Dhjetë vite mbas shpërthimit dhe zhvillimeve të krizës financiare globale, “leksionet” kryesore të saj po diskutohen gjerësisht nga bankierët dhe ekspertët e tregjeve financiare. Në librin “Anatomia e krizës financiare globale të viteve 2008-2018”, UET PRESS, Ardian Civici sjell një analizë të asaj që jetoi bota në dekadën e fundit
Nga Ardian Civici
Dhjetë vite mbas shpërthimit dhe zhvillimeve të krizës financiare globale, “leksionet” kryesore të saj po diskutohen gjerësisht nga bankierët dhe ekspertët e tregjeve financiare. Në mënyrë të përmbledhur ato janë si më poshtë:
Leksioni i parë
Ekonomia globale bazohej në një sistem bankar e financiar të globalizuar. Shëndeti i sektorit bankar amerikan lidhej ngushtë me atë europian e aziatik. Në një këndvështrim më të gjerë, shëndeti i sistemit bankar në nivel botëror ishte thellësisht i lidhur me tërësinë e sistemit financiar. Në veçanti, lidhjet ndërmjet bankave, në kuadër të “sistemit bankar paralel” janë të shumta. Me termin “sistem bankar paralel” nënkuptohet tërësia e kompanive të sigurimit, fondeve të pensioneve, fondet e investimeve, hedge funds, agjencitë vlerësuese etj. Aktorët e këtij sistemi bankar paralel në të gjitha tregjet financiare e monetare botërore kanalizonin kursimet dhe realizonin ndërmjetësimin e investimeve dhe fondeve të ndryshme drejt fitimit të projekteve investuese me risk të lartë. Deri në vitin 2007, ky sistem paralel, në tërësinë e tij funksiononte pa rregulla e mbikëqyrje të natyrës sistemike. Ai nuk dispononte filtrat sigurues, të cilët i disponon normalisht sistemi bankar – garancinë e depozitave, mjaftueshmërinë e kapitalit, kontrollin e likuiditetit, kolateralet, provigjonet, lehtësirat në aksesin e likuiditetit të furnizuar nga bankat qendrore etj. Sistemi bankar paralel ishte krejtësisht në hije, arsye për të cilën shpesh cilësohet si shadow banking sector. Sipas një ankete të Kongresit amerikan dhe një studimi të Bankës Federale të Nju Jorkut, në fund të vitit 2006, shuma e kredive që kalonte nëpërmjet këtij sistemi paralel i kalonte të 20000 miliardë dollarët, pothuajse sa dyfishi i shumës që kalonte nëpërmjet sistemit bankar të rregulluar e mbikëqyrur, e cila arrinte në 11000 miliardë USD.
Leksioni i dytë
Teknikat e mbulimit të riskut apo diversifikimit të tij, nuk çonin në eliminimin e riskut. Përkundrazi, në shumicën e rasteve ato çonin në përqendrimin apo akumulimin e riskut nëpërmjet një procesi “infektues” që mbahej i fshehur apo nënvleftësohej deri në momentin e shpërthimit të flluskës financiare në 2007-n. Në kushte normale, evidentimi i riskut dhe menaxhimi i tij është më i lehtë, por në kushtet kur tregu “nuk ndjek një logjikë normale”, por përballet me inovacione e shpikje të të gjitha llojeve, të rralla, ekstreme dhe përgjithësisht të panjohura, aktorët e tregjeve financiare veprojnë në paqartësi të plotë, e krahasueshme me sindromën e “mjellmës së zezë” të Nassim Taleb-it. Gjithë arsenali i këtyre shpikjeve e inovacioneve nuk merret në konsideratë në strategjitë e menaxhimit dhe neutralizimit të riskut. Eksperienca e krizës së viteve 2007-2008, evidentoi qartë faktin se pjesa dërrmuese e aktorëve të tregjeve bankare e financiare, ishin shumë të ekspozuar ndaj riskut të lartë pa e ditur apo pa e besuar si të tillë. Ky lloj risku sistemik mbeti gjithashtu dhe jashtë vëmendjes së agjencive vlerësuese, të cilat i ndërtuan dhe zbatuan modelet e tyre të vlerësimit duke u bazuar në tregues e koeficientë tipikë “për periudha të qeta” apo normale. Në këtë mënyrë, risku u rrit së tepërmi, u akumulua dhe u përqendrua “në mënyrë të fshehtë e jashtë vëmendjes” deri sa shpërtheu në vitin 2007.
Leksioni i tretë
Në një sistem të qarkullimit të lirë të kapitaleve në kuadrin e ekonomisë globale, një krizë që prek tërësinë e sistemit bankar të një vendi, mund ta tejkalojë kapacitetin dhe mundësitë e këtij vendi për rikapitalizimin e sistemit të tij bankar. Në këtë kontekst shfaqen qartë limitet e një sistemi të bazuar në parimet e rregullimit dhe mbikëqyrjes në nivel nacional, ndërkohë që sistemi bankar duhet t’u bëjë ballë rreziqeve sistemike ndërkombëtare. Përballë bllokimit të aftësisë paguese të bankave, qeveritë e vendeve të ndryshme janë të prirura të adaptojnë strategji që synojnë minimizimin e efekteve fiskale në vendet e tyre, ndërkohë që bankat qendrore në kuadrin e “huadhënësit të instancës së fundit” nuk e përballojnë dot kërkesën për likuiditet shtesë. Strategji të tilla provokojnë shitje të ngutura të aktiveve me “çmime të sakrifikuara” – fire sales, duke ekspozuar në këtë mënyrë agjentët ekonomikë që disponojnë aktivet drejt humbjeve financiare dhe kufizuar atyre mundësitë që të përfitojnë nga fondet nacionale të garantimit të depozitave. Në këtë mënyrë, problemi zhvendoset drejt bankave të vendeve partnere, duke përhapur apo shpërndarë gjithashtu dhe riskun. Risku me origjinë nacionale e kalon lehtë kufirin, duke infektuar sistemet bankare të vendeve të tjera.
Problemi themelor qëndron në faktin se përballë fenomenit të infektimit të riskut në nivel ndërkombëtar, nuk ekziston akoma një bankë qendrore ndërkombëtare, e cila të realizojë rolin e huadhënësit të instancës së fundit. Pa një rritje të integrimit fiskal me atë monetar në nivel ndërkombëtar, ky rrezik do të vazhdojë të jetë prezent për një kohë të gjatë.
Leksioni i katërt
Roli negativ i politikave ekonomike. Në shumicën e rasteve, risku sistemik është produkt i aktorëve individualë që kërkojnë reduktimin e risqeve të ndryshme me të cilat përballen në aktivitetin e zakonshëm të tyre. Në optikën e tregut të lirë, në shumë raste, është politika ekonomike shtetërore ajo që e orienton sektorin privat drejt risqeve sistemike. Sipas Raghuram G. Rajan i Princeton University, “mbinxehja e tregut imobiliar amerikan nuk është vetëm pasojë e veprimeve të bankave të specializuara në kreditë me risk të lartë, por ajo dëshmon gjithashtu efektin e politikave federale amerikane që synonin lehtësimin e blerjes së shtëpive nga një masë e madhe e popullsisë, qoftë kjo edhe me të ardhura të pakta dhe të pastabilizuara”.
Anatomia e krizës financiare globale në dekadën e fundit
Nga Ardian Civici
Përse një libër dedikuar “Anatomisë së krizës financiare globale të viteve 2008-2018”? Mbi të gjitha për të kuptuar më mirë botën e parasë dhe financave, e cila, me përjashtim të një pjese të rëndësishme të specialistëve të kësaj fushe, për shumicën e njerëzve përbën shpesh një mister diabolik, një subjekt të vështirë për t’u kuptuar e interpretuar. Përse kriza u shfaq si një ndeshje ndërmjet “Ariut që në simbolikën e Wall Street-it simbolizon pesimizmin dhe frikën e tregjeve financiare përballë krizave dhe Demit që simbolizon optimizmin dhe dëshirën për risk në emër të fitimeve më të mëdha”? Ndërkohë që jeta jonë e përditshme, dëshirat dhe ëndrrat për mirëqenie e zhvillim, politikat e qeverisë, diskutimet dhe debatet e politikanëve, zhgënjimet dhe dëshpërimet etj., janë të lidhura ngushtë e pazgjidhshmërisht me paranë dhe financat. Një krizë financiare, pavarësisht nga përmasat e saj kombëtare apo ndërkombëtare, e prek rëndë individin, shoqërinë, ekonominë dhe shtetin. Përballë saj, pothuajse të gjithë ndihen të çarmatosur dhe të pafuqishëm, ndërkohë që krizat financiare të llojeve dhe formave të ndryshme duket se janë bashkudhëtare të rregullta të kapitalizmit. Fatalitet apo realitet që duhet të përballemi vazhdimisht? Në etimologjinë e saj, fjala krizë nënkupton “shfaqjen e rrezikut”, por njëkohësisht dhe “oportunitet e vendimmarrje”. Krizat duhen kuptuar, zbërthyer e interpretuar në mënyrë sa më të plotë e të kuptueshme. Duhet të kuptohen e analizohen shkaqet dhe faktorët që prodhojnë kriza financiare e monetare. Duhet të kuptohen efektet e tyre, të dukshme e të padukshme. Duhet të analizohen politikat e masat më eficiente për përballimin e tyre. Duhen identifikuar qartë aktorët dhe institucionet kryesore që menaxhojnë krizat financiare. Duhet të përgatiten strategjitë dhe instrumentet për eliminimin e tyre në të ardhmen. Krizat financiare kanë më se katër shekuj që shfaqen rregullisht, që nga “tulipanomania holandeze” e vitit 1637 e deri te “kriza e subprimes” e vitit 2007-2008. Bota është përballur me mbi 40 kriza financiare në katër shekujt e fundit, një pjesë e tyre me përmasa globale dhe me efekte shkatërruese të jashtëzakonshme. Ja pyetjet më të zakonshme që vazhdojnë të bëhen vazhdimisht: Cili është fajtori? Përse është pothuajse e pamundur të parashikohet një krizë financiare? Janë të paaftë ekonomistët, financierët apo politikanët? Është faji i kapitalizmit liberal dhe politikave derregulluese? Çfarë interesash e lobesh fshihen mbrapa krizave financiare? A ka mundur shkenca ekonomike të ndërtojë një teori të qartë dhe të strukturuar që shpjegon krizat financiare, shkaqet, përgjegjësitë, efektet, dinamikat e trajektoret e tyre, politikat më eficiente për përballimin e tyre, rolin e tregut, shtetit dhe institucioneve të ndryshme në raport me krizat? Përgjigjja është e paqartë dhe mjaft e nuancuar: PO edhe JO! Ekonomistët dhe ekspertët e tregjeve financiare vazhdojnë të jenë të ndarë në rryma, shkolla e korrente të ndryshme, shpesh në kontradiktë të plotë me njëra-tjetrën, kur është fjala për shkaqet e krizave dhe politikave ekonomike e financiare për përballimin e tyre. Ekonomistët liberalë përballë marksistëve dhe neomarksistëve, neoklasikët përballë kejnesianistëve, institucionalistët përballë rregullacionistëve etj. Mozaiku i analizave dhe shpjegimeve është mjaft i larmishëm. Ndërkohë, çdo krizë ka “shtratin, kohën dhe kontekstin historik të saj”. Në asnjë nga krizat kryesore financiare bota, ekonomia, financat, tregtia, zhvillimi, paradigmat teorike e ideologjike, shkenca dhe teknologjia, objektivat dhe dëshirat etj., nuk kanë qenë asnjëherë të njëjta. Nga kjo pikëpamje, krizat financiare u ngjajnë brezave njerëzorë që zëvendësojnë njëri-tjetrin në kohë të ndryshme. Ato kanë shumë gjëra të përbashkëta, por kanë dhe specifika që mbajnë vulën e kohës, vendit dhe evolucionit të ideve e teorive dominuese. Analiza historike na ndihmon për kuptimin dhe shpjegimin e “elementeve të përbashkëta”, por nuk na shpjegon gjithçka. Çdo krizë ka “lindjen, jetën, trupin, veprimet dhe mendimet e saj”. Në këtë kontekst, ky libër tenton të tregojë e analizojë krizën financiare më të fundit me të cilën u përball bota, krizën e shpërthyer në SHBA në vitet 2007 – 2008, por që shpejt u shndërrua në një krizë financiare, ekonomike e sociale globale, duke prekur shumicën dërrmuese të vendeve të botës. Çfarë ishte kjo krizë në thelbin e saj? Si u formua dhe si plasi flluska financiare e kredive subprimes në SHBA? Përse u përhap në Europë, Azi, Amerikën Latine e Afrikë? Çfarë pasojash negative të cilësuara “të tmerrshme e shkatërrimtare” shkaktoi? Cilët ishin fajtorët dhe çfarë roli luajtën ekonomistët? Në këtë libër, krahas kronologjisë dhe evidentimit të evolucionit të ngjarjeve që shoqëruan krizën, synohet të analizohen e shpjegohen më në detaje politikat kryesore të organizmave të rëndësishëm ndërkombëtarë si FMN, Banka Botërore, FED, Banka Qendrore Europiane, G8 dhe G20, OBT, BERZH, OCDE etj.; detajet specifike të krizave në një sërë vendesh si Irlanda, Islanda, Greqia, Qipro, Spanja, Portugalia, SHBA-ja, Japonia, Italia, etj.; politikat kryesore të bankave qendrore më të mëdha të botës si FED, BQE, Banka e Anglisë, Banka e Japonisë etj.; problemet e pastrimit të parave dhe mashtrimeve bankare; lufta e monedhave; frika ndaj inflacionit dhe deflacionit; parashikimet për të ardhmen dhe mundësitë e një krize tjetër në horizont etj. “Anatomia e krizës financiare globale” e shekullit XXI ndihmon në kuptimin më të saktë dhe brenda kontekstit të sjelljes e vendimeve më të rëndësishme të politikave monetare, institucioneve rregullatore e mbikëqyrëse, politikave ekonomike e financiare, raportet e forcave dhe interesave në tregjet financiare e monetare, efektet e globalizimit dhe pasojat e tij, sjelljen e bankave, reagimin e depozituesve dhe konsumatorëve, fuqinë dhe dobësitë e ekonomistëve përballë saj, përpjekjet për ristrukturimin dhe modernizimin e sistemit bankar, sjelljen e euros, dollarit, paundit, jenit etj. Besoj se, në mënyrë modeste, ky libër do të shërbejë për të plotësuar e qartësuar informacionin dhe njohuritë për një numër lexuesish të interesuar për problemet dhe fenomenet që lidhen me paratë, bankat, rolin e bankave qendrore, inflacionin dhe deflacionin, kursin e këmbimit, rreziqet dhe mashtrimet financiare, pastrimin e parave, mekanizmin e kreditimit dhe investimeve, funksionimin e bursave dhe tregjeve të aksioneve e obligacioneve, borxhin publik dhe deficitet buxhetore, mekanizmat e forcimit apo zhvlerësimit të lekut, euros apo dollarit, rolin dhe masat e Bankës së Shqipërisë në përballimin e krizës etj. Një pjesë e analizave dhe komenteve në lidhje me krizën dhe evolucionin e saj janë trajtuar në vazhdimësi gjatë viteve të fundit në revistën Bankieri, botim i Shoqatës Shqiptare të Bankave dhe në gazetat Panorama e MAPO. Një falënderim të veçantë për kolegët e UET për diskutimet dhe sugjerimet e vlefshme që më ndihmuan në përmirësimin e vazhdueshëm të tij, për bankën “Société Générale Albania” që financoi botimin e librit dhe shtëpinë botuese UET Press që mundësoi botimin, për Shoqatën Shqiptare të Bankave dhe revistën Bankieri për mundësinë e trajtimit të specializuar të disa prej çështjeve të rëndësishme të përfshira në këtë libër.