Enver Bajri, 45-vjeç, ndryshe konsiderohet si truri i grupit kriminal “Bajri”, i cili kryente aktivitetin e tij kriminal në Shkodër.
Informacionet bëjnë me dije se ai për një kohë të gjatë ka qëndruar në Belgjikë, ku kontrollonte veprimtarinë e grupit kriminal “Bajri” në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike dhe gjobëvënieve.
45-vjeçari merrej me trafik drogash të forta, që i merrte nga Amerika Latine dhe i transportonte drejt vendeve të Bashkimit Europian. Gjithashtu Enveri ka qenë edhe personi që kontrollonte financat e këtij grupi kriminal dhe ishte dora e hekurt që drejtonte rrjetin e prostitucionit.
Grupi Bajri sipas informacioneve te ndryshme hetimore, dyshohet se ishte i përfshirë në vrasje, gjobëvënie dhe trukim ndeshjesh sportive. Ndërkohë kujtojmë se si pjesë e kësaj bande u arrestuan 11 persona, më 21 shtator te 2018, të cilët dyshohet se merreshin me trafik droge dhe vepronin në Tiranë, Shkodër, Holandë dhe Belgjikë.
Ndërsa këtë të shtunë është bëri i mundur dhe arrestimi i kryekapos së bandës “Bajri” në Spanjë.
Pas arrestimit të Enver Bajrit gjatë mesditës së sotme në Spanjë, i etiketuar si koka e bandës së Shkodrës, ka reaguar gazetari investigativ Artan Hoxha, i fundit ky që pak kohë më prë realizoi edhe një intervistë me Safet Bajrin, të shumëkërkuarin nga Belgjika.
Gjatë një interviste në Report Tv Hoxha ka thënë se dorëheqja e Xhafajt ka eklipsuar arrestimin e Enver Bajrit, ndërsa ka zbuluar se gjatë arrestimit ka pasur një pistoletë pa leje me vete.
“E kam thënë edhe më parë se koka e kësaj bande, nuk ka qenë Safet Bajri, por Enver Bajri. Ai është kapur në një qytet të njohur në Spanjë, i cili është jashtë kontrollit të policisë spanjolle. Gjatë arrestimit të Bajrit atij i është gjetur edhe një pistoletë me vete”, – ka thënë gazetari.
Enver Bajri nuk është i dënuar në Shqipëri, shtoi ai.