Dorëheqja e papritur nga mandati i deputetit e Saimir Tahirit dhe fjalimi 28-minutësh që akuzoi të gjithë, por nuk “shantazhoi” askënd. Çfarë ndodhi me ish-ministrin e Brendshëm më jetëgjatë të Shqipërisë postkomuniste, që vetëm dy javë pasi rendi në Parlament për të shpëtuar mandatin e deputetit, dha dorëheqjen. Shkëlqimi i parë dhe “njolla e zezë” mbi dyshimet për lidhjet me kushërinjtë trafikantë që rrëzuan përgjithnjë karizmatikun Tahiri. Kulisat mes Ramës dhe Tahirit që sheh opozita dhe një portë e hapur për drejtësinë.
Nga Nevila Perndoj
“Kjo nuk është ndeshja ime e fundit, është veç e para”, – tha ish-ministri i Brendshëm socialist, Saimir Tahiri. Ai akuzohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike të kryer në bashkëpunim, në formë të posaçme të grupit të strukturuar kriminal, si dhe për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë. Nga kryesia e Kuvendit dha dorëheqjen e fundit. Ai është i shkarkuar edhe nga angazhimet partiake. “Nga sot dorëzoj mandatin tim të deputetit. Deri kur të zbardhet e vërteta e plotë, unë nuk do jem deputet, por një qytetar i thjeshtë si mbi 2 milionë shqiptarët e tjerë”, – tha ai. Gjashtë muaj më parë, ky gjest do sillte përgjigje të tjera për Tahirin. Por jo. Ai e bëri këtë lëvizje të papritur vetëm një javë pasi shpëtoi mandatin e tij në Kuvend, dhe kur Rama u detyrua të japë shpjegimet e tij për Tahirin në Gjermani në përpjekje të një “Po”-je për hapjen negociatave me Shqipërinë në fund të qershorit.
Tahiri dhe marrëveshjet…
Saimir Tahiri u pozicionua kundër të gjithëve. Foli për politikë palaço e hajdutë 25-vjeçarë, paçka se prej vitit 2007 është vetë pjesë e kësaj katrahure. Akuzoi Berishën, Bashën, Metën, ambasadorë të huaj, kritikoi Xhafajn për qëndrimin ndaj policisë, por kurseu Ramën. La të kuptojë se nuk e kishte “shitur” shefin e tij. “…Njëri vinte e më sugjeronte të thoja se nuk isha unë, por ishte Edi Rama kokë e trafikut të drogës. Kështu shpëtoja veten nga të gjitha…”, rrëfeu Tahiri dy ditë më parë. Ai citohet nga opozita se ka komunikuar me Ramën përmes të njohurve të përbashkët për gjetjen e një marrëveshjeje mes tyre. “…Saimir Tahirit nuk i duhet imuniteti parlamentar për sa kohë ai shantazhon kryeministrin me aferat e tij korruptive dhe lidhjet kriminale të familjes së tij. Edi Rama dhe Saimir Tahiri janë një subjekt i vetëm, kur bëhet fjalë që Tahiri të dalë përpara drejtësisë: nëse Tahiri del para drejtësisë, Edi Rama del para drejtësisë. Nëse Saimir Tahiri është i lirë, Rama është i lirë…”, – tha Lulzim Basha. Për rolin e Ramës në këtë histori, Partia Demokratike ka dyshimet e veta që datojnë që prej kapjes së drogës në Xibrakë, kohë kur Tahiri ishte ministër i Brendshëm. Lulzim Basha, në një intervistë për “Opinion”, pas kapjes së një sasie rekord prej 613 kg kokainë në Maminas, hoqi një paralele mes kësaj ngjarjeje dhe kokainës së kapur në Xibrakë. “Kjo është njësoj si Xibraka. Pse është si Xibraka?!. Në Xibrakë operonte një laborator i kokainës. Një fabrikë e kokainës e cila u zbulua nga autoritetet e huaja, nga DEA dhe autoritetet gjermane. Dhe në momentin që iu dha informacioni autoriteteve shqiptare, çfarë ndodhi? U kapën vetëm persona të nivelit të dytë dhe të tretë. Bosët e mëdhenj u larguan dhe sipas informacioneve të TIMS-it, të bëra publike nga zoti Berisha, një nga bosët kryesorë u largua nga Qafëthana në një automjet të përshtatur për trafikun e kokainës në praninë e vëllait të kryeministrit, Olsi Rama”, – tha Basha në “Opinion”. Opozita për pasojë kërkon të sjellë një tjetër version në publik se Tahiri di shumë për Ramën. Por, Tahiri nga ana e tij i ka rrëzuar teoritë për marrëveshje, është shprehur se nuk e ka kulturë të shantazhojë, por nuk ka mohuar kontaktet me kryeministrin.
Berisha gjithashtu ka folur për një takim Tahiri-Rama në një spital privat. “…Një takim i fshehtë është paralajmëruar se është bërë në një spital privat të Tiranës. Në atë takim tresh janë bërë edhe premtime për kulla…”, – tha ai. Tahiri mohoi të jetë takuar me Ramën në atë spital. “Nuk jam nga ata që takohem fshehtas me një njeri…”, – tha ai i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në TCH. Megjithatë, Tahiri ka lënë të kuptohet shumëçka mbi bisedat nën tavolinë këto kohë: “…Unë kam zgjedhur t’i vë përballë e nuk ka pasur e as ka asnjë lloj privilegji që më ndërron mëndje”.
Meritat dhe “njollat” e Tahirit
Ish-ministri i Brendshëm tha dy ditë më parë se kishte edhe kolegë të pakënaqur socialist ndaj punës së tij. Drejtoi gishtin se ata e kishin gabim. Tahiri vetë nuk i ka thënë gabimet e tij. Në punën e tij katërvjeçare si ministër i Brendshëm, Saimir Tahirit i njihen disa merita. Ai i solli një fytyrë të re policisë, shtrëngoi masat e qarkullimit rrugor si dhe disiplinoi sjelljen pa fre të shoferave. Ai theu mitin e Lazaratit dhe ndërmori një aksion të suksesshëm kundër kanabisit në zonën e të “paprekshmëve”. Por në punën e tij katërvjeçare, Tahiri mbart me vete pikëpyetje dhe akuza. Saimir Tahiri akuzohet se kanabizoi Shqipërinë. Vetë ai mbrohet me statistika. “Hapni shifrat e Guardia di Finanza, në 4 vjet të qeverisë ku shërbeva edhe unë, t’i mbledhësh bashkë, kultivimi i hashashit është më pak sesa vetëm 1 vit i Sali Berishës kur ishte kryeministër…”, – tha Tahiri dy ditë më parë, një konkluzion që nuk pi ujë as te mazhoranca. “Nuk e thotë njeri këtë. Për fat të keq as deputetët e PS. As ministri i Brendshëm s’e ka përmendur kurrë. As kryeministri jo. Nuk e di pse”, – shtoi ai. Tahiri nuk i gjen dot përgjigjet. Por pasardhësi i tij, Fatmir Xhafaj, në ditët e para si ministër, largoi 12 drejtorët e Policisë në qarqe, disa prej të cilëve të akuzuar nga opozita si të lidhur me grupet e narkotrafikut dhe përgjegjës për mbjelljen e Shqipërisë me hashash. Vetë Tahiri e ka konsideruar një procedurë normale dhe se drejtorët e “tij” vijojnë ende të kenë detyra nën drejtimin e Xhafajt. Saimir Tahiri është akuzuar se i la në përdorim makinën e tij Audi me targë ‘AA 003 GB’ një grupi të akuzuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, Habilajve, të cilët Tahiri ka pranuar se i ka kushërinj të largët. Ai ka pranuar gjithashtu se e ka përdorur makinën e shitur, por pa e ditur se çfarë aktiviteti kryenin Habilajt. Skandali me makinën u njoftua fillimisht nga Dritan Zagani, ish- shef i kufirit në Vlorë. Asokohe, dëshmia e Zaganit nuk u mor seriozisht. Por atë e besuan autoritetet zvicerane duke i dhënë edhe statusin e azilantit politik. Rama atëbotë e cilësoi kriminel, pasi kërkohej nga policia shqiptare se i kishte dhënë informacione sekrete një drejtuesi të Guardia di Finanza. Edhe pse ish-ministër i Brendshëm, Tahiri nga ana e tij është shprehur se nuk e njihte aktivitetin e tre vëllezërve “Habilaj”, paçka se ata ishin tre vjet nën përgjim nga prokuroria e Katanias në Itali. Emri i Tahirit rezulton pjesë e këtyre përgjimeve. Këtu mori kthesë edhe historia për të. Vetë Tahiri ka mohuar çdo lidhje me ta për aktivitet kriminal e aq më tepër të jetë ai emri që flitet në përgjime.
Një tjetër “njollë” e Tahirit është lënia në sirtar e letër-kërkesës së Interpolit për arrestimin e ish-deputetit Mark Frroku. I vetmi që mori përgjegjësi ishte Drejtori i Policisë, Artan Didi. Ai dha dorëheqjen. Vetë Tahiri nuk ka pranuar sot e kësaj dite të ketë gisht në këtë histori. Dy leje drejtimi për mjete lundruese në emër të tij u gjetën në makinën e një biznesmeni 25-vjeçar në Elbasan i cili u arrestua nga policia se dispononte 863 mijë euro cash në makinë. Tahiri nuk e ka komentuar ende këtë ngjarje. Tahirit i kanë mbetur pikëpyetje edhe për debatin “Doshi” dhe atentatin e pretenduar ndaj këtij të fundit. Në këtë histori u përfshi edhe një emër jo i panjohur për drejtësinë shqiptare; Durim Bami. Asokohe, (2015) ministër i Brendshëm, Tahiri ka pranuar se e ka takuar Durim Bamin vetëm pesë minuta, por pa e ditur se ky i fundit ishte një njeri me precedent penal. Tahiri në mënyrë të vullnetshme shkoi në Prokurori për të sqaruar pozicionin e tij.
Java e fundit politike e Tahirit
Gjysmën e parë të vitit, pas shkarkimit nga Rama, Tahiri u angazhua krejtësisht në strukturat partiake dhe solli një rezultat fort të mirë për Tiranën në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës. Ai drejtoi grupin e punës për kryeqytetin dhe gëzon një mbështetje jo të vogël te baza militante në bazë. Kinse, ai përmendi në fjalën e tij dy ditë më parë se kishte marrë mbështetjen në popull nga mijëra qytetarë. Tahiri e ka lënë të hapur angazhimin e tij politik në rast se del i pastër nga drejtësia. “Është shumë herët për të folur për këtë gjë…Çdo gjë ka orën e vet. Deri kur të zbardhet e vërteta e plotë, unë nuk do jem deputet, por një qytetar i thjeshtë si mbi 2 milionë shqiptarët e tjerë”.
Po për Tahirin tani është koha e përballjes me drejtësinë, si një qytetar i thjeshtë. Për ish-ministrin që gjashtë muajt e fundit ka qenë i shkarkuar edhe nga strukturat partiake duket pothuajse i pamundur rikthimi dhe ringjitja si në ditët e shkëlqimit politik. Beteja me drejtësinë do të jetë e gjatë, por më e gjatë, ndoshta deri në infinit është ajo me opinionin publik, gjë që nuk e ka fituar asnjë prej politikanëve apo zyrtarëve të larguar në këto 27 vite, përveç Fatos Nanos. Por ndryshimi në rastin e Nanos është kolosal. Nano jo vetëm që mbeti kryetar i PS gjatë periudhës së burgut, por për më shumë ai u kthye në simbolin e të majtës duke u heroizuar tej përmasave reale.
Në ditët e sotme, Saimir Tahirit i mbeten vetëm të vërtetat. Ai vetë nuk i ka thënë ende publikisht. Thotë se nuk kërkon gjyq publik. Premton se do t’i “zbrazë” të gjitha para gjykatës, drejtësisë dhe ligjit. Deri atëherë ne duhet të presim…Edhe vetë Tahiri. Konspiracionet ndërkohë kanë filluar…