Një sëmundje e rëndë e mbajti gjatë në vështirësi, por kurrë nuk hoqi dorë nga të besuarit se do ia dalë, e me gjithë kurajën e guximin, gazetarja Sonila Mesareja (Caka) u nda nga jeta një javë më parë. Mesareja punoi për vite me radhë si reportere e kronikës për disa prej redaksive të gazetave në vend dhe ndarja e saj para kohe nga jeta trishtoi familjen, miqtë dhe kolegët. “Sonila ishte kolege e dashur, model i këmbëngulëses dhe një profesioniste që modestinë e kishte virtyt ndërsa kurajën dhe durimin i mbartte si vlera njerëzore që i shtonin besimin te lexuesi dhe komuniteti i gazetarëve”, thuhet në mesazhin e ngushëllimit për familjen shpërndarë nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë. E nisi gazetarinë 18 vite më parë e bindur për t’ia dalë dhe shpejt zuri vend në disa media të shkruara, duke u specializuar kryesisht në kronikë, në sektorin e çështjeve të drejtësisë. Si pjesë e disa seminareve dhe shkrimeve të gazetarisë investigative, Mesareja arriti të linte gjurmë në median e shkruar, por më shumë se në gjithçka, la shenjë si njeri i komunikueshëm dhe me dëshirën e përhershme për të ndihmuar në shoqëri. E nisi karrierën në kohë të vështira, ku etja e medias kishte nevojë për profesionalizëm e përkushtim. Të dyja ishin pjesë e Sonilës që preferonte të ishte “reportere” që prekte realitetin, me ngulmin e vazhdueshëm për të vërtetën. Ajo ndante buzëqeshje e guxim edhe në ditët e saj më të vështira, ndërsa ikja e saj e parakohshme la të trishtuar djalin 4-vjeçar, familjarë, të afërm e kolegë.
“Mikja ime Sonila! Luftove për jetën prej muajsh me aq vitalitet dhe forcë. Por vdekja t’u qep këmba-këmbës, të donte ty. Fitoi, të rrëmbeu. Të shihja tek shuheshe, por asgjë s’kisha në dorë. E shikon – të thashë – po bëhesh më mirë. Je më mirë se dje, je më mirë se pardje. Mendoja se nga fjala ime do merrje energji, do çoheshe në këmbë do vazhdoje përpara, aty ku e le, atë ditë kur u diagnostikove me tumor. Të thosha “sa mirë që je sot” por gënjeja veten, jo ty. Sepse as që doja ta pranoja se ti po ikje. Nuk dua ta pranoj që ike. Ku shkoi gjithë ajo energji pozitive që përcillje, gjithë ajo forcë? Mikja ime e rrallë si të të them lamtumirë, nuk kam fuqi…”, shkruan ndër të tjera gazetarja Anila Hoxha, një nga mikeshat e saj në jetë e gazetari.
Sonila ishte kolege e dashur, model i këmbëngulëses dhe një profesioniste që modestinë e kishte virtyt ndërsa kurajën dhe durimin i mbartte si vlera njerëzore që i shtonin besimin te lexuesi dhe komuniteti i gazetareve. Ajo shërbeu në redaksitë e shtypit të shkruar si profesioniste e heshtur dhe me kujdesin për të ruajtur vlerat dhe cilësitë e larta njerëzore, duke fituar respekt e miqësi të të gjithë stafeve e kolegëve me të cilët punoi. Edhe në ditët e fundit të jetës edhe pse tashmë e kishte kuptuar se sëmundja e rëndë po e fikte ngadalë nuk reshti së besuari dhe e buzëqeshur si gjithnjë. Në punë i jepte shumë profesionit, nuk e shihte gazetarinë si profesion, por mision. Jo me pompozitet të madh, jo me britmën e imazhit viziv, por në luftën e përditshme të medias së shkruar për të sjellë realitetin e hidhur që shpesh vinte nga sistemi i drejtësisë. U bë zë i qindra qytetarëve që ankoheshin për padrejtësinë, mori pjesë në shumë shkrime investigative dhe qe ndër të parat që u përfshi në Unionin e Gazetarëve Shqiptarë. Jo për ta parë si “mundësi punësimi”, por si formë për të kontribuuar në median tonë dhe në mbështetje kryesisht të të rinjve. Edhe në vështirësi e kishte më të lehtë buzëqeshjen sesa reagimin e fortë. Shumë kolegë e kujtojnë për qetësinë, profesionalizmin dhe mbi të gjitha gatishmërinë për të ndihmuar, sidomos mëtonjësit e rinj të gazetarisë që gjetën gjithnjë një mundësi për ndihmë e bashkëpunim. U prehsh në paqe Sonila!