Në klubin e Luftëtarit do të kujtohet gjatë emri Adeleke Akenjemi. Sulmuesi 19-vjeçar nigerian bëri që debutimi europian i skuadrës gjirokastrite të kthehej në një makth të vërtetë, pasi shënoi me rregullsi të frikshme në portën e ekipit shqiptar në dy ndeshjet e Ligës së Europës.
Akinjemi, i cili mbërriti në Europë falë Skënderbeut që e “parkoi” te Trepça ’89 për një sezon dhe pastaj e la të lirë, shpërtheu në radhët e Ventspils në Letoni. Në ndeshjen e parë të Ligës së Europës ndaj Luftëtarit ai shënoi 4 herë, ndërsa në të dytën “vetëm” 2 gola.
Kjo paraqitje e tij ka bërë që shumë klube të interesohen për futbollistin e ri dhe është mësuar se në ndeshjet kundër Bordo, ai u ndoq me shumë interes nga klubi i Jang Bojz. Zviceranët kishin dërguar skaut për ta parë nga afër dhe për të nisur bisedimet konkretet me Ventspils për transferimin e tij, pasi janë të gatshëm të shpenzojnë mbi 1 milion euro për futbollistin. /vipsport.al./