Winston Churchill- të cilit pak ditë më parë iu përkujtua 50-vjetori i vdekjes- ka mbetur në histori, krahas të tjerash, si politikani që preferonte të fliste të vërtetën. Në botë ka dy lloj politikanësh: ata që gënjejnë, dhe me gënjeshtrat e tyre fitojnë një popullaritet të përkohshëm, dhe ata që artikulojnë të vërtetën, dhe me këtë shpeshherë humbasin popullaritetin, të paktën përkohësisht.
“Nuk mbaj mend ndonjë kohë tjetër kur humnera mes fjalëve të politikanëve dhe asaj çfarë ndodh realisht të jetë kaq e madhe”, – pat deklaruar Winston Churchill në nëntorin e vitit 1932…”Ju lutem, ndërprejini rrenat dhe mësoni t’ia thoni të vërtetën popullit…Ndoshta duke dëgjuar të vërtetën, njerëzit mund të ndjehen fillimisht të ofenduar, por unë do preferoja këtë pakënaqësi të fillimit sesa gjendjen e pakëndshme të zemërimit e të zhgënjimit të madh që do vinte pas gënjeshtrave”.
Për Churchill-in, vlera më e madhe e demokracisë është mbi të gjitha se Demokracia të jep mundësinë që të flasësh të vërteta që nuk të bëjnë popullor. Vetë kundërshtarët e Churchill-it kishin gënjyer gjatë gjithë kohës për rrezikun që sillte Gjermania e viteve ’30, duke e zvogëluar këtë rrezik si të paqenë. Churchill, në të kundërt, pat paralajmëruar me kohë rrezikun e Hitlerit, dhe të njëjtën kohë sakrificat që e prisnin kombin britanik, i cili nuk ka gjë tjetër që të japë veç “gjakut, stërmundimit, lotëve dhe djersës”.
Këmbëngulja e tij për të thënë të vërtetën u shpërblye kur shpërtheu Lufta e Dytë Botërore, kur dhe oponentët e tij politikë u gjendën si njerëzit më të diskredituar, falë gënjeshtrave të tyre, ndërsa Churchill u shfaq si autoriteti i vetëm moral i kombit të vet, falë këmbënguljes për të thënë të vërtetën…Nuk do thosha ndonjë gjë të re nëse do pohoja edhe një herë gjënë më të ditur në botë, se në vendin tonë politikanët janë dhe gënjeshtarët më të mëdhenj. Dhe jo vetëm në vendin tonë.
Por këtu te ne kemi të bëjmë me gënjeshtarë banalë, të paturpshëm, madje që presin dhe duartrokitje dhe lavdërime për gënjeshtrat e tyre. Na duhet t’i japim taksë iluzionit të politikanëve tanë që janë përpjekur dhe vazhdojnë të përpiqen të na mbushin mendjen se ekonomia jonë është ndër më të përparuarat në botë, se vendi ynë është vendi i vetëm që nuk është prekur nga kriza dhe nuk ka frikë se do preket nga kriza, se vendi ynë është një mrekulli ekologjike, se vendi ynë është një Eldorado, se në fund të fundit është një rast krejt i veçantë, mrekullisht i veçantë, unik, në tranzicion të përjetshëm, se vendi ynë është mrekullia e tolerancës fetare…Është gati-gati i njëjti arsenal fjalësh që përdorte dje sistemi komunist, e njëjta psiko–patologji e parezistueshme për të sugjestionuar turmat, si magjistari Mario tek tregimi i njohur i Tomas Manit. Le të marrim iluzionin e aqpërfolur të tolerancës fetare.
Hoxhallarët dhe Dervishët e politikës shqiptare na provojnë çdo ditë se janë intolerantët më të mëdhenj që mund të gjesh. I shohim në faltoret e tyre të Parlamentit, i shohim në minaret e ekraneve televizive tek predikojnë urrejtje dhe mbyllje veshësh për çdo mendim të kundërt me mendimet e tyre, të cilat, krahas të tjerave, intelektualisht, janë dhe mendimet më të dyshimta që mund të gjesh…Toleranca fetare nuk mund të jetë një ishull i vetmuar nga intoleranca e përgjithshme që ka mbërthyer shoqërinë shqiptare në çdo ind të vetin.
Pretendimi ynë se toleranca fetare në vendin tonë mund t’u jepet si një formulë magjike vendeve më të zhvilluara perëndimore (“ambasadori francez u thirr që të marrë si shembull tolerancën fetare të vendit tonë”- kam lexuar në gazetat shqiptare pas asaj që ndodhi në ‘Charlie Hebdo’, Paris), apo show patriotik i stilit të Vatrave të Kulturës të politikanëve shqiptarë, nuk tregon gjë tjetër veçse të vërtetën e asaj që është thënë me kohë, se politikanët shqiptarë të sotëm vijnë me vota të blera, të dhunshëm dhe të paprekur nga civilizimi.
Ose vijnë psikologjikisht dhe kulturalisht drejt e nga sistemi i dikurshëm komunist. Nuk u mbetet gjë tjetër veçse të gënjejnë. Asnjëherë nuk ka ndodhur që gënjeshtra dhe mashtrimi të jenë kaq hapur dhe kaq paturpësisht spektri i vetëm i politikës shqiptare. Çfarëdo që të shohësh: sistemin arsimor, mjekësor, atë ekonomik, administratën,-humnera mes asaj që pretendojnë politikanët që të jetë dhe asaj që është në të vërtetë janë të ndara në mes me një mur më të lartë dhe më të pakalueshëm sesa Muri i dikurshëm i Berlinit. Dhe ushtarët roje të këtij Muri janë politikanët tanë.
Politika shqiptare udhëhiqet nga gënjeshtra e organizuar. Ose nga arroganca e padukshme e gënjeshtrës. Udhëhiqet nga mungesa e personaliteteve në politikën shqiptare, ose nga personalitetet e deformuara të politikanëve të ditës. Por në të njëjtën kohë, për fat të keq, jemi dhe ne, individët e jetës së përditshme, që e pranojmë me dëshirën më të madhe gënjeshtrën e politikanëve. Ose dhe më tepër se kaq: indinjohemi po qe se ata nuk na gënjejnë. Politikanët gënjejnë sepse ata e kanë marrë vesh me kohë se ne i pranojmë të ekzaltuar gënjeshtrat e tyre. Dhe kjo flet jo vetëm për dështimin e politikanëve tanë, por dhe për dështimin tonë.
publicistike fantastike, shum i lumtur qe vazhdoni iluminoni mendjet tona…me padurim pres gjithmone shkrimet tuaja
Poeti Rudolf Marku eshte inteldktuali i pakompromis j se vertetes.
Pergezimet e mia pr. Rudolfit. Njeri i madh si gjithmone.
Edhe pse jam socialist,madje nga Vlora,nuk kam se si te mos jem dakort me jete shkrim te shkelqyer te zotit Marku.
Edhe pse jam socialist,madje nga Vlora,nuk kam se si te mos jem dakort me jete shkrim te shkelqyer te zotit Marku.
Genjeshtaret me te medhenj te politikes shqiptare : Enveri, pr.doct. i genjeshterologjise; Saliu dhe Edi, dy studentet e tij me te shkelqyer; Topalli, e shoqja e Nastradinit, dhe Ilir Méta, Ali Baba i Shpelles se Skraparit.
Pergezimet e vecanta z. Rudolf Marku.
Shkrimi eshte i qarte dhe shkruar me erudicion. Ku Curchilli dhe ku politikanet lopcare te vendit tone! Vendi yne eshte i mbushur me politikane genjeshtare dhe hajdute. Duhet nje cunam qe t’i fshije e ta pastroje vendin.