Kukësi ka vuajtur sezonin që shkoi për sulmues, sidomos gjysmën e dytë të tij, kur Bakaj është larguar në shkurt dhe sulmuesi i ardhur nga kampionati portugez, Amido Balde, ka qenë jashtë forme, pasi kishte shumë kohë pa luajtur.
I gjendur në këto kushte, alternativa e vetme ka qenë Sindrit Guri, i cili e ka mbajtur i vetëm peshën e sulmit dhe ka shkëlqyer në radhët e nënkampionëve, ku ka shënuar plot 20 gola, 16 prej tyre në gjysmën e dytë të sezonit. Transferimi i Gurit te Ostende dhe largimi i Balde ka lënë një hendek të madh tek ofensiva e Kukësit, pasi verilindorët aktualisht janë pa sulmues.
Pakult kërkon me ngut një fantazist dhe dy sulmues qendre. Konkurrimi në Kupat e Europës është shumë i ashpër dhe i vështirë dhe austriaku i ka kërkuar presidentit Gjici dhe drejtorit sportiv Nderim Nexhipi që të jenë agresivë në merkato, pasi ekipi ka nevojë urgjente për 5-6 përforcime, sidomos sulmi.