Si të mbroni shëndetin tuaj gjatë stinës së ftohtë të dimrit. Zvogëloni mundësitë për t’u rrëzuar
Zvogëloni mundësitë për t’u rrëzuar gjatë muajve të dimrit, ku dhe rreziku për të ndodhur një ngjarje e tillë shtohet. Gjatë këtyre muajve ndodh të përballeni me klimën e acartë, shoqëruar kjo me ngrica dhe mjegull. Nëse ju duhet të dilni nga shtëpia, shmangni të dilni herët në mëngjes apo në mbrëmje kur ka rënë errësira, pasi ju nuk mund të dalloni sipërfaqet e ngrira të cilat mund të jenë formuar në rrugë. Nëse ju duhet të dilni nga shtëpia, sigurohuni të vishni këpucë të cilat kanë gomë të dhëmbëzuar (pra jo me pjesën e gomës të lëmuar apo të konsumuar) për të zvogëluar mundësinë e rrëshqitjes, si dhe mund të mbani bastun për t’ju ndihmuar gjatë lëvizjes. Kini parasysh të mos nxitoni, dhe bëni kujdes kur dilni jashtë në oborr apo në rrugë. Sipërfaqet e betonit mund të vishen me akull dhe bëhen të rrëshqitshme gjatë klimës së acartë.
Dieta ushqimore
Duke ngrënë ushqime të shëndetshme dhe duke u ekspozuar në diell, kur është e mundur, ndihmojmë në shëndetin e kockave. Gjatë përgatitjeve për stinën e ftohtë, sigurohuni që të keni në shtëpi ushqimet e domosdoshme si qumësht i konservuar, patate, oriz dhe makarona, si dhe ushqime të konservuara – peshk ton e mish kutie.
Jeni 80% më të rrezikuar nga gripi apo ftohja në dimër nëse nuk keni imunitet të fortë. Prodhimet si djathi, qumështi dhe kosi janë burime të shkëlqyera të proteinave dhe vitaminave A dhe B12. Ato gjithashtu përmbajnë sasi të lartë kalciumi, i cili është i domosdoshëm për shëndetin e kockave.
Ilaçet
Sigurohuni që t’i keni në shtëpi ilaçet që ju merrni. Kushtojini kujdes të veçantë kur ju merrni katër apo më shumë medikamente. Konsultohuni dhe rishikoni mjekimin me mjekun e familjes, si dhe sigurohuni të keni në shtëpi mjekime për probleme shëndetësore të zakonshme .
Aktiviteti
Bëhuni aktiv dhe përfshihuni në komunitet. Kjo do t’ju ndihmojë për të mos u izoluar në vetminë tuaj. Qendrat komunitare mund të bëhen burim mjaft i dobishëm informimi rreth aktiviteteve lokale. Në mungesë të tyre, përfshihuni në shoqërinë e komunitetit të komshinjve në pallatin ku ju banoni.
Lëngje
Përpiquni të konsumoni sasinë e nevojshme të lëngjeve ( p.sh. ujë, pije freskuese )dhe kujdes me sasinë e alkoolit të cilin ju konsumoni, sepse në moshën e pleqërisë ju bëheni më të prekshëm nga efektet e alkoolit. Konsumimi i sasive të rekomanduara të lëngjeve luan një rol mjaft të rëndësishëm në parandalimin e rrëzimeve, si dhe ju bën të ndiheni më aktiv dhe më të fuqishëm. Rekomandohet që ju duhet të konsumoni 6-8 gota lëngje në ditë, ku përfshihen si lëngje të ngrohta ashtu edhe të ftohta.
Ngrohja
Temperatura ideale që duhet mbajtur në shtëpi është 21°C , dhe mundësisht duhet mbajtur konstante. Nëse temperatura e shtëpisë tuaj është shumë e ftohtë, kjo mund të rrisë rrezikun e kalimit të trupit tuaj në gjendje hipotermie, si dhe të rrisë rrezikun për kriza zemre. Megjithatë, nëse temperatura e dhomës tuaj bëhet mjaft e lartë, kjo mund të bëjë që ju të keni vështirësi në frymëmarrje, të ndiheni të lodhur dhe të këputur. Dhoma e gjumit duhet të jetë në temperaturën 18°C dhe duhet të ngrohet disa orë përpara se të bini për të fjetur, po ashtu pak para se të ngriheni në mëngjes. Kur lëvizni nga një ambient i ngrohtë në një ambient të ftohtë, pra nga kuzhina që ju e mbani ngrohtë për në dhomën tjetër e cila është e ftohtë, kjo mund të shkaktojë një trashje të gjakut në trupin tuaj. Prandaj, për të ruajtur temperaturën e trupit tuaj në parametra normalë, duhet të vishni një triko apo diçka tjetër kur dilni për në dhomën tjetër e cila është e ftohtë.
Foshnjat dhe fëmijët
Sa më të vegjël të jenë fëmijët, aq më shumë rrezikojnë nga uljet e temperaturës dhe sëmundjet, ndaj evitoni në maksimum daljet dhe siguroni një temperaturë konstante në shtëpi. Të porsalindurit deri në 6 muajsh, rrezikojnë më shumë nga i ftohti, pasi përgjigjja e organizmit të tyre nëpërmjet termo- rregullimit, dhe aftësia e tyre për të komunikuar, ende nuk janë zhvilluar plotësisht. Për këtë arsye, prindërit duhet të kontrollojnë herë pas here këmbët, duart e veçanërisht fytyrën. Foshnjat rekomandohen të pinë rregullisht gji, sa herë të dëshirojnë, dhe nëse kanë filluar edhe ushqimet plotësuese, të mos harrohet dhënia e lëngjeve, për të garantuar hidrim të mirë të tyre.
Disa rekomandime shtesë për fëmijët më të rritur:
- Ushqyerja duhet të jetë sa më e larmishme me ushqime nga të gjitha grupet ushqimore. Konsumoni 5 vakte ushqimore:
- një mëngjes i pasur (bukë, qumësht, mjaltë, vezë etj.);
- fruta apo perime (të freskëta, të pjekura apo lëng i shtrydhur);
- dreka me ushqime proteinike (mish, peshk, shpendë, fasule, thjerrëza), karbohidrate (bukë, oriz, makarona etj.) e perime të ndryshme;
- fruta, perime, kos apo akullore (ka veti anti-inflamatore);
- darka me ushqime të variueshme. Për shembull: supa e pulës është shumë e këshillueshme gjatë dimrit, pasi përmban proteina të tretshme dhe ka veti anti- inflamatore, rehidruese (sidomos për gjendjet gripale), ofron nxehtësi dhe fluidifikon mukozat (shkrin sekrecionet).
- mbani të lira rrugët e frymëmarrjes, duke i mësuar të fryjnë mirë hundët dhe duke përdorur ujë fiziologjik për t’i liruar ato. Nëse hundët janë vazhdimisht të zëna, atëherë mund të nevojitet edhe terapia me aerosol apo avuj të thjeshtë me solucion fiziologjik. Rekomandohet të përdoren facoleta me një përdorim, të cilat duhet të hidhen në kosh pas përdorimit, për të evituar kontaminimin e të tjerëve;
- fëmijët kanë gjithashtu nevojë të dalin të luajnë në ajër të pastër dhe të ekspozohen në diell. Zgjidhni orët më të ngrohta gjatë ditës dhe kujdesuni të mos djersitin, ndaj rekomandohet të vishen me disa shtresa, që të hiqen nëse duhet.