I dënuar në Itali për prostitucion dhe dyshime për ryshfet, shkarkohet kreu i Policisë në Burgun e Peqinit. Kryekomisari Besnik Kaptelli, i cili mbante postin e shefit të Policisë së Burgut të Peqinit, mësohet se është shkarkuar nga detyra disa ditë më parë.
Dyshohet se Kaptelli ka qenë i dënuar nga shteti italian për shfrytëzim prostitucioni. Nga verifikimet e deritanishme rezulton se 47- vjeçari Kaptelli është dënuar me 5 vite burg nga një gjykatë në Torino, si tutor i shfrytëzimit të prostitucionit, vend ku ka jetuar për disa vite si emigrant, shkruan Panorama.
Përveç këtij fakti, Kaptelli dyshohet se pak kohë më parë i ka dhënë leje në këmbim të një ryshfeti një të dënuari me probleme në Burgun e Sigurisë së Lartë të Peqinit. Nga ana tjetër, të burgosur të tjerë kanë bërë denoncime për komisarin, duke e akuzuar për ryshfet. Në vendimin për shkarkimin nga pozicioni që mbante të Besnik Kaptellit, cilësohet si i papërshtatshëm për detyrën.
Kaptelli është lakuar për postin e tij edhe një vit më parë pikërisht në muajin maj të vitit 2017, kur kishte postin e shefit të Policisë së Burgut të Kosovës. Mjeti i tij u shkrumbua tërësisht nga flakët në lagjen “Skënder Libohova” të Lushnjës. Asokohe u dyshua se mjeti i tij u dogj për shkak të detyrës. Kaptelli ka mbajtur poste të larta, kryesisht në burgje. Më parë ai ka mbajtur postin e drejtorit në Burgun e Peqinit.
Po ashtu, ai ka qenë një nga dëshmitarët në komisionin hetimor për pajisjen përgjuese “IMSI catcher”. Denoncimin për akuzën për korrupsion ndaj tij e ka bërë edhe ish-Kryeministri Sali Berisha.
Në një denoncim të bërë publik nga ish-Kryeministri Sali Berisha në nëntor të vitit të kaluar, thuhej se Besnik Kaptelli ishte shkarkuar nga Ylli Manjani gjatë kohës kur ky i fundit ishte ministër Drejtësie, për shpërdorim detyre. Por, 47-vjeçari u rikthye sërish në Policinë e Shtetit, kur Ministrinë e Drejtësisë e mori Etilda Gjonaj, duke u caktuar shef i Policisë në Burgun e Peqinit, detyrë që e mbante deri pak ditë më parë.