Mapo.al
“Ai ishte një burrë i pjekur dhe i ditur, i aftë ta zgjedhë fjalën e duhur. Ishte pajtues, por jo në dëm të së vërtetës”, tha Besnik Mustafaj, në nderim të figurës së Pjetër Arbnorit.
Kjo ndodhi edhe sot. Pjetër Arbnori “shërbeu” sërish si pajtues brenda zërave kritik të PD-së.
Besnik Mustafaj dhe Genc Ruli figura të rëndësishme në PD por të distancuar prej kohësh u ftuan sot nga Basha në zyrën e këtij të fundit.
Mustafaj mbajti një fjalim të ndjerë për Pjetër Arbnorin.
Ai u komplimentua edhe nga Basha, i cili më pas e ftoi për një bisedë në seli.
Edhe Berisha bëri të njëjtën gjë. Bashkë me Genc Rulin dhe Tritan Shehun u mblodhën për një kafe të shkurtër.
Gjithkush mund të mendonte për ndonjë fillim të ri, sa kohë që pjesë e tavolinës nuk ishin njerëz pa përvojë. Por jo. Të kontaktuar nga “Mapo” Genc Ruli dhe Besnik Mustafaj nuk e cuan takimin e tyre përtej rastësisë dhe një kafeje kortezie
Genc Ruli tha se ishte një kafe rastësore me Bashën Berishën e Mustafajin dhe se gjithcka kishte nisur nga ceremonia për ngritjen e bustit të Pjetër Arbnorit.
Ruli sqaroi se në takim u diskutuan gjëra të përgjithshme mbi zhvillimet e brendshme dhe ato të jashtme.
Edhe Besnik Mustafaj ndan thuajse të njëjtën qëndrim.
Për Mustafajin kafja me Bashën nuk ishte e para pas kaq kohësh. Basha disa here e ka telefonuar për tu takuar.
“Unë kam pirë disa kafe me të edhe kur kam qënë në kulmin e kritikave ndaj tij…”, tha Mustafaj në një bisedë të lirë duke lënë të kuptohet se takimi i sotëm nuk kishte ndonjë fabul apo risi.
Gjatë takimit, ai që ka folur më shumë ishte Berisha i cili sigurisht nuk i shmanget zhvillimeve politike në vend kryesish asaj për reformën në drejtësi të cilën e ka prekur edhe gjatë bisedës së përbashkët në PD.