Universiteti Europian i Tiranës, ka nderuar me titullin “Doctor Honoris Causa” Presidentitin e Gjykatës Europiane të Drejtësisë, Z. Koen Lenaerts në një ceremoni solemne të zhvilluar me praninë e shumë personaliteteve të njohura.
Ky është një titull që i akordohet nisur nga meritat e mëdha të Z. Koen Lenaerts në fushat akademike, studimore e administrative të sferës së ligjit.
Po kush është Koen Lenaerts?
Belgu ka një CV shumë të pasur në fushën e ligjit dhe vetëm dy muaj më parë ka marrë një mandat të dytë për të drejtuar gjykatën e rëndësishme. E quajnë të fiksuar pas librave, ndërsa ka shqyrtuar disa çështje të nxehta.
Tre ditë para se të vinte në Tiranë, gjykata e tij mori një vendim historik në kuadër të debatit për daljen e Britanisë nga BE. Vetë Koen Lenaerts e kishte parashikuar se çështja do vinte në duart e tyre.
Dhe gjykata ka vendosur se Britania mund të anulojë Brexit-in në mënyrë të njëanshme pa marrë mendimin e vendeve të BE.
‘Tërmeti’ që provokoi vendimi ishte i madh. Për disa ekspertë, tani është më e lehtë që Britania të mbajë një referendum që do anulonte daljen nga BE. A do ndodhë kjo? Mbetet të shihet.