë është e sigurt, të gjithë këta tituj pronësish duhen lejuar të rizhvillohen dhe të kenë të njëjtën masë zhvillimi/përfitimi, sikurse kufitarët e tyre që janë rizhvilluar tashmë. Kështu që, nëse pranojmë se jemi të barabartë, Tirana duhet të ketë një bum ndërtimi që i mundëson rizhvillimin, veçanërisht, një pjese prej 20-30% të pronësive që janë në emergjencë.
Nga ana tjetër kemi ‘dijen shkencore’, njohuritë dhe teknikat e bërjes dhe ribërjes së qytetit (Urbanistika), të cilat na diktojnë se njësia urbane duhet të ketë kapacitetet maksimal mbajtës. Që do të thotë se në një njësi urbane mund të kryejnë aktivitet njerëzor një numër i përcaktuar qytetarësh, sepse në të kundërt njësia “bie”. Të njëjtat dije na mësojnë se si ky numër maksimal i lejuar qytetarësh (densitet) mund të konvertohet në volume të lejuara ndërtimore. Sigurisht, që këta numra varen nga një sërë karakteristikash urbane të njësisë, porse në çdo rast ky kushtëzim themelor duhet respektuar. Mirëpo, nga mënyra e fragmentarizuar e zhvillimit të deritanishëm të qytetit (mesatarizuar), ne e kemi arritur këtë limit maksimal të lejuar. Përtej kësaj, çka është një argument shtesë, Tirana sot përfshin 35 % të popullsisë kombëtare. Kështu që, nëse jemi shoqëri që pranojmë shkencën, duhet menjëherë të kërkojmë moratorium ndërtimor në Tiranë.
Ky është halli më i madh i Tiranës urbane. Nga njëra anë, sikurse ligjorja dhe morali shoqëror e detyron, duhet të stimulojë ndërtarinë, dhe nga ana tjetër, sikurse shkenca dhe teknika i kërkon, duhet të bllokojë zhvillimin volumor në ndërtim! Çdo shoqëri do ndihej e kapur në një kurth të tmerrshëm, dhe do kërkonte zgjidhje të zgjuara (risi teknike e shkencore), gjithëpërfshirëse (të dakordësuara në procese demokratike) dhe të qëndrueshme (në balancë mjedisore, sociale dhe ekonomike), por jo shoqëria shqiptare. Ajo mbetet në partishmërinë e saj! Një palë po na thonë se ndërtimi duhet lejuar për t’iu përgjigjur ardhjeve të reja në qytet, kurse pala tjetër se duhet bllokuar sepse shërben vetëm për të pasuruar kryebashkiakun! Mes tyre qëndron poli i tretë, që megjithëse rritet progesivisht në kohë mbetet i papërfaqësuar politikisht. Ai është i vetmi që mund të dalë jashtë koniunkturave partiake dhe të kuptojë hallin më të madh të Tiranës urbane.