Nga Erjon Curraj*
Një nga produktet konkrete të projektit është InnoTools, një paketë instrumentesh që i vijnë në ndihmë SME-vë në Shqipëri dhe në rajon për të zhvilluar kapacitetet e tyre për inovacion. Nga vetë fjala inno – nga inovacioni dhe tools – instrumente apo mekanizma, pra kështu projekti i asiston SME-të me instrumente praktikë për të nxitur inovacionin. Më konkretisht janë pesë instrumente që janë tashmë ndërtuar dhe që së shpejti do të jenë të publikuara online në platformë falas për SME-të:
Së pari, InnoModel është një instrument që rrjedh nga modeli Business Canvas. Me fjalë të tjera qëllimi i këtij instrumenti është që t’i ndihmojë SME-të të ndërtojnë një model të biznesit të tyre aktual dhe një refleksion se ku duan të shkojnë nga pikëpamja strategjike.
Së dyti, InnoStrategy është një instrument që i ndihmon SME-të të ndërlidhin strategjinë e zhvillimit, me planin e teknologjisë, si edhe pozicionimin e tyre në treg. Përmes këtij instrumenti që kemi zhvilluar ne përpiqemi që SME-të të përqafojnë një qasje sistematike drejt zhvillimit të inovacionit. Kjo qasje shërben si bazë për çdo projekt të mëvonshëm që do të realizojë një sipërmarrja pavarësisht sa i avancuar është projekti.
Së treti, InnoPartner është një instrument që i shërben SME-ve për të identifikuar dhe për t’u lidhur me partnerë të ndryshëm në Shqipëri, por edhe në rajon. Këta partnerë janë të rëndësishëm për të përmirësuar produkte apo shërbime aktuale apo për të lançuar të rinj. Gjetja e partnerëve duke pasur parasysh një qasje sistemike dhe strategjike është me vlerë edhe në rastet kur SME-të synojnë të marrin teknologji apo ekspertizën e nevojshëm nga të tjerë, pasi nuk kanë kapacitetet për ta zhvilluar vetë.
Së katërti, InnoFin është një instrument që i shërben SME-ve për të bërë një analizë financiare të situatës aktuale dhe projeksioneve për të ardhmen. Ky instrument ndihmon për të marrë vendime të tilla se në cilat projekte duhet investuar në një moment të caktuar apo cilat objektiva zhvillimorë të SME-së duhen ndjekur. Së fundi, InnoProjects është një instrument që shërben për të zhvilluar dhe lançuar produkte apo shërbime në treg.
Si do të mund të përdoren InnoTools nga SME-të?
Në kuadër të projektit, ekspertët e angazhuar nga Qendra UET së bashku me kolegë të Universitetit Europian të Tiranës janë duke organizuar ditë informuese për sipërmarrësit në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë. Qëllimi i këtyre takimeve është që SME-të të njihen me produktet konkrete të projektit sikurse edhe InnoTools dhe të marrin këshillim sesi t’i përdorin ato. Deri më tani është organizuar dita e parë informuese në Tiranë dhe më tej do të organizohen rreth pesë të tjera në të gjithë vendin.
Duke qenë se përmes ditëve informuese mund të arrihet vetëm një numër i kufizuar sipërmarrjes, platforma online innoplatform.eu është një burim shumë i mirë për SME-të për të marrë jo vetëm informacion të dobishëm si p.sh. fondet mbështetëse, por edhe për të punuar konkretisht me instrumentet e sipërpërmendura. Pra, nëse një menaxher në një kompani të vogël do të zhvillojë një produkt të ri apo të përmirësojë një shërbim të caktuar, atëherë përmes aksesit në këtë platformë mund të shkarkojë të gjithë format apo udhëzimet e nevojshme për t’u përgatitur për këtë.
Për më tepër përmes përdorimit të këtyre instrumenteve dhe përmes mbështetjes apo këshillimit nga projekti në fjalë, SME-të mund të përmirësojnë pozicionin e tyre në treg, të përdorin më mirë burimet e tyre dhe të përmirësojnë performancën duke përqafuar inovacionin si në procese edhe në zhvillim produktesh apo shërbimesh. Natyrisht që ky nuk është një proces i lehtë, por megjithatë është frytdhënës.
Çfarë ofron konkretisht InnoStrategy për një sipërmarrje të vogël apo të mesme?
Së pari, ofron mundësinë për të analizuar mjedisin e jashtëm që rreth një sipërmarrje si p.sh. kushtet politike, ekonomike, sociale, teknologjike apo mjedisore. InnoStrategy u ofron SME-ve formate dhe aplikacione konkrete sesi mund të bëhet analiza e thelluar e mjedisit të jashtëm. Një element tjetër është analiza e kushteve të brendshme të SME-vë, apo që njihet si Hartëzimi VRIO. Një element klasik është edhe analiza SWOT, pra pikët e forta, të dobëta, mundësitë dhe kërcënimet ndaj SME apo një produkti të caktuar që synon të zhvillojë. Me interes janë format apo aplikacionet që ofron për analizën e zhvillimit të një projekti për një produkt të ri apo shërbim të ri, segmentimi i tregut, vlerësimi i konkurrueshmërisë dhe potencialit për të penetruar në treg. Në mënyrë që SME-të të rrisin kapacitetin e tyre për inovacion kërkohet shumë më shumë sesa instrumente për të fotografuar situatën ku janë. Andaj InnoStrategy u mundëson një qasje sistematike për të adresuar inovacionin. Gjetja e burimeve financiare dhe e burimeve të tjera të nevojshme për këtë mbeten sfiduese.
*Ekspert i IT dhe Transformimit Digjital