Nga Enis Sulstarova
Kjo që ndodhi me ndërtesën e Teatrit Kombëtar nuk është e shkëputur nga varfërimi shpirtëror i shqiptarëve. Qytetarët e Shqipërisë sot mund të jenë më të pasur materialisht se në fillimet e tranzicionit, por shpirtërisht vijojnë të jenë të varfër. Janë krijuar metoda për të matur shkallën e kënaqësisë së jetës, nivelin e tjetërsimit të individëve etj., por nuk mund të ketë një matje reale të pasurimit/varfërimit shpirtëror të një populli, meqenëse ky është një shënjues i një mase heterogjene me interesa, prirje, talente, (nën)kultura të larmishme etj. Gjithsesi, përgjithësime mund të bëhen, edhe duke iu referuar fakteve të njohura gjerësisht. Kështu, një burim i pasurisë materiale për një kohë ka qenë dhe vijon të jetë migrimi i fuqisë punëtore e mendore, kostoja e së cilës ka qenë braktisja e vendit nga rinia dhe nga një pjesë e mirë e intelektualëve. Zbrazja e fshatrave dhe e zonave të tëra nga popullsia më vitale, mund të na ketë rezultuar në individë më të pasur, por në të njëjtën kohë në një jetesë më të varfër shpirtërore kolektive: familje të ndara, shkëputje e brezave, luftë e përditshme për mbijetesë në mjedis të huaj, indiferent e ndonjëherë edhe armiqësor. Remitancat llogariten pak a shumë me saktësi, por a do ta kemi ndonjëherë një llogari të kostos së tyre njerëzore: të mundimit fizik e shpirtëror; të peshës së vetmisë e mallit për ata që mbeten pas; të poshtërimit që ka pësuar një brez i tërë të detyruar të ndërrojnë emrat, të kapërcejnë kufirin ilegalisht, nga deti e nga toka në terrin e natës; të detyrimit për të punuar për një pagesë të ulët në të zezë për punët më të rrezikshme; të historive të vdekjeve, gjymtimeve, përdhunimeve, vjedhjeve, mashtrimeve që janë depozituar në kujtesën kolektive.
Po të flasim për investimet në institucionet kulturore dhe për zbulimin, arsimimin dhe stërvitjen e talenteve në arte, sporte e shkencë, kuptohet se pasurimi i përgjithshëm material nuk është shoqëruar me pasurimin shpirtëror. Ajo që ndodh zakonisht me talentet e reja që spikasin në çdo fushë është zhvillimi i potencialit të tyre kur arrijnë të ikin jashtë vendit, sepse qëndrimi në Shqipëri ua shuan pasionin. Në njëfarë mënyre, shoqëria jonë po mbijeton materialisht me koston e mjerimit shpirtëror, sepse paraja e grumbulluar te një dorë e qytetarëve po investohet në mënyra që ua pamundëson ose vështirëson jetesën dinjitoze pjesës tjetër të qytetarëve. Në afat të gjatë vetë këto investime nuk janë më produktive. Varfërimi i shpirtit shoqërohet me mjerim mendor dhe rezultati janë individët që nuk arrijnë të veprojnë racionalisht në jetën e përditshme, që priren për përfituar në një çast të dhënë dhe jo të ndërtojnë diçka të qëndrueshme me kapacitetet e tyre fizike dhe mendore. Teorikisht kjo dukuri është emërtuar nga Jurgen Habermas si “kolonizim i botës së jetës nga sistemi”. Dy fjalë shpjeguese janë të nevojshme. Habermasi me “botë të jetës” emërton tërësinë e ndërveprimeve të individit me individë të tjerë në jetën e përditshme, prej së cilës lind tërësia e kuptimeve dhe e vlerave të përbashkëta të një bashkësie njerëzore. Në botën e jetës përcillet edhe trashëgimia kulturore e brezave të shkuar. Në botën e jetës krijohet vetëdija kolektive. Me “sistem” Habermasi kupton strukturimin e pjesshëm të botës së jetës me anë të institucioneve që lehtësojnë ndërveprimin. P.sh. për të blerë një mall a mallra të ndryshme qytetarët, nuk kanë nevojë të bisedojnë për të vendosur për çdo rast mbi mënyrën dhe sasinë e shkëmbimit, sepse sistemi ekonomik dhe ai ligjor e kanë lehtësuar pjesën më të madhe të procesit. Dy sistemet kryesore moderne janë ai ekonomik dhe ai politik, që rregullojnë përkatësisht qarkullimin e të mirave materiale dhe vendimmarrjen për çështje publike. Kolonizimi i botës së jetës ndodh atëherë kur sistemi, pra paraja dhe pushteti politik, nisin dhe ndërhyjnë në botën e jetës më shumë se sa nevojitet për të qenë të dobishëm për kolektivin njerëzor, duke bërë që gjithnjë e më shumë ndërveprime të jetës së përditshme të konsiderohen nga aspekti ekonomik, pra të kthehen në mallra, dhe vendimmarrja publike të anojë nga interesi privat i pushtetarëve. Në këtë mënyrë, të parë nga interesi ekonomik qytetarët reduktohen në konsumatorë, ndërsa pushtetari i konsideron ata si qyqarë që i japin votën ngaqë shanset e jetës i kanë të varura nga ai. Kuptohet që kolonizimi i botës së jetës së secilit ndikon negativisht te psikologjia dhe sjellja e tij, sepse pasurimi dhe pasja e pushtetit mbi të tjerë i paraqiten si vlera eprore, duke bërë që të mbizotërojnë egoizmi dhe konkurrenca në ndërveprimin shoqëror. Siç përmendëm më lart, kolonizimi i botës së jetës saboton arritjen e bashkëpëlqimit dhe zbeh vetëdijen kolektive. Rënia e identitetit kolektiv dhe e shkallës së mirëkuptimit shoqëror shpien në acarimin e diferencimeve shoqërore, duke prodhuar kriza legjitimiteti të sistemit. Ekonomia shkëputet nga mirëqenia, ndërsa sistemi politik shkëputet nga qytetaria (në të gjitha kuptimet e kësaj fjale: tërësia e qytetarëve të republikës; vetëdijesimi për liritë dhe detyrimet ligjore; sjellja e kulturuar dhe e edukuar). Sistemi ekonomiko-politik kur e humbet legjitimitetin priret për nga autoritarizmi e diktatura dhe shoqëria futet një rrethin vicioz të moszhvillimit e prapambetjes.
Komunikimi i angazhuar midis qytetarëve për të arritur bashkëpëlqimin është baza e kulturës demokratike. Thelbësore për komunikimin demokratik nuk janë vetëm institucionet politike si Kuvendi, por edhe institucionet që kultivojnë komunikimin simbolik dhe edukimin qytetar, si bibliotekat, arkivat, teatri, opera etj. (Nuk është rastësi që lindja e teatrit grek përkoi me periudhën demokratike dhe rënia e demokracisë greke solli edhe venitjen e teatrit). Prandaj, vendet e qytetëruara demokratike e kanë kuptuar se mbajtja e këtyre institucioneve kulturore nuk mund të lihet krejtësisht në dorën e nismave private, por duhet mbështetur me fonde publike. Brenda pak dekadash Shqipëria nga një vend ku pothuaj mungonte privatja kaloi në ekstremin tjetër të pothuaj zhdukjes së publikes. Pasurimi i përgjithshëm material i popullsisë (në krahasim me mjerimin komunist) krijoi iluzionin se shoqëria demokratike mund të ndërtohej nga individë privatë që ndjekin vetëm interesin e tyre pa pyetur për pasojat e veprimeve të tyre mbi të tjerët. Publikja u pa si mall pa zot për t’u plaçkitur, duke mos menduar se ngushtimi i publikes pashmangshmërisht do të sillte edhe ngushtimin e botës së jetës për të gjithë, varfërimin e saj simbolik. E thënë ndryshe, mungesa e hapësirave ku qytetarët e shtresave të ndryshme të ndërveprojnë me njëri-tjetrin, përkthehet në kultivim të njerëzve privatë që e kthejnë privaten në kult. Janë ndërtuar kulla shumëkatëshe ku ashensori është vendi i vetëm i takimit të fqinjëve, janë kthyer në parkingje hapësirat ku mund të loznin fëmijët. Janë fshirë bibliotekat e lagjeve, këndet e lojërave, fushat sportive dhe sot habitemi me rininë apatike. Janë ngushtuar trotuaret ku mund të takoheshin sporadikisht njerëzit dhe iu është lënë hapësirë, në njërin krah, automjeteve dhe, në krahun tjetër, tryezave të kafeneve ku ne të gjithë paguajmë taksën e shoqërimit me të tjerët.
Partneriteti publik-privat është veçse teknika më e fundit e pasurimit të individëve përmes privatizimit të publikes. Qeveria qendrore dhe ajo vendore që administrojnë pasurinë publike e historike janë kthyer hapur në komitete ekzekutive të interesave të oligarkëve. Nisma për shkatërrimin e ndërtesës ekzistuese të Teatrit Kombëtar nuk do të ndërmerrej po të mos nxitej nga interesi privat. Ndërtimi i teatrit të ri nuk vjen si pasojë e rritjes së vëmendjes së qeverisjes aktuale për artin dhe kulturën, por nga konsiderata thjesht ekonomike: trualli i teatrit ka më shumë vlerë se sa teatri si veprimtari. Makutëria e investitorit peshon më shumë se sa dhimbja e artistëve dhe e publikut për një simbol të kulturës sonë kombëtare që po shuhet. Paratë janë më reale se sa historia dhe kujtimet. Nuk do të shkeleshin me të dyja këmbët procedurat normale ligjore po të mos bëhej fjalë për interesin privat të sipërmarrësit. Teatrin po e ndjek fati i Kinostudios, Stadiumit e Parkut e ndoshta do të ndiqet nesër nga Muzeu, Universiteti apo ndonjë institucion tjetër, i cili ndoshta do të vijojë të ekzistojë, por i kolonizuar nga paraja. Pasurimi material i disave përmes kapjes së shtetit po bllokon zhvillimin dhe emancipimin shoqëror për të gjithë.